Kulturë

Trashëgimia botërore pasurohet edhe me mbi 20 asete të tjera

Lista e pasurive të mbrojtura si asete të trashëgimisë botërore nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Shkencë, Edukim e Kulturë (UNESCO) është zgjeruar pas votimeve për t’ia shtuar asaj edhe 21 lokalitete të tjera, shkruan CNN, transmeton sot “Koha Ditore”.

Kjo ka ndodhur gjatë sesionit të 41-të vjetor të Komitetit të Trashëgimisë Botërore, që po mbahet në Krakow të Polonisë, prej 2 deri më 12 të këtij muaji. Kjo e çon në 1 mijë e 73 lokalitete numrin e përgjithshëm të trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Mali veriperëndimor i Britanisë së Madhe, “Lake District” ka qenë në mesin e lokaliteteve të reja që i janë shtuar listës, duke u bërë kështu parku i parë kombëtar britanik, që ka marrë statusin e trashëgimisë botërore.

“Vepra e kombinuar e natyrës dhe e aktivitetit njerëzor ka prodhuar një peizazh harmonik, në të cilin malet janë të pasqyruara në liqene”, është shkruar në deklaratën e UNESCO-së për këtë lokalitet. Edhe qyteti i rrethuar me mure, i Indisë, Ahmedabad, i themeluar nga Sulltan Ahmed Shah në shekullin e pesëmbëdhjetë, i është shtuar kësaj liste, duke u bërë kështu qyteti i parë i këtij shteti që merret nën mbrojtje të UNESCO-s. I vendosur në lindje të lumit Sabarmati, ky qytet “prezanton një trashëgimi të pasur arkitektonike nga periudha e sulltanatit, që bie në sy sidomos nga kështjella Bhadra, muret që e rrethojnë qytetin kështjellar dhe një numër xhamish e varresh, sikurse edhe tempujt e rëndësishëm hindu dhe ‘jain’ të periudhave të mëvonshme”, thuhet në përshkrimin e UNESCO-s për këtë qytet.

Dy prona të Amerikës së Jugut i ishin shtuar listës, përfshirë edhe lokalitetin arkeologjik, Valongo Wharf të Brazilit. I vendosur në qendër të Rio de Janiero, ky lokalitet përfshin sheshin ‘Jornal do Comércio Square’ dhe ishte ndërtuar për t’i skllavëruar afrikanët, që nisën të zbarkojnë në këtë vend prej vitit 1811.

“Është një nga gjurmët më të rëndësishme fizike të mbërritjes së skllevërve afrikanë, në kontinentin amerikan”, thotë UNESCO.

Takimi i komitetit të sivjetmë nuk ka kaluar pa polemika.

Izraeli ka denoncuar vendimin e UNESCO-së për ta përfshirë qytetin e vjetër të Hebronit në West Bank, si lokalitet palestinez të trashëgimisë kulturore. Izraeli e ka akuzuar UNESCO-n që ka bërë një lëvizje të motivuar politikisht, pjesë e asaj që është cilësuar përpjekje për të mohuar karakterin hebre dhe trashëgiminë e disa lokaliteteve kyç në Tokën e Shenjtë.

Ndërkohë, vendimi i UNESCO-s për të aprovuar nominimin e Hoh Xil të Kinës, pjesë e rrafshnaltës tibetiane të provincës Qinghai, po ashtu është shoqëruar me protesta. Fushata Ndërkombëtare për Tibetin ka thënë se nominimi paraqet kërcënim për nomadët tibetian dhe mënyrën e tyre të jetesës.

“Komiteti e ka injoruar realitetin që tibetianët – dhe nomadët në veçanti – janë kujdestarë të peizazhit, roli i të cilit është esencial në ruajtjen e jetës së egër, ekosistemit dhe burimeve të ujit në të cilat varen Kina dhe Azia”, ka thënë Kai Muller, drejtor ekzekutiv i “International Campaign for Tibet”. Në listën e lokaliteteve që i janë shtuar trashëgimisë botërore ka vende të shteteve si Turqia, Rusia, Gjermania, Kroacia, Angola, Japonia, Franca, Polonia, Argjentina, India etj.

E në mbledhjen e së premtes, Komiteti i Trashëgimisë Botërore miratoi zgjerimin e zonës së Trashëgimisë Botërore të ahishtave të vjetra me dy zona nga Shqipëria. Zona e Lumit të Gashit në Tropojë dhe Zona e Rrajcës në Përrenjas janë përfshirë në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s. Pjesë e zonës së ahishtave të vjetra që mbrohen si trashëgimi natyrore të botës në këtë sesion punues janë bërë edhe pyje ahu nga 11 shtete të tjera.