Kulturë

Takimi me komunitetin teatror – dy orë “shfaqje” boshe

Descriptive Text

Të mbledhur në “Kino Armatë” një pjesë e komunitetit të teatrove në atë që Ministria e Kulturës e ka quajtur “Takim me komunitetin e teatrove”, e kanë çuar kohën dëm duke proklamuar ide të parealizueshme e ambicie personale në një takim ku priteshin propozime për politika teatrore. Akuza ka pasur me bollëk. “Krejt çka po dëgjoj janë emra, ‘ma ka bërë e ja kam bërë’”, ka qenë komenti i ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku

Nëse diskutimi me komunitetin e teatrove do të ishte një shfaqje, do të mund të merrej si ekzemplar i një dyorëshi të artit skenik që i ka dalë boja. Problemet personale, inatet e akumuluara ndër vite e idetë futuristike, kanë dominuar në atë që Ministria e Kulturës e ka quajtur “Takim me komunitetin e teatrove”.

Të mbledhur në “Kino Armatë”, një pjesë e komunitetit të teatrove e kanë çuar kohën dëm duke proklamuar ide të parealizueshme e ambicie personale në një takim ku priteshin propozime për politika teatrore.

Si zakonisht – gjë që ka ndodhur edhe në takimet me komunitetet e tjera – ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, fillimisht ka bërë një prezantim. Ka thënë se përkrahja financiare për komunitetin teatror sivjet është rritur. Ka treguar se është formuar një grup që po përgatit koncept-dokumentin për kulturën e që synohet një ligj unik për kulturën dhe strategji për këtë fushë. Ka kërkuar propozime që do të ndikonin në përmirësimin e jetës teatrore.

Akuza e performanca për hajni

Aktori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Naim Berisha, ka qenë i pranishëm me një “krah” dokumentesh, që sipas tij dokumentojnë shkeljet në institucionin më të lartë teatror në vend. Ka pasur me vete edhe vendime gjykatash. Sipas tij, ka vendime të institucioneve të drejtësisë që nuk po zbatohen.

“Është fjala për hartimin e rregullores për angazhimin e ansamblit rezident dhe aktorëve të jashtëm. Fillimisht duhet detektim i jetës teatrore në vend. Duhet dhënë përgjegjësi ata që kanë shkelur ligjin”, ka thënë Berisha. Ndër vite menaxhmentet e TKK-së janë ankuar se Berisha nuk angazhohet në shfaqje pasi regjisorët nuk e përzgjedhin. Vetë Berisha ngulmon se qëllimshëm nuk i krijohet hapësirë. Vazhdimisht dërgon lëndë në Agjencinë Kundër Korrupsionit.

Por, vendimeve të cilave u është referuar Berisha, ministri Hajrulla Çeku u është referuar si të ngushta e që nuk shpien askund.

“Konflikti i interesit interpretohet ngushtë dhe e ngulfat teatrin. Duhet me i rrëzu këto ligje që janë nëse duam kulturë”, ka thënë ministri Çeku. Ka shtuar se duhet një ligj i ri që i jep hapësirë krijuesit e po ashtu edhe një qasje e re.

Aktivistja që reagon për shumë tema në Kosovë, Flutra Zymi, ka ngritur një sërë çështjesh. Prej faktit që Teatri Kombëtar i Kosovës nuk ka departament të marketingut e deri te përgjigjet që nuk i ka marrë kurrë për kërkesat në qasje për dokumente zyrtare sa u përket procesverbaleve të mbledhjeve të Këshillit Drejtues. Ka pasur shumë akuza. Ka thënë se partia së cilës i takon ministri Çeku ka bërë fushatë, duke thënë se hajnat do të jenë në burg.

“Hajnat janë aty, nuk janë në burg”, ka thënë ajo. Ka marrë një përgjigje me tone të ashpra nga ministri Çeku. Ai ka thënë se Zymi mund të prodhojë tituj sensacionalë gazetash, por nuk është duke treguar ndonjë gjë përmbajtjesore.

“30 a 40 veta nuk e kontrollojnë jetën kulturore siç po thoni ju”, ka thënë Çeku. E ka lutur që nëse ka dëshmi për hajni t’u drejtohet organeve përgjegjëse. Diskutimi midis tyre ka qenë i gjatë e pa ndonjë rezultat.

Në këtë rast, regjisori Florent Mehmeti, i cili e ka moderuar takimin, ka kërkuar që të ndryshohet rrjedha e të flitet për problemet e politikave teatrore. Disa herë e ka bërë këtë kërkesë.

E kur i ka ardhur radha regjisorit Sokol Plakolli, ai ka “inskenuar” një shfaqje të stilit të tij për afro 10 minuta. Ka ngritur 101 probleme. Ka shtruar në dysheme një lloj posteri me portretet e disa artistëve. Sipas tij, Ministria e Kulturës financon projekte jashtëligjshëm. Ka përmendur disa projekte. Është ankuar se si një përbërje e Këshillit Drejtues të TKK-së ia kishte hequr nga repertori shfaqjen e tij, “Karrigia e nxehtë”.

“Nëse Jeton Neziraj e Kushtrim Koliqi vijnë si drejtorë, drama serbe do të jetë e para e ajo shqipe e dyta”, ka thënë ai. Koliqi ka qenë i pranishëm, por dikur më vonë e ka lëshuar takimin. Me gjasë në shenjë pakënaqësie. Kur ka nisur të flasë ministri Çeku, Plakolli ka filluar t’i ndërhyjë e Çeku ka hequr dorë të bëjë replika me të. Ka treguar se e ka pritur edhe në zyrë.

Aktori Vedat Haxhiislami ka kërkuar llogari se përse nuk është pranuar në ansamblin rezident të TKK-së. Treshja Berisha, Zymi e Plakolli kanë qenë në sinkron me njëri-tjetrin. Edhe i kanë duartrokitur njëri-tjetrit.

“...ma ka bërë e ja kam bërë”

Dramaturgu e regjisori, Fadil Hysaj, ka ngritur disa probleme. Ka thënë se në këta 20 vjet shfaqjet mbyllen pas mandatit njëvjeçar dhe se ato duhet të jepen në pjesë të ndryshme të Kosovës. “Repertorët krijohen në mënyrën më të keqe të mundshme. Tekstet nuk lexohen fare”, ka thënë ai duke iu referuar teatrove publike. Infrastruktura e pavarësia financiare kanë qenë kërkesa të disa përfaqësuesve të teatrove të qyteteve. Pakkush ka folur për politika teatrore dhe për të ardhmen e skenës, me gjithë kërkesat e ministrit Çeku e moderatorit Mehmeti. Të pranishëm – me përjashtime, por edhe pse ishin nuk kanë folur – nuk kanë qenë shumica e atyre që kanë bërë emër në skenën teatrore në vend e edhe jashtë kufijve të Ballkanit.

“Krejt çka po dëgjoj janë emra, ‘ma ka bërë e ja kam bërë’”, ka thënë Çeku. Sipas tij, zgjidhje të shpejta nuk ka. Ka thënë se MKRS-ja çdo ditë menaxhon kriza dhe duhet punuar që të krijohet një sistem ku krijuesit janë më të lirë e më me pak burokraci.

“Nëse duam zgjidhje duhet të punojmë në mënyrë sistematike. Duhet t’i rimendojmë rregullat e lojës”, ka thënë ai në takimin ku fund e krye ka qenë larg asaj që ishte menduar të ishte. Ashtu siç ka nisur, “shfaqja” me komunitetin teatror edhe ka përfunduar: si një skenar i dobët me regji jashtë kohës e aktorë rolesh dytësore.