Kulturë

Pianisti mjeshtërisht bashkë me Orkestrën sfidojnë kushtet me romantizëm

Descriptive Text

Veç 16 vjeç, virtuoz e premtues, Herman Med-Çerisha, me Orkestrën e Filharmonisë së Kosovës për mbi 30 minuta kanë sjellë frymën e romantizmit në Sallën e Kuqe. “Koncerti për piano, Op.16” i kompozitorit norvegjez, Edvard Grieg, bart njëfarë energjie entuziaste të rinisë së autorit. E me të njëjtën energji ka nisur edhe koncerti i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës të shtunën mbrëma. Ata që kanë dëgjuar koncertin janë ndikuar nga niveli i saj pavarësisht kushteve ku interpretohen veprat, nën një çati që shpesh nuk e mban ujin. Me dy vepra, institucioni ka sfiduar kushtet koncertuese me romantizëm

Loja në timpan për krejt pak sekonda “ndez fitilin” e koncertit për të zbritur vëmendja te pianoja që është edhe instrumenti bazë i veprës. Është një prej atyre koncerteve për piano, që kompozitorët i kanë shkruar në rini dhe më nuk u janë kthyer partiturave për ndonjë tjetër krijim të këtij lloji.

“Koncerti për piano, Op.16” i kompozitorit norvegjez, Edvard Grieg, bart njëfarë energjie entuziaste të rinisë së autorit. Ishte veç 24 vjeç kur e kompozoi. E me të njëjtën energji ka nisur edhe koncerti i Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës të shtunën mbrëma. Koncerti për piano, që është prej më të famshmeve të krijuesit që shquhet si njëri prej kryesorëve të periudhës së romantizmit, ka bërë që edhe Salla e Kuqe e Pallatit të Rinisë të marrë ngjyra të tjera. Ambienti i ka ikur zbehtësisë të paktën në atmosferë. Orkestra e prirë nga dirigjenti gjermano-izraelit, Maayan Franco, me shqiptaro-rumunin 16-vjeçar në piano, Herman Med-Çerisha, për mbi 30 minuta ka sjellë frymën e romantizmit në sallë. Me ritmin që lëviz shpesh, Koncerti i Edvard Grieg (1843-1907) shpesh krahasohet me Koncertin për Piano të Robert Schumannit. Në gjuhën e teorisë muzikore përshkruhet si koncert që është në të njëjtin çelës me atë të kompozitorit gjerman me nam: lulëzimi i hapjes zbritëse në piano është i ngjashëm ashtu si edhe stili i përgjithshëm. Kjo e ofron veprën me krijimtarinë e Schumannit më shumë se me të çdo kompozitori tjetër.

Për koincidencë, të dy kompozitorët kanë shkruar vetëm nga një koncert për piano. Loja e pianistit të ri Çerisha ka bërë që vepra të marrë tjetër dimension. E kthimi i frymorëve të Orkestrës në skenë shkaku i një pauze të gjatë të diktuar nga pandemia e ka kompletuar mozaikun e krejt mbrëmjes koncertale. Literatura muzikore shpjegon se Grieg kishte dëgjuar Koncertin për piano të Schumannit të luajtur nga Clara Schumann në Leipzig më 1858, dhe ishte ndikuar shumë nga stili i gjermanit.

Në Prishtinë veçantinë veprës ia ka shtuar loja në piano nga i riu shqiptaro-rumun, Herman Med-Çerisha. Kryeqyteti i Kosovës më 2019 i dha atij Çmimin e parë në garat e “Pianistit të Ri”. Instrumentisti që në bazë të lojës është një yll në ngritje, ndjek studimet në “Purcell School” në Bushey të Anglisë. Bëhet fjalë për shkollën më të vjetër britanike sa u përket talenteve të rinj në muzikë.

“Jam goxha i prekur me ndjesinë që ta jep kjo vepër, pasi secila vepër i ka emocionet e veta. Muzika është një gjuhë që nuk flitet, por kuptohet”, ka thënë ai gjatë provave me Orkestër. I biri i violinistit shqiptar, Ilir Çerisha që ka emigruar nga Shqipëria në vitet ’90, ka për qëllim që të jetë prej pianistëve të kompletuar. “Dua të bëhem një pianist, jo për famë, por të jesh pianist është ajo që dua”, ka thënë midis të tjerash ai.

Image

Veçantinë koncertit ia ka shtuar loja në piano nga i riu shqiptaro-rumun, Herman Med-Çerisha (Foto: Arben Llapashtica)

Por ata që kanë dëgjuar koncertin e Orkestrës së Filharmonisë së Kosovës në mbrëmjen e së shtunës, janë ndikuar nga niveli i saj pavarësisht kushteve ku interpretohen veprat, nën një çati që shpesh nuk e mban ujin.

Për herë të parë në një koncert të institucionit kryesor të muzikës klasike në Kosovë ka qenë edhe kryetari i ri i Prishtinës, Përparim Rama. Mbrëmjen e ka përshkruar si një eksperiencë fantastike. Ka thënë t’i jenë kujtuar koncertet e dhëna në Prishtinë kur në publik si fëmijë ulej së bashku me prindërit e tij.

“Për fat të keq nuk ka ndërruar asgjë për të mirë, por vetëm është degraduar kjo sallë. Mirëpo, Filharmonia performoi në mënyrë fenomenale”, ka thënë ai.

Në planet e tij – me të cilat ka kërkuar përkrahjen për të udhëhequr kryeqytetin – një sallë koncertale është paraparë prapa Pallatit të Rinisë dhe Sporteve. E menaxhmenti që e ka udhëhequr Prishtinën paraprakisht ka miratuar një projekt ideor që ndërtesa e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia” të shndërrohet në sallë koncertale. Rama për këtë arsye ka pasur edhe takime me ministrin e Kulturës, Hajrulla Çeku.

pasur më shumë se një takim dhe kemi biseduar për nevojat për sallë koncertale, por edhe për hapësirat e tjera kulturore. Për fat të keq kemi lënë anash gjithë spektrin e kulturës. Kemi talente fantastikë, por nuk kemi hapësira për ta. Janë si të pa shtëpi”, ka thënë ai. Ka folur edhe për takime me përfaqësues të Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Projekti ideor veç është krijuar. Tash është faza e dytë. Ta shohim se cila mund të bëhet përpara. Do të thotë pozicionimi në ndërtesën e Gërmisë apo pika tjetër që është prapa Pallatit të Rinisë. Jemi duke i bërë këto analiza dhe cilado që tregon se mund të bëhet më së pari atëherë do ta shtyjmë përpara”, ka thënë ai. Ka treguar edhe për një takim të ri me komunitetin evropian për javën që vjen. Sipas tij, do të diskutohet nëse janë të gatshme fondet në mënyrë që të shtyhen proceset përpara.

Menaxhmenti i Filharmonisë së Kosovës është goxha me shpresë se mund të ketë lëvizje në këtë drejtim. Ambienti ku luan Filharmonia tash e dy dekada është goxha i zymtë.

E vepra e pjesës së dytë të mbrëmjes koncertale kishte karakteristika të tilla. “Simfonia në d-mol” e belgut César Franck ka sjellë tjetër atmosferë në koncert. Vepra e Franck (1822-1890) ka nxjerrë në pah forcën e Orkestrës. Është prej atyre më komplekseve të luajtura prej kur pandemia u lajmërua në këto anë e bëri që programi i institucionit të zbehet pa dashje. Pompoze sa për të shpalosur shkathtësitë e instrumentistëve dhe e zymtë si thirrje për ndërrim të sallës, mund të konsiderohet kjo simfoni. Shkathtësia e kompozitorit ishte e tillë. Kur u dha premierë në Paris, në shkurt të vitit 1889, midis të tjerash, kritika e përshkroi edhe si krijim ku bëhen bashkë “muzika e zymtë dhe pompoze”.

Dirigjenti Maayan Franco krejt koncertin e ka përshkruar si një interpretim me energji të mrekullueshme.

“Ndjeva që Orkestra ishte me mua. Është përvoja më e mirë me këto vepra deri tash gjë që është madhështore për koncertin. Energjia e Orkestrës më mbushte me muzikalitet. Secili ishte i angazhuar për të pasur një koncert me kualitet të mirë”, ka thënë ai.

E për drejtorin e Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, organizimi i koncertit ishte një sfidë për menaxhmentin. Ka thënë se mbrëmjen e udhëhoqi një dirigjent i ri, i cili vërtet ka lënë shumë përshtypje në Orkestër me përvojën e tij.

“Ajo çka e veçon koncertin e sotëm është vepra e dytë në program që ishte sfidë për Orkestrën. Do të ishte sfidë edhe pa pandemi e lëre më tani kur në këta dy vjet Filharmonia pothuajse ka mbijetuar në aspektin programor duke punuar në grupe të vogla”, ka thënë ai. Ka kujtuar se shkaku i pandemisë koncertet ishin vetëm me harqe, pa frymorë. “Konsideroj që koncerti i sotëm do të jetë një kthesë në veprimtarinë koncertale të Filharmonisë duke shpresuar që pandemia duhet disi të përfundojë. Kjo ndikon drejtpërdrejt në programin tonë”, ka thënë Jashari. Me pandeminë që është duke u zbehur sa i përket anës përmbajtjesore e në valë të re zgjerimi për nga niveli i shpërndarjes, Filharmonia shpreson në pjesë të dytë të sezonit me program më sfidues.