Zbritja e buxhetit në institucionet e kulturës, prek Teatrin Kombëtar të Kosovës, ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, Galerinë Kombëtare dhe Baletin Kombëtar të Kosovës. Zbritja e buxhetit do të prekë programet vjetore të këtyre institucioneve. Rritje të buxhetit, sipas Ligjit për buxhetin e këtij viti, do të ketë vetëm për Filharmoninë e Kosovës dhe Qendrën Kinematografike. Buxhet është paraparë edhe për Operën e Kosovës, institucion që ka vetëm zëvendësues të drejtorit
Ministria e Kulturës do të ketë më shumë buxhet për këtë vit krahasuar me vitin e kaluar. Por, rritja e buxhetit nuk është reflektuar te shumica e institucioneve qendrore të kulturës. Të paktën katër prej tyre, do të kenë buxhet më të ulët sesa vitin e kaluar.
“Shkurtimet” prekin Teatrin Kombëtar të Kosovës, ansamblin kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, Galerinë Kombëtare dhe Baletin Kombëtar të Kosovës. Zbritja e buxhetit do të prekë programet vjetore të këtyre institucioneve. Rritje të buxhetit, sipas Ligjit për buxhetin e këtij viti, do të ketë vetëm për Filharmoninë e Kosovës dhe Qendrën Kinematografike. Buxhet është paraparë edhe për Operën e Kosovës, institucion që ka vetëm zëvendësues të drejtorit.
Baleti Kombëtar vitin e kaluar kishte 240 mijë euro buxhet. Sivjet do të ketë 80 mijë më pak. Për mallra e shërbime, bashkë me subvencione e transfere, sipas Ligjit për buxhetin, ky institucion do të ketë 160 mijë euro.
Planet e BKK-së ishin krejt të tjera. Ky institucion ka kërkuar buxhet prej 373 mijë eurosh. Balerini Kreshnik Musolli, i cili është zëvendësues i drejtorit të BKK-së, ka thënë se kërkesa për buxhet në kuadër të planifikimit vjetor 2022 është shumë më e lartë bashkë me ambiciet për këtë vit. Musolli ka treguar se janë paraparë 3 premiera gjatë vitit 2022.
“Premiera e tretë është më datën 22 shtator ku përfshihet edhe ceremonia festive e 50-vjetorit të themelimit të institucionit. Pos kësaj, është planifikuar buxhet për shtatë pedagogë të huaj të cilët do të vijnë për mbajtjen e ushtrimeve për balerinët, me qëllim të ngritjes së nivelit tekniko-artistik”, ka thënë Musolli. Ai ka treguar se si aktivitete të tjera kanë paraparë paraqitjet me shfaqje brenda Kosovës e në vendet e rajonit si Shqipëri e Maqedoni. “Theks të veçantë në planifikim, ka turneu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës si kulmi i festimit të 50-vjetorit duke bërë histori me interpretimin e BKK-së në ShBA. Për të gjitha këto, ky buxhet nuk është i mjaftueshëm”, ka thënë Musolli. Ka treguar se ka marrë premtim nga ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, që do të gjenden forma të tjera për sigurimin e buxhetit të nevojshëm, në mënyrë që të mos dështojnë planifikimet e BKK-së.
Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” numëron disa vjet që kërkon investim në arkiv e blerje të instrumenteve të reja. Por, pa e futur këtë çështje te hesapet e buxhetit vjetor, “Shota” në raport me vitin e kaluar, sivjet do t’i ketë punët shumë më dobët me buxhet. Për vitin 2021 kishte 170 mijë euro. Sivjet për mallra dhe shërbime, bashkë me subvencione do të ketë vetëm 140 mijë euro.
Pakënaqësi të madhe përballë këtij realiteti ka treguar drejtori i përgjithshëm i Ansamblit, Shefqet Gjocaj. Ka thënë se pos zbritjes së buxhetit, një numër i madh i lëndëve të vitit të kaluar nuk janë paguar nga MKRS-ja dhe kjo bën që të rëndohet buxheti i sivjetmë me borxhe të vjetra.
“Me krejt këto të meta, nuk janë bërë investime kapitale dhe blerja e instrumenteve. Nuk e dimë se si do t’ia dalim. Ky buxhet as afërsisht nuk i plotëson kërkesat tona. Ne kemi kërkuar 85 mijë euro për subvencione e 130 mijë për mallra e shërbime”, ka thënë Gjocaj. Sipas tij, bashkë me instrumente e arkiv kërkesa ka shkuar te 300 mijë euro. Ka shtuar se me buxhetin e ndarë mund të funksionojnë vetëm nëse pandemia pamundëson mbajtjen e aktiviteteve.
Galeria Kombëtare e Kosovës vitin e kaluar kishte buxhet prej 206 mijë eurosh. Sivjet do të ketë vetëm 150 mijë euro. Është një prej zbritjeve më të mëdha të buxhetit me të cilin është përballur ky institucion. Me zbritje do të përballet edhe Teatri Kombëtar i Kosovës. Nga 385 mijë euro sa kishte për vitin 2021 si subvencione dhe mallra e shërbime, për këtë vit do të ketë 320 mijë euro.
Zëvendësuesi i drejtorit të TKK-së, Naser Shatrolli, ka thënë se buxheti i vitit të kaluar nuk është shpenzuar në total, meqë nuk kanë arritur të sigurojnë të drejtën autoriale për një tekst të huaj. “Ndërsa për këtë vit ne kishim paraplanifikuar mbi 650 mijë euro së bashku me udhëheqësin artistik dhe me Këshillin Drejtues. Tani, me shumën prej 320 mijë eurosh, mund të përmbushet plani vjetor por me një shfaqje më pak ose duhet shikuar modalitete të përafërta duke u fokusuar në tekste nga dramaturgjia kombëtare me më pak personazhe, si dhe mobilizim të plotë të stafit rezident të aktorëve”, ka thënë ai. Ka shtuar se është duke iu referuar informatës së KOHËS sa i përket buxhetit për këtë vit, pasi nuk kanë marrë akoma zyrtarisht nga MKRS-ja buxhetin e këtij viti. Këtë e kanë thënë shumica e udhëheqësve institucionalë. Por buxheti për institucionet qendrore të kulturës është në Ligjin mbi ndarjet buxhetore të këtij viti.
Rritje të buxhetit ka vetëm për dy institucione qendrore të kulturës, Filharmoninë e Kosovës dhe Qendrën Kinematografike të Kosovës.
Filharmonia e Kosovës, nga 353 mijë euro sa kishte për vitin e kaluar sivjet do të ketë 370 mijë euro. Realisht Filharmonia është institucioni me performancën më të mirë gjatë vitit të kaluar sa i përket realizimit të programit.
Drejtori i Filharmonisë së Kosovës, Baki Jashari, ka thënë se në mbledhjen e Këshillit Drejtues ka paraqitur planin për këtë vit dhe kostoja e projekteve kap shifrën prej 460. Sipas tij, bëhet fjalë për një plan ambicioz me numër më të madh koncertesh dhe lëvizje të institucionit jashtë Kosovës.
“Ne jemi mësuar të kërkojmë më shumë në mënyrë që t’i tregojmë MKRS-së që planet tona të kenë buxhetin e duhur. Ne na duhet që t’i rishikojmë planet tona pas ndarjes së buxhetit”, ka thënë Jashari. Sipas tij, është shumë mirë që buxheti nuk do të mbetet i njëjti.
“Do të thotë se MKRS-ja e ka parë të arsyeshme që institucionet që kanë punuar edhe në kushte pandemike dhe kanë realizuar planet, të motivohen e të vazhdojnë me këtë kurs të veprimtarisë koncertale”, ka thënë ai.
Por, sikurse një pjesë e institucioneve të tjera, edhe Filharmonia e Kosovës ka borxhe të vitit paraprak. Shumë lëndë nuk kanë arritur të përmbyllen, shkaku i grumbullimit të lëndëve, pasi të gjitha pagesat ekzekutohen nga Ministria e Kulturës.
“Këtu e kemi brengën. Ende nuk e kemi bilancin përfundimtar se sa kemi obligime të vitit të kaluar shkaku i stërngarkesës së MKRS-së. Praktikat e deritanishme tregojnë se ato obligime hyjnë në buxhetin e vitit që vjen”, ka thënë Jashari. Sipas tij, ky funksiononim me borxhe të vitit paraprak e zbeh rritjen e buxhetit. të radhës.
“Nëse na kanë ngelur shumë obligime atëherë nuk kemi rritje. Kjo është praktikë për vite me radhë. Obligimet e vitit të kaluar nuk ishin tejkalime, por buxhet i zotuar. I bie që zyrtarisht të kemi rritje, por praktikisht të vendnumërojmë. Do të ishte mirë që ta shkurtojmë këtë anomali”, ka thënë ai.
Qendra Kinematografike e Kosovës do të ketë buxhet për subvencionim të projekteve kinematografike prej 1.5 milion eurosh. 40 mijë të tjera do të jenë për mallra dhe shërbime. Vitin e kaluar kishte vetëm 766 mijë euro. Rritja e buxhetit do të ndikojë edhe për shlyerjen e obligimeve të QKK-së që janë një histori më vete.
Për operën e Kosovës – institucion i themeluar vitin e kaluar – MKRS-ja ka paraparë buxhet prej 150 mijë eurosh. Aktualisht, ky institucion ka vetëm zëvendësuesin e drejtorit. Sivjet planifikohet që të punësohen pesë veta.
Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, i kanë thënë KOHË-s se shumica e institucioneve nuk ia kanë dalë që ta shpenzojnë buxhetin që kishin për vitin e kaluar. Sipas, tyre varësisht nga performanca do të ketë rritje të buxhetit në rishikimin e Ligjit në qershor të këtij viti.
“MKRS-ja në çdo rast nëse ndodh që nuk mjafton buxheti, do të shtojë buxhet në proces të rishikimit”, shkruhet në përgjigjen e MKRS-së. MKRS-ja për sivjet ka buxhet prej 38 milionë e 59 mijë eurosh. E për vitin 2021 kishte 34 milionë 905 mijë euro.