Kulturë

Flaka Goranci me ”Udhëtim nëpër krijimet e grave” për kapitull të ri

Sopranoja Flaka Gornaci ka nisur një projekt të ri. ”Udhëtim nëpër krijimet e grave” është titulli i asaj që pritet të marrë formën e një CD-je dhe të promovohet me koncerte nëpër vende të ndryshme të botës. Aty vijnë kompozimet e 20 grave nga Lindja e Mesme, Ballkani, Afrika e Jugut, Amerika Latine, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga vendet perëndimore të Evropës. Goranci ka thënë se është hera e parë që gratë nga këto rajone bëhen bashkë në një projekt

Këngëtarja e operës kohëve të fundit në fokus ka pasur edhe kompozitoret, jo vetëm për të përzgjedhur që ta këndojë ndonjë vepër të tyre, por edhe me një tjetër qëllim. Flaka Goranci ka vënë re boshllëk të madh në botën e muzikës sa u përket kompozimeve të bëra nga gratë, veçanërisht në Ballkan dhe në Lindje të Mesme. Kjo e ka shtyrë të nisë punën për projektin “Udhëtim nëpër krijimet e grave”. Kështu e ka titulluar atë që pritet të marrë formën e një CD-je dhe të promovohet me koncerte nëpër vende të ndryshme të botës. Në të bashkë janë bërë kompozimet e 20 grave nga Lindja e Mesme, Ballkani, Afrika e Jugut, Amerika Latine, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe vendet perëndimore të Evropës. Goranci ka thënë se është hera e parë që gratë nga këto rajone bëhen bashkë në një projekt.

Duke treguar më shumë për këtë projekt, ka theksuar se ka shumë faktorë që e kanë shtyrë që t’u qaset krijimtarive të kompozitoreve të këtyre anëve.

“Që të jesh kreativ duhet kohë, por akoma më shumë kohë për të arritur të takosh muzën tënde. Pasi të kesh arritur që ta njohësh atë të duhet pastaj akoma edhe më shumë kohë që të arrish te një krijim madhështor. Gratë kompozitore që janë pjesë e këtij projekti janë kompozitore të mrekullueshme që kanë arritur të krijojnë vepra me vlera të larta artistike”, ka thënë ajo. Për Gorancin ato përveç angazhimeve të tjera që kanë pasur, kanë arritur të realizojnë diçka të bukur edhe për njerëzimin.

Mes emrave që ka bërë bashkë është edhe jordanezo-kanadezja Suad Bushnaq e njohur për kompozime për filmat si “Al Munataf”, “Twice Upon a Time” dhe “Tight Spot’, kompozitorja dhe pianistja nga Irani me bazë në New York, Niloufar Nourbakhsh, kompozitorja nga Maqedonia, Valentina Trajanovska, kompozitorja dhe dirigjentja serbe Isidora Zebeljan, kompozitorja shqiptare Eriona Rushiti, kompozitorja franceze e njohur veçanërisht në shekullin e 19-të, Pauline Viardot, kompozitorja bizantine Kassia, që konsiderohet si nismëtare e simfonive moderne në Kroaci, Dora Pejacevic, kompozitorja turke Nazife Aral Güran e të tjera. Mirëpo qasja në krijimtarinë e gjithë këtyre grave nuk ka qenë aspak e lehtë.

“Meqenëse nuk kemi pasur shumë të dhëna akademike, sidomos pra për ato nga Lindja e Mesme dhe Ballkani, kjo ka qenë edhe vështirësia më e madhe për t’i gjetur ato, për t’i kontaktuar, për të krijuar një koncept, për të riaranzhuar veprat, por pastaj edhe vetë realizimi i projektit është vështirësia më e madhe në fakt, meqenëse është një projekt me 40 bashkëpunëtorë”, ka thënë ajo.

Ka shtuar se kënaqësia më e madhe është se ky projekt është shndërruar tashmë në një mision, por edhe njohja me vetë kompozitoret dhe me artistët e mrekullueshëm që ka bashkëpunuar për këtë projekt.

“Do të veçoja këngëtaren dhe kompozitoren siriane Dima Orsho, me të cilën vij me një duet të kompozuar nga vetë ajo. Ajo është një artiste ‘Grammy’, një artiste me të vërtetë shumë e rrallë. Pastaj muzikologet: Rreze Kryeziu-Breznica, Lucia Molinari dhe Nejla Melike-Atalay. Do të përmendja edhe disa nga emrat e muzikantëve në Vjenë si: Teodora Miteva, Donka Angatcheva, Maximilian Bratt, Christiana Thalassinou, Karol Gostynsky, Laszlo Magyar, Marwan Abado, Matei Ioachimsecu dhe shumë të tjerë”, ka thënë ajo.

Goranci, e cila studimet për solo-këndim i përfundoi në Akademinë e Muzikës në Tiranë, kurse ato master në “Buchmann-Mehta School of Music” në Tel-Aviv të Izraelit, ka treguar se projekti ”Udhëtim nëpër krijimet e grave” do të promovohet edhe me koncerte duke nisur prej Vjenës, pastaj në Luksemburg, Sofje e kështu me radhë. Goranci në Vjenë ndoqi studimet postdiplomike për këngët gjermane, franceze, spanjolle, angleze, si dhe për oratorio.

Në moshën 22-vjeçare debutoi me rolin e Rosinas nga opera “Il Barbiere di Siviglia” e G. Rossinit në Teatrin e Operës dhe Baletit në Tiranë. Ajo është fituese e bursës për këngëtarë të rinj opere nga fondacioni gjerman i Hilde Zadek, si dhe numëron disa çmime në konkurse ndërkombëtare. Role të tjera të realizuara në Tiranë, Izrael dhe Vjenë janë: Dorabella, Cherubino, Die Mutter, Ida, Dido dhe Bojana. Ka punuar me regjisorë dhe dirigjentë të njohur si: Nikolaus Harnoncourt, Enrico Delamboye, Manfred Mayrhofer, Vittorio Parisi e të tjerë. Po ashtu, ajo ka realizuar edhe tri role kryesore në shfaqjet muzikore teatrale të regjisores amerikane Ellen Stewart, të vëna në skenën e Bienales së Venecias, në Teatrin e Butrintit dhe në Kosovë. Në vitin 2015, bashkë me ansamblin “Dielli”, që përfshin edhe instrumentistë nga Filharmonia e Vjenës, realizoi CD-në ndërkombëtare me këngë shqiptare të përpunuara, që e titulloi “Albanian Flowers”. Në vitin 2016 interpretoi rolin e Olgës nga “Eugene Onegin” të Tchaikovskyt në Festivalin e Operës në Alden Biesen në Belgjikë.