Kulturë

“Më i mirë ish varri, sesa mos me ditë” – tempull për të pagjeturit

Fati i të pagjeturve, pritjet, ankthi, shpresa dhe humbja e saj...bëhen bashkë në dramën, e cila zë fill që nga lufta e fundit në Kosovë dhe ende s’ka përfunduar. Si një rrëfim më vete, përkthehet mjeshtërisht në vepër artistike, prej artistit Driton Selmani e kuratores Blerta Hoçia. “Më i mirë ish varri, sesa mos me ditë”, është deklarata e njërës prej shumë familjarëve që edhe sot presin më të dashurit e tyre. Dhe një shpresë a fundshprese, bëhen pikënisje e ekspozitës

Aspak i lehtë, i brishtë dhe i ndejshëm, ka qenë i tërë procesi i realizimit të ekspozitës “Më i mirë ish varri, sesa mos me ditë”. Gjithçka kishte nisur në nëntor të vitit të kaluar. Treshja – artisti Driton Selmani, kuratorja Blerta Hoçia dhe koordinatori i ekspozitës dhe hulumtuesi Dardan Hoti – kishin marrë përsipër të interpretonin dramën e familjeve të të pagjeturve nga lufta e fundit në Kosovë, duke potencuar se ajo është diçka me rëndësi që duhet vënë në pah edhe me domosdonë e reagimit.

Pas fazës së hulumtimit, prezantimit të konceptit kuratorial dhe artistik dhe vendimit mbi metodologjinë dhe natyrën e ekspozitës, kishin nisur kërkimin e një hapësire ku do të mund të plasonin idenë e tyre tashmë të konkretizuar. Salla e Ateliesë në Pallatin e Rinisë dhe Kulturës u bë nikoqire e ekspozitës që vjen si dipktik.

Harresa e përkthyer në dëshirë e thirrje

Vizitorët kanë vetëm një hyrje që shërben edhe si dalje. Një tunel i ngushtë me skedina të gozhduara. Në to janë të shënuara të dhënat bazike për 1 mijë e 622 të pagjetur, sipas të dhënave të fundit nga lista e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Brenda, në hapësirën plotësisht të errët, janë të vendosura 12 orë digjitale që qëndrojnë të varura në ajër. Numërojnë kohën e saktë kur për herë të fundit u panë 12 persona që janë pjesë e listës së gjatë të të pagjeturve tash e 21 vjet. Trysnia që krijojnë ditët, orët, minutat e sekondat është e madhe. Tregojnë kohën që ka ikur, që vazhdon të ikë e sikur thërrasin për veprim. Në anën tjetër, 10 gurët e ftohtë të mermerit janë si një varr a tempull prehjeje.

Në këtë ekspozitë, e kaluara, e tashmja dhe e ardhmja janë linja paralele që zhvillohen në të njëjtën kohë.

Artisti i kësaj ekspozite, Driton Selmani, ka thënë gjatë gjithë kohës se kanë dashur që të ruajnë trajtën minimaliste të gjithë kësaj drame.

“Nuk është e lehtë për një artist të interpretojë dramën e të tjerëve. Kemi parë shumë storie, kemi parë shumë mungesë, kemi parë shumë shtresime të harresës dhe harresa si e tillë është përkthyer në dëshirë, e cila është dëshirë shpeshherë shumë abstrakte, por edhe e brishtë dhe e dhimbshme e çdo familjari, i cili edhe sot ëndërron në një mënyrë ose tjetrën që të zhdukurve të tjerë t’u marojnë një varr”, ka thënë Selmani.

Duke e parë këtë si mision të pamundur e të vazhdueshëm edhe për shkaqe politike dhe sociale, treshja ka dashur që së paku të realizojë një hapësirë ku për një moment të caktuar të ketë një varr të përkohshëm për njerëzit që presin për varrin e përhershëm.

Image
Vizitorët kanë vetëm një hyrje që shërben edhe si dalje. Një tunel i ngushtë me skedina të gozhduara. Në to janë të shënuara të dhënat bazike për 1 mijë e 622 të pagjetur

“Në të njëjtën kohë, duke e ditur se muri ka peshë specifike shumë të rëndë, por edhe është shumë i ftohtë, njëjtë sikur edhe ndjenja e vetë ekspozitës, kemi dashur që të përfshijmë edhe elementin e kohës dhe tensionit kohor që mbizotëron çdo sekondë te familjarët, të cilët presin çdo sekondë që fati i të zhdukurve me u zgjidh”, ka thënë ai.

E gjithë kjo hapësirë, sipas tij, është e errët njëjtë edhe si storia për ta.

“Ka shumë terr dhe terrni, dhe ka hapësirë më shumë për me reflektu dhe është një vend prehjeje ndoshta për vizitorët dhe me reflektu mbi këtë zjarr shumë të madh që vazhdon me djeg shumë shpirtra dhe vazhdon me i mbytë edhe njëherë krejt këta familjarë që janë të keqtrajtuar dhe jo shumë të dëgjuar për kërkesën shumë njerëzore të tyre”, ka thënë ai.

Shpresa makabre si fund i pikëllimit

E sipas kuratores Blerta Hoçia, të dhënat që shihen në hyrje janë të dhëna jo vetëm të personave thjesht të zhdukur. Janë të dhëna të personave që janë të zhdukur me forcë, të rrëmbyer, të ekzekutuar dhe pastaj të fshehur në varre masive.

“Kjo ekspozitë përballet me shumë mungesa, në radhë të parë me të dhënat që po flasim e të cilat nuk janë të plota, si për ne që jemi një publik, por aq më shumë për familjarët që i presin”, ka thënë ajo.

Titulli i ekspozitës “Më i mirë ish varri, sesa mos me ditë”, është nxjerrë nga deklarata prej bisedës me Kumrije Jahmuratajn, një në mesin e shumë familjarëve që edhe sot presin më të dashurit e tyre.

“Kjo frazë është aq e rëndë, por sa është e rëndë aq është edhe e vërtetë, sepse e shpreh pikërisht atë fundin e shpresës, atë fundin e pikëllimit, atë që nuk mund të jetë më shumë se kaq. Pra, kërkesa dhe shpresa për të pasur më mirë një varr, sesa mos me ditë asgjë. Dhe kjo është ajo shpresa makabre që i pret të gjithë familjarët, për aq sa ne mund të dimë, për aq sa neve na lejohet të dimë”, ka thënë Hoçia.

Sipas saj, kjo ekspozitë merr një rol të vështirë dhe gati bëhet si një varr i shumë dëshiruar në njëfarë mënyre për ta mbyllur këtë pritje, gati edhe në një mënyrë utopike, sepse kjo pritje nuk është e mbyllur.

“Vepra e artistit Driton Selmani përballet pikërisht me këto mungesa që ne flasim dhe me këto shumësi mungesash, vetë e kaluara është një mungesë, sepse është një mungesë e pranisë, edhe vepra në vetvete mundohet të përballet me këtë mungesë të pranisë dhe se si ta shfaqë atë prani që nuk është më, por që ekziston vetëm në memorien dhe në kujtimet e familjarëve”, ka thënë ajo.

Familjarët janë ata që preken me së shumti nga kjo ekspozitë. Për ta, orët që ecin, por veçanërisht fletët e bardha të gozhduara në mure, nuk janë veç të dhëna. Ato ngjallin kujtime të shumta, njëlloj si të Albana Burrnikut nga Kaçaniku.

“Është një temë që akoma është prezent në shoqërinë tonë, shumë e ndjeshme për shoqërinë tonë, por është shumë mirë që të ceket e të shfaqet. Emocionin më të madh kjo ekspozitë ma dha kur e gjeta emrin e disa familjarëve, gjyshit nga nëna, edhe djalit të dajës, e që ua mbaj mend fort mirë fytyrat e tyre. Shpresoj që sa më shpejt të zbardhet fati i tyre, por edhe i personave të tjerë”, ka thënë ajo.

Me sytë e mbushur me lot, ajo shihte të dhënat e shkruara për Vedat Beqën dhe Reshat Beqën.

Ekspozita është realizuar nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë dhe Kosovo 2.0

Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë (FDHK), që nga viti 1997 merret me dokumentimin e viktimave të krimeve të luftës dhe shkeljeve të tjera të rënda të të drejtave të njeriut.

Dardan Hoti, koordinator i ekspozitës dhe hulumtues, ka treguar se në realizim janë fokusuar në gjendjen e familjarëve dhe udhëtimin që ata kanë bërë, prej kohës kur u mungon personi më i dashur i familjes e deri më tash.

“Ekspozita është pjesë e një projekti që përveç ekspozitës do të dalë edhe një analizë, e cila ka analizuar komplet procesin prej ‘98 deri më tash, veçanërisht përgjegjësinë e të gjithë institucioneve vendore, por edhe ndërkombëtare. Pra, çfarë kanë bërë dhe çfarë kanë punuar sa i përket zbardhjes së fatit të personave të pagjetur”, ka thënë Hoti, njëherësh pjesë e FDHK-së.

“Më i mirë ish varri, sesa mos me ditë”, ka tërhequr vëmendjen edhe të të huajve që jetojnë në Kosovë mes tyre edhe Michela Lovato, studente italiane e cila po jeton momentalisht në Pejë.

“Dëgjova për këtë ekspozitë dhe isha shumë kurioze, pasi që ani pse po jetoj këtu nuk është se di shumë gjëra për Kosovën edhe pse është shumë afër me Italinë dhe mendoj se duhet njohur më shumë. Ekspozita më krijoi atë ndjenjën se e tëra që ka ndodhur është akoma e freskët te njerëzit. Kur i shihja orët që ecnin e dija që ka ndodhur diçka e keqe, pra po mendoja më shumë për të tjerët dhe çfarë kanë përjetuar”, ka thënë ajo.

Ekspozita është e hapur për vizitorët deri më 31 janar.