Kulturë

“Qyteza e humbur” për arratisje nga përditshmëria e politika

Fjala “pothuajse” e përshkruan krejt shfaqjen “Almost, Maine” (Pothuajse Maine) me tekst të John Carianit. Në shqip titulli është përshtatur “Qyteza e humbur”. Nën regji të Agon Myftarit komedia vjen para publikut me një stil shumë fin. Dashuria është thelbi. “Publiku i Prishtinës do të ketë mundësinë që për 1 orë e 10 minuta sa zgjat kjo shfaqje t’u largohet mendërisht e shpirtërisht halleve të përditshme, presionit të politikës që ka kapluar pamëshirshëm çdo skutë të shoqërisë sonë”, ka thënë Myftari

Për ata që duan t’i ikin rutinës ditore me obligimet e punës, situatën me koronavirusin e çka jo tjetër, adresa është teatri “Dodona”. Ky institucion teatror ka gjetur mënyrën që për një orë e dhjetë minuta audiencën ta zhvendosë larg këtyre anëve. Ta çojë diku kah veriu i Kanadasë. E ta fusë në historinë e disa dashuriçkave që ngjajnë në një klimë pothuajse polare.

Fjala “pothuajse” e përshkruan krejt shfaqjen “Almost, Maine” (Pothuajse Maine) me tekst të John Carianit. Në shqip titulli është përshtatur “Qyteza e humbur”.

Nën regji të Agon Myftarit komedia vjen para publikut me një stil shumë fin sa u përket situatave e dialogëve. Në 11 skena të vogla personazhet që interpretohen nga Arta Lahu, Ermal Sadiku, Leonit Maloku, Molikë Maxhuni, Vjosë Tasholli e shëtisin publikun nëpër pothuajse çdo ndodhi. Ka çifte të dashuruara, aso që nuk janë takuar kaherë e deri tek ato që nuk dinë ta shprehin atë që mendojnë. Batutat e situatat qesharake në tekst të autorit dhe në konceptin regjisorial janë të vlefshme vetëm për ata që janë në sallë. Nuk nxirren jashtë, kur situatat rrëfehen apo komentohen e humbin kuptimin.

Dy të rinj të dashuruar flasin se si janë krejt afër njëri-tjetrit fizikisht. Por djaloshi thotë se njëkohësisht janë shumë larg nëse distanca matet nga ana e kundërt e në këtë rast merret parasysh bota si planet i rrumbullakët. Situatat që nxisin të qeshura janë të panumërta.

Image
Dy të rinj të dashuruar flasin se si janë krejt afër njëri-tjetrit fizikisht. Por djaloshi thotë se njëkohësisht janë shumë larg nëse distanca matet nga ana e kundërt e në këtë rast merret parasysh bota si planet i rrumbullakët

Maine është njëfarë qyteti i çuditshëm pasi nuk u bë kurrë qendër urbane. Banorët nuk arritën organizoheshin sa duhet. Për këtë edhe autori e cilësoi si një “Pothuajse Maine”. Krejt skenat zhvillohen në një natë të ftohtë e të kthjellet dimri. Banorët e gjejnë veten duke u dashuruar në mënyrat më të çuditshme. Por njësoj çuditshëm edhe u japin fund lidhjeve të tyre. Situatat ndërrojnë shpesh sikurse skenat dhe secila prej tyre vjen me humorin e hollë.

Dramaturgu Jeton Neziraj ka thënë se bëhet fjalë për një komedi të shkëlqyeshme. Sipas tij, Agon Myftari është mjeshtër i punës me aktorë e në këtë rast edhe mjeshtër i një humori shumë specifik dhe fin.

“Mendoj që është fat për ata aktorë që kanë punuar me Agonin”, ka thënë ai.

Vetë regjisori pas premierës së të martës mbrëma ka thënë se në një teatër të qytetit si “Dodona”, ku rishtazi janë punësuar pesë aktorë të brezit të ri, ishte ideja që të bëhej një shfaqje e mbrëmjes ku do të prezantohej ky ansambël.

“Ideja gjithashtu ishte të punohej një komedi-drame, që ndryshe nga disa shfaqje të tjera, të cilat godasin fenomene të shoqërisë sonë duke na i kujtuar problemet e përditshme, përmes ‘qytezës së humbur’ të ‘udhëtohej’ në një botë të largët imagjinare, por që prek tema e çështje universale si dashuria, për të cilën po kemi më së shumti nevojë”, ka thënë ai.

Vetë Myftari zakonisht realizon shfaqje të cilat godasin fenomene vendore e përtej shihen si pika të dobëta të shoqërisë e sistemit në vend. Por kësaj radhe është “arratisur” nga ai lloj teatri ku ka bërë goxha emër.

“Kësisoj publiku i Prishtinës do të ketë mundësinë që për 1 ore e 10 minuta sa zgjat kjo shfaqje t’u largohet mendërisht e shpirtërisht halleve të përditshme, presionit të politikës që ka kapluar pamëshirshëm çdo skutë të shoqërisë sonë”, ka thënë Myftari.

Shfaqja përfundon ashtu sikurse edhe nis, me një çift që herë e gjen e herë e humb njëri-tjetrin. Realisht në këtë komedi secili është i humbur në mënyrën e tij. Por krejt janë të lumtur.