Kulturë

Panairi i Librit në Tiranë, në hap me traditën e takimit me lexuesin

“Qëllimi ynë janë lexuesit, të cilët janë objekti dhe subjekti i të gjithë punës sonë. Ne jemi të bindur që me lexim, me libra, me kulturë Shqipëria do të shkojë përpara. Këtë vit jemi rikthyer në traditën tonë me një dëshirë të madhe për të rifilluar”, ka thënë Petrit Ymeri, kryetari i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë, në hapjen solemne të Panairit të Librit në Tiranë. “Janë nja 25 shtëpi botuese nga Kosova që marrin pjesë. Gjithnjë e më prezente Kosova në Panair”, ka thënë kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli

Rreth 90 botues nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut e Mali i Zi janë bërë bashkë në Panairin e Librit në Tiranë, i cili pas dy vjetësh ndërprerjeje, rikthehet në formatin fizik. Ani pse me një numër më të vogël botuesish pjesëmarrës, në hapjen solemne të edicionit të 24-t të kësaj ngjarjeje, të mërkurën në Pallatin e Kongreseve, është çmuar rilidhja e shtëpive botuese me lexuesin, shkrimtarët e me botën e librit në përgjithësi. Përkundër pjesëmarrjes më të ulët, titujt e rinj janë të shumtë. Panairi po zhvillohet nën masat anti-COVID.

Në ditën e parë të këtij aktiviteti kulturor të pranishmit ishin nga të gjitha moshat, të cilët i bëri bashkë interesi për librin, por botuesit presin fluks më të madh në ditët në vazhdim.

“Qëllimi ynë janë lexuesit, të cilët janë objekti dhe subjekti i të gjithë punës sonë. Ne jemi të bindur që me lexim, me libra, me kulturë, Shqipëria do të shkojë përpara. Ne jemi të bindur që rruga e vetme është kultura, leximi, libri i cili shërben dhe është i domosdoshëm më shumë se çdo lloj restaurimi tjetër. Këtë vit jemi rikthyer në traditën tonë me një dëshirë të madhe për të rifilluar”, ka thënë Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve të Shqipërisë. Sipas tij, Panairi i Librit në Tiranë mund të konsiderohet aktiviteti më i madh në çdo pikëpamje, jo vetëm numerike, por edhe kulturore që zhvillohet në Shqipëri. “Ajo që është me rëndësi është që ka qindra të rinj të një cilësie të mirë. Prurjet janë qoftë nga letërsia bashkëkohore shqiptare, por pjesën më të madhe është vërshimi që vjen me autorë të shquar nga e gjithë bota”, ka thënë Ymeri. E domosdoshme ka qenë ngushtimi i hapësirës ekspozuese me 25 për qind, që ka rezultuar edhe me numrin e shtandeve.

“Ndaj kemi pasur më pak të ardhura nga arkëtimet për shitjet e stendave”, ka thënë Ymeri.

Kryetari i Shoqatës së Botuesve të Kosovës, Edon Zeneli, ka thënë se ka pasur goxha interesim nga botuesit e Kosovës për pjesëmarrje në Panairin e Tiranës. “Janë nja 25 shtëpi botuese nga Kosova që marrin pjesë. Gjithnjë e më prezente Kosova në Panair”, ka thënë Zeneli, të mërkurën në ditën e hapjes. “Dita e parë duket e qetë, e kuptueshme. Presim prej nesër sesi po ecin gjërat”, ka thënë Zeneli.

dy vjet që Prishtinës, për shkak të pandemisë, i mungon Panairi i Librit, që organizohet në qershor. Në Tiranë, sipas Zenelit, Shoqata e Botuesve e Kosovës me ndihmën e Ministrisë së Kulturës ka ndihmuar botuesit që janë në Panair. “Ka siguruar edhe hapësirë për botuesit e vegjël”, ka thënë Zeneli.

Panairi i fundit i librit në Tiranë, përpara se të viheshin kufizimet për shkak të pandemisë COVID-19, u mbajt më nëntor të vitit 2019. Ndërkohë në edicionin e vitit 2020, për shkak të masave kufizuese, shtëpitë botuese dhe libraritë u munduan të gjejnë mënyra alternative, duke e zhvendosur panairin në një platformë online.

“Gjatë pandemisë ne funksionuam online nëpërmjet platformës ‘Bukinist’, por nuk ishte e njëjta gjë. Blerjet pothuajse ranë nën përgjysmim”, ka thënë Mariglena Kurtaj, përfaqësuese e shtëpisë botuese UEGEN. Ajo ka shtuar se në panairin e sivjetshëm ata po prezantojnë vetëm 70 për qind të titujve të tyre, pasi po aplikohen kufizime mbi numrin e librave të ekspozuar, si pasojë e sipërfaqes së reduktuar, që disponon çdo shtëpi botuese, për shkak të masave mbrojtëse ndaj COVID-19. Deri në datën 21 nëntor, qytetarët do të kenë mundësi të përfitojnë nga ulja e çmimeve që, sipas botuesve, shkon deri në 50 për qind. Edhe në këtë edicion nuk do të mungojnë edhe çmimet e përvitshme, për autorin më të mirë, përkthyesin dhe studiuesin më të mirë të vitit. Kryetare e jurisë do të jetë Anila Mullahi, ndërsa anëtarë do jenë gazetari Enkel Demi, gazetarja e kulturës Aida Tuci, Albana Nexhipi-Lekaj, përkthyese dhe pedagoge dhe Xhimi Lazri, përkthyes. Gjatë do të organizohen edhe eventet online me autorët, botuesit, përkthyesit dhe studiuesit, si pjesë e traditave të krijuara një vit më parë nga Panairi i Librit Online, nga Festivali i Librit dhe nga “Book Fest”, aktivitete ku gjatë pesë ditëve të panairit fizik, së bashku me Shoqatën e Botuesve Shqiptarë, do të transmetohen live përmes rrjeteve sociale, Facebook, Instagram dhe Youtube, biseda për librin dhe lexuesin, duke sjellë këndvështrime dhe ide për tregun e librit dhe promovimin e tij.