Kulturë

Pikturat e Banksyt në shitje edhe për kriptovaluta

Descriptive Text

Një grup burrash, që mbajnë shtiza në duar dhe disa karroca marketesh, shihen në një pikturë të artistit britanik, Banksy. Vepra e artit, e pikturuar 16 vjet më parë, tash duket më e rëndësishme sesa kurrë, pasi konsumerizmi dhe ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu i dominojnë agjendat e lajmeve.

Kjo vepër tani do të nxirret në ankand për herë të parë.

“Sotheby's” vlerëson se çmimi i shitjes është midis 5 dhe 7 milionë dollarë, pasi veprat e Banksyt janë shumë të kërkuara. Dhe, për herë të parë, shtëpia e ankandeve thotë se do të pranojë oferta të drejtpërdrejta në “Ether”, kriptomonedha e dytë më e madhe në botë për nga vlera e tregut, pas “Bitcoinit”.

Shtëpia e ankandeve thotë se është hera e parë që një kriptomonedhë do të përdoret si monedhë standarde për ofertën për vepra arti fizike në kohë reale gjatë një ankandi të drejtpërdrejtë.

“Trolley Hunters”, 2015, është një vepër që Banksy e pikturoi për ekspozitën e tij “Barely Legal”, që u hap në Los Angeles në vitin 2006. Është një vepër e pikturuar me dorë në kanavacë në shkallë të gjerë, që përshkruan një fis gjuetarësh, duke ngritur shtizën e tyre drejt një grupi karrocash për blerje.

“Në atë kohë, ajo u pikturua si një aktakuzë e kulturës konsumeriste dhe si një shprehje se sa larg kemi arritur si qenie njerëzore nga shpirti ynë origjinal njerëzor”, ka thënë Alex Branczik, nga në “Sotheby’s”.

Sipas tij, tema e pikturës, konsumizmi pasqyron çështjet me të cilat përballet bota sot.

“Unë mendoj se gjëja më e mahnitshme për shumë vepra të Banksyt është se sa parashikuese janë ato. Dhe gjersa kjo u pikturua në atë kohë si një akuzë ndaj konsumerizmit, mendoj se kur e shikon këtë pikturë sot, në një kohë kur e din se bota gati ka ndalur për shkak të mosfunksionimit të zinxhirit të furnizimit, ju keni radhë në porte, keni raftet e blerjeve të zbrazëta, pa letra higjienike, keni pika karburanti pa karburant. Ju keni presidentin e Shteteve të Bashkuara në këmbë, në kamera duke thënë se disa lodra nuk do të jenë në rafte këto Krishtlindje. Mendoj se ironia këtu është se kjo foto me të vërtetë tregon sesi brishtësia e vërtetë e kulturës sonë konsumeriste dhe sesi besimi ynë i verbër, i mëparshëm i verbër në konsumerizëm, po tronditet në të vërtetë, në thelb, nga kjo krizë aktuale”, ka thënë Branczik.

“Associated Press” pati qasje ekskluzive në pikturën, gjersa ajo po vendosej në zyrën e “Sotheby's” në Londër, përpara se të dërgohej në New York, ku edhe do të dalë në ankand.

“’Trolley Hunters’ do të jetë një nga veprat kryesore të ankandit të titulluar në New York . Ajo është një shitje e rëndësishme. Është hera e parë që ne po shesim vepra bashkëkohore të shekullit të 21-të në formatin e shitjeve të mbrëmjes. Vepra do të shitet së bashku me veprat kryesore nga Yoshitomo Naro, Lisa Brice, Mark Bradford, disa nga emrat me të mëdhenj të piktorëve sot. Dhe unë mendoj se me këtë vepër, ju e dini, Banksy është me të vërtetë ‘Zeitgeisti’. Disa javë më parë në Londër, ne shitëm veprën e copëtuar ‘Love is in the bin’ për më shumë se 18 milionë funta. Vlerësimi për këtë pikturë është 5 milionë dollarë deri në 7 milionë dollarë dhe presim të shohim sesi do të ecë”, ka thënë Branczik.

Me një kuptim kaq të fuqishëm të përcjellë në këtë kanavacë, publiku mund të pyesë veten sesi kjo kritikë e konsumerizmit nuk vlen edhe për industrinë e artit bashkëkohor.

“Unë mendoj se është për habi për vetë Banksyn që veprat e tij janë bërë kaq të vlefshme. Dhe unë mendoj se si artist, ai jep shumë nga të ardhurat e tij për bamirësi dhe bën shumë gjeste të mëdha në mbarë botën. Kështu, mendoj për të, sigurisht që duhet të jetë kështu. Por ju duhet ta pyesni atë. Unë nuk mund të flas në emër të tij", ka thënë Branczik.

Ironikisht, udhëtimi i pikturës për në ShBA u desh të vonohej për disa ditë për shkak të mungesës së fluturimeve për mallra në distanca të gjata.

Së bashku me “Trolley Hunters”, “Sotheby’s” ka bërë të ditur se do të pranojë gjithashtu oferta të drejtpërdrejta për “Ether” edhe për veprën tjetër të Banksyit, “Love Is In The Air” të vitit 2006.

Shtëpia e ankandeve thotë se ndërsa ofertimi për të dyja veprat do të shpallet në “Ether”, ofertuesit që do të fitojnë do të kenë mundësinë ta paguajnë çmimin për vepër në monedhë të rregullt, të emetuar nga qeveria, si dollarë amerikanë, ose në njërën nga tri kriptovalutat.