Kulturë

Restaurohet pianoja e fundit e Chopinit

Pianoja në të cilën kompozitori Frederic Chopin kishte luajtur për herë të fundit është duke u restauruar. Instrumentit të kompozitorit po i kthehen karakteristikat origjinale të mesit të shekullit XIX

Një ekspert, restaurues i pianos po i përdor të gjitha aftësitë e tij për të rikthyer në jetë këtë instrument historik. Pianoja ishte e fundit e përdorur nga Frederic Chopin për të kompozuar gjatë qëndrimit të tij në Paris. Instrumenti, tani ndodhet në Institutin “Frederic Chopin” në Varshavë.

“Ky është një instrument shumë i çmuar. Kjo është pianoja e fundit e Frederic Chopin, e prodhuar nga prodhuesi i famshëm i pianos në Paris dhe miku i Chopinit, Camille Pleyel. Ishte në dispozicion të Chopin prej vitit 1848 deri në vitin 1849”, ka thënë Aleksander Laskowski, zëdhënës i Institutit “Frederic Chopin”.

“Dhe më pas, pas vdekjes së Chopinit, instrumenti u ble nga studentja, nxënësja dhe shoqja e tij Jane Stirling, e cila ia dha motrës së Chopin, Ludwikes. Më pas ajo u soll në Varshavë”.

Chopeni ishte i sëmurë rëndë kur mori pianon. Ai vdiq në tetor të vitit 1849. Që atëherë, pianoja e tij u ka mbijetuar udhëtimeve të shumta dhe dy luftërave botërore. Por, ishte një restaurim i mëparshëm në vitet e 50-ta që ishte problemi i saj më i madh.

“Një piano vjetërsohet si çdo instrument muzikor, në krahasim me violinën që bëhet më e mirë me kalimin e moshës, një pianon druri thjesht humbet fleksibilitetin e saj dhe ju duhet ta rinovoni instrumentin”, ka shpjeguar Laskowski. "Kjo piano u rinovua në vitet e ’50 dhe në të u vendos një lloj i gabuar i telave”.

Restauruesi Paul McNulty ka për detyrë të plotësojë të çarat në tavolinën e zërit të pianos dhe të vendosë telat e duhur, të ngjashme me ato që kishte pasur në fillim. Ai është i sigurt se kjo do ta kthejë instrumentin në lavdinë e tij të mëparshme.

“I kishin vendosur telat modern dhe ishte shkatërruar toni. Dhe dikush tha në atë kohë: ‘Epo i gjithë instrumenti u shkatërrua’. Dhe më pas askush nuk e shikoi atë. Si një kufomë, kufomë shumë e rëndësishme, në zemër të koleksionit të këtij muzeu”, ka thënë ai. “Por në fakt është pianoja e markës ‘Pleyel’ më e ruajtur e asaj periudhë”.

McNulty do t’i marrë disa ditë për ta restauruar pianon. Pasi të ketë mbaruar, Instituti “Frederic Chopin” nuk ka ndërmend që ajo të mbetet në heshtje.

“Shpresojmë se tingujt e saj do të dëgjohen përsëri. Kështu, kjo do të jetë një mundësi për të dëgjuar tingujt e pianos së Chopin me shumë mundësi ashtu siç ai i dëgjoi kur i kompozoi”, ka thënë Laskowski.

Frederic Chopin u lind në Varshavë në vitin 1810 dhe vdiq në Paris kur ishte 39-vjeçar.