Kulturë

Portrete e peizazhe si rrëfim për jetën e romëve

Descriptive Text

Shamia me ngjyrë të kuqe që shoqërohet me shenja të bardha dhe të zeza mbulon edhe një pjesë të bluzës së verdhë me lule jeshile. Bishtaleci me kapëse të kuqe është i hedhur në anën e djathtë të gjoksit. E qaforja me rruaza të kuqe të mëdha e kompleton portretin e një gruaje rome, shkruan sot Koha Ditore.

Nëse do të tërhiqej një paralele me fotografi, do të dukej sikur personazhi është bërë gati për t’u përballur me shkrepjen e aparatit, por nuk ka mundur ta fshehë gjendjen emocionale. Kësisoj edhe gjashtë portretet e tjera të Farija Mehmetit sjellin personazhe të ndryshme grash rome sa u përket gjendjes emocionale dhe kombinimit shumëngjyrësh të shamive e bluzave që mbajnë veshur. Vëllai i saj ka tjetër fokus.

Bajram Mehmeti nëpërmjet ngjyrave sjell jetën e bashkëkombësve të tij nga një tjetër perspektivë. Krijon përshtypjen sikur ai përcjell se çfarë bëjnë në jetën e përditshme personazhet e motrës.

Muzikantët romë e momentet tjera në natyrë, bashkë me portretet, kompletojnë ekspozitën prej 12 pikturave të Farija e Bajram Mehmetit, që është hapur të premten mbrëma në “Soma Book Station” në Prishtinë. Punimet që shfaqin histori personale e kolektive të këtij komuniteti janë në shitje gjatë një muaji, sa edhe do të qëndrojë e hapur ekspozita (gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.