Kulturë

Dhjetëra zotime përballë kërkesave të artistëve pamorë: prej ligjit për kulturë deri te muzeu

“Në vizionin e MKRS-së parashohim mbështetje të vazhdueshme për galeritë, rritje të vazhdueshme të financave për organizatat, festivalet e të tjera. Me ligjin unik të kulturës do të rregullohet financimi i kulturës së pavarur. Si titull pune po e quajmë fond për kulturë që do të ketë një bord të pavarur”, ka dhënë ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, në “Diskutim me komunitetin e arteve pamore”

Dhjetëra zotime të ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, janë dhënë përballë kërkesave të komunitetit të artistëve pamorë. I pari i kulturës asnjëherë nuk ka qenë i prerë përballë kërkesave. Në atë që është quajtur “Diskutim me komunitetin e arteve pamore”, ministri Çeku ka thënë se as nuk do të ketë qëndrime përfundimtare sa u përket politikave të MKRS-së për këtë fushë, pasi është komuniteti ai që duhet t’i bëjë politikat nëpërmjet MKRS-së.

Në takimin dy-orësh të mbajtur të enjten mbrëma në “Kino Armatë”, ministri Çeku ka thënë se prej marsit kur edhe ka marrë detyrën, MKRS-ja ka bërë disa gjëra.

Ka treguar se publiku ka hapur thirrjen e parë publike për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie. Më pas ka përmendur hapjen e thirrjes publike për blerjen e veprave të artit pamor.

“Do të kemi dy komisione që do të bëjnë vlerësimin dhe besoj në dhjetor kryhet”, ka thënë ai. Sipas Çekut, këtë vit MKRS-ja në përgjithësi është duke e mbështetur artin pamor me 410 mijë euro.

“Kemi iniciuar hartimin e Statutit të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Kemi iniciuar procesin e reformimit ligjor duke filluar me një koncept-dokument për ligjin për kulturën”, ka thënë ai. Ka sqaruar se synimi është që ky ligj t’i zëvendësojë ligjet e tjera pos atij për kinematografi. Ka treguar për vazhdimin e nismës së kahershme për hartimin e strategjisë kulturore. Rinovimi i fondusit të GKK-së dhe synimi për hapësira të reja për këtë institucion në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në kryeqytet janë muhabet më vete. Ministri Çeku ka thënë se ka nisur puna për kërkesë që muzeu i artit bashkëkohor të financohet nga fondet IPA të Komisionit Evropian. Ka thënë se duhet të shihet mundësia nëse duhet ndonjë objekt i ri apo të adaptohet ndonjë që veç ekziston. Bëhet fjalë për projektin e kahershëm kapital të MKRS-së që kurrë nuk ka marrë epilog e as nuk ka lokacion. Një projekt për këtë ishte punuar para më shumë se një dekade nga arkitekti Bujar Demjaha dhe ishte paguar 20 mijë euro.

“Në vizionin e MKRS-së parashohim mbështetje të vazhdueshme për galeritë, rritje të vazhdueshme të financave për organizatat, festivalet e të tjera. Me ligjin unik të kulturës do të rregullohet financimi i kulturës së pavarur. Si titull pune po e quajmë fond për kulturë që do të ketë një bord të pavarur”, ka thënë ai.

Eshref Qahili e Shyqri Nimani kanë ngritur çështjen e Kolonisë së Artistëve në Bardhosh të Prishtinës. Ministri Çeku ka thënë se nuk është marrë shumë me këtë projekt, por sipas zyrtarëve të MKRS-së, që ishin prezentë, do të bëhet një auditim për këtë çështje.

Për Koloninë e Artistëve që ndodhet në fshatin Bardhosh − e projektuar më 2003, për të cilën punimet nisën më 2009 e s’u përfunduan − shteti deri më tani ka derdhur rreth 800 mijë euro. Por, Qendra e Arteve e Kosovës më 2018 kërkonte edhe 110 mijë euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë e Sportit, për ta mbuluar një pjesë që ka mbetur pa kulm dhe për ta rregulluar infrastrukturën. Ishte llogaritur që artistët më pas të japin nga 5 mijë euro për rregullimin e atelieve të tyre. Toka ishte ndarë nga Komuna e Prishtinës.

Më pas ministrit i është kërkuar që Qeveria të bëjë lehtësime për biznesmenë që duan të blejnë vepra të artit në mënyrë që të hapet tregu. Ministri Çeku ka paralajmëruar që së bashku me Ministrinë e Arsimit do të nisin një program që për titull pune ka “Artin dhe nxënësit”.

“Duhet t'i edukojmë gjeneratat e ardhshme që arti duhet të jetë pjesë e jetës”, ka thënë ai. Ka paralajmëruar emërimin e atasheve kulturorë në disa ambasada të Kosovës nëpër botë. Një marrëveshje për këtë ishte nënshkruar edhe në përbërjen e kaluar qeveritare midis MKRS-së dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme. Mundësinë e hapjes së qendrave kulturore në kryeqytetet botërore, ministri Çeku e ka përmendur si mundësi të bashkëpunimit me Shqipërinë.

Piktorja Zake Prelvukaj ka thënë se ka mungesë të profesionistëve si restauruesve e menaxherëve të artit.

Por, sipas ministrit Çeku, Fondi kulturor nuk nënkupton vetëm financim të aktiviteteve, por edhe bursa për kuadro të nevojshme. Kërkesat e rreth 40 vetave në sallë ishin të shumta. Por, ministri Çeku ka thënë se krejt nismat janë në fillim dhe kontributi i komunitetit do t’i plotësojë ato. Sa i përket Ligjit për kulturë, ka thënë se llogarisin që në fund të vitit të ardhshëm të jetë i gatshëm.