Kulturë

Fati dhe vendosmëria si emëruesi i përbashkët

Descriptive Text

“Los Angeles Times” shkruan për tre nga 15 kandidatët për çmimin ndërkombëtar të “Academy Awards”. Mes tyre është edhe për “Zgjoi”

Mes kandidatëve të përfshirë në listën e ngushtë të “Academy Awards” për çmimin si filmi më i mirë ndërkombëtar është edhe rrëfimi për dilemën morale ("A hero"), për çlirimin seksual ("Greater Freedom”), për mëmësinë ("Lamb") dhe për traumën e fëmijërisë “Playground”. Por mes 15 finalistëve ka edhe perspektiva unike për sipërmarrjen dhe fatin. Dhe mund të habiteni se këto rrëfime mund t’i gjeni te një kavanoz i mbushur me ajvar të shijshëm, në teori shkencore dhe madje besoni ose jo edhe në jashtëqitjen e një jaku.

“Zgjoi”

Gati dy dekada më parë, Fahrije Hoti filloi një biznes duke shitur ajvar – një shije e specit të kuq – dhe mjaltë në Kosovë. Burri i saj ishte zhdukur në luftën e Kosovës disa vjet më parë dhe si shumë të veja në fshatin e saj të vogël, ajo po përpiqej të ndihmonte familjen e saj. Betejat mizogjene me të cilat u përball nga burrat dhe madje edhe nga gratë e tjera në vendlindjen e saj kur filloi biznesin, ishin frymëzimi për "Zgjoin” e Blerta Bashollit, një dramë prekëse që është në prag të të qenit i pari film i Kosovës i nominuar për “Oscars” më 8 shkurt, kur do të bëhen të ditura nominimet.

Basholli ka thënë se Hoti – e portretizuar nga Yllka Gashi – i kishte treguar për fillimet e vështira kur kishte nisur të kultivonte bletët. Ajo që mund të jetë tmerruese për shumëkënd, është se bletët vazhdimisht po e thumbonin, pasi që ajo nuk mund të rrinte e qetë. Madje në një pikë e pickuan aq keq, saqë përfundoi në spital.

“Ajo ka thënë se ‘nëse nuk je e qetë me bletët ato do të të thumbojnë, dhe është e njëjta me vejushat. Nëse nuk i pyet me qetësi që të të bashkohen, ato do të sulmojnë”, ka thënë Basholli. “Për mua ky ishte me të vërtetë një krahasim interesant”.

Për Bashollin, udhëtimi inspirues i Hotit është po ashtu një rrëfim universal.

“Mendoj se ne të gjithë jemi ndier të vegjël në një pikë të jetës sonë, qoftë si adoleshentë, apo sepse ne i takojmë komunitetit të grave, apo një race, kombësie, seksualiteti të caktuar”, ka thënë Basholli.

“Ose ndoshta ne thjesht ishim të turpshëm dhe u ndiem të vegjël. Kështu që në këtë kuptim e kam ndier që njerëzit do të lidhen me të dhe prandaj kam dashur që në rrëfim ta vë fokusin te ajo”.

“The Good Boss”

Sa i mirë është një shef i mirë kur bën gjëra të këqija? Kjo është pyetja në qendër të komedisë së errët të Fernando León de Aranoa, kandidati i Spanjës.

Ky bos, i portretizuar nga Javier Bardem, zotëron një fabrikë të nivelit të lartë dhe është i fiksuar pas fitimit të një trofe tjetër që ta varë në murin e tij. Me një datë inspektimi afër, ai është përballur me punonjës të pakënaqur dhe me një rrjet gjithnjë e më të komplikuar të politikave. Ndërsa filmi përparon, ai bëhet më shumë një manipulues me zemër të ftohtë sesa si njeriu i njerëzve si e sheh veten.

Lidhur me veprimet e tij, Aranoa thotë, “Personazhi po thotë: ‘Dëgjo, jam i detyruar ta bëj këtë. Unë jam duke dashur të kem përfitime në biznes. Unë jam duke kërkuar përfitimin e punëtorëve të mi, sepse ata janë djemtë e mi'. Kur shikuesit e shohin, disa prej tyre në mes të filmit thonë: 'Në rregull, ndoshta ai nuk është shef i mirë', kështu që ata janë duke u larguar nga dashuria që kanë ndier në fillim ndaj personazhit, ndërsa të tjerët e ndjekin deri në fund”.

Aranoas i duket mjaft interesante gama e opinioneve për personazhin, veçanërisht e njerëzve në Spanjë.

“Të rinjtë nën të 30-at ndihen sikur ai është një shef shumë i mirë, sepse nuk janë mësuar me të pasurit e disa të drejtave”, ka thënë Aranoa. “Ata thonë: ‘Jo, ai nuk është aq i keq. Ai i çon [punonjësit e tij] në restorante të mira.’ Ata njerëz në të 30-at po ashtu mendojnë se ai është një shef i mirë, duke thënë se ai po përpiqet të bëjë gjithçka për t’i mbrojtur punëtorët e tij. Nuk jam dakord, por jam i lumtur që edhe ata do ta përkrahnin personazhin ashtu”.

"Lunana: Një jak në klasë"

Drama prekëse e Butanit e regjisorit Pawo Choyning Dorji u frymëzua nga vitet që ai kaloi duke mbledhur histori në vendlindjen e tij. Megjithatë, gjatë atyre udhëtimeve ai u mahnit nga fakti se sa nga të rinjtë e vendit po largoheshin jashtë shtetit. Debutimi i tij artistik përqendrohet në një individ të tillë, i cili dërgohet në vitin e tij të fundit të trajnimit për t’iu dhënë mësim fëmijëve në Lunana, një nga fshatrat më të largëta në Butan.

Me një popullsi prej vetëm 40 banorësh, enklava nuk ka energji elektrike apo rrjet telefonik. Në fakt, fshatarët përdorin pleh të tharë të jakut për t'u ngrohur. Për gati një vit e gjysmë, ekipi i Dorji-t dhe një ushtri mushkash dhe gomarësh transportuan panele diellore, bateri diellore dhe nevoja të tjera logjistike për të filmuar në vendndodhje për 2 muaj e gjysmë. Dhe pas gjithë këtyre akoma nuk lejohen tushe, pasi që janë një koncept i huaj në fshat.

“Doja ta xhiroja në Lunana, sepse doja të kapja atë autentiken, atë pastërtinë, jo vetëm të vendit, por edhe të njerëzve”, ka thënë Dorji. “Të gjitha personazhet e filmit që shihni, jo vetëm që janë aktorë për herë të parë, por të gjithë njerëzit në fshat nuk kanë asnjë koncept për kinemanë. Ata nuk kanë parë asnjë film në jetën e tyre. Harrojeni filmin, ata nuk kanë parë kurrë një llambë, dhe ajo pjesa ku fëmijët i lajnë dhëmbët ka qenë hera e parë që ata kanë provuar pastën. Dhe kjo ishte ajo që dëshiroja të ndaja më botën, autenticitetin e këtij vendi dhe të njerëzve”.

Marrë nga “Los Angeles Times”

Përkthyer nga Alberina Haxhijaj