Kulturë

Muzika klasike si strehë shpëtimi në kohën e nazistëve

Descriptive Text

Kur 17-vjeçarja Anita Lasker-Wallfisch qëndroi para laurës në hyrje të kampit “Auschwitz-Birkenau”, ajo ishte e sigurt se e priste vdekja.

Ishte dhjetori i vitit 1943, dhe ajo kishte parë tashmë se prindërit e saj ishin dëbuar, më pas zhdukur. “Pra, kjo është tani ndalesa e fundit”, ka treguar Lasker-Wallfisch, tani 96-vjeçare.

Kur një oficer e pyeti se çfarë bënte, ajo u përgjigj e frikësuar: “Unë luaja violonçel”. Pak çaste më vonë, asaj iu afrua drejtuesja e orkestrës së vajzave të kampit të përqendrimit të sapo themeluar, Alma Rose. “Isha e frikësuar, e ngurtë, e zhveshur dhe Alma Rose më pyeti: ‘Ku dhe çfarë studiove?’. Ishte një bisedë e çmendur”.

Në një intervistë për dokumentarin e ardhshëm muzikor të DW – “Der Klang der Diktatur — Klassik unterm Hakenkreuz” ("Tingulli i diktaturës - Muzika klasike nën Svastikë"), me skenar dhe regji të Christian Berger e Lasker-Wallfisch kujton se si violonçeli ia shpëtoi jetën.

Ajo u pranua në orkestrën që kishte 56 anëtare nga kampi. “Ne ishim fëmijë dhe amatorë”, ka treguar ajo.

Rose, mbesa e kompozitorit hebre Gustav Mahler, e cila u etiketua “e degjeneruar” nga nazistët, aranzhoi vetë vepra për trupën muzikore. Marshimet ishin veçanërisht të kërkuara; orkestra luante për punëtorët në portën e kampit të grave çdo mëngjes dhe mbrëmje, edhe në acar.

Edhe pse violonçelistja u kursye nga puna ndëshkuese fizike, ajo nuk ndihej e sigurt. “Ata nuk do të na dërgojnë në dhomën e gazit vetëm për sa kohë që duan muzikë. Është vetëm një pushim”, mendonte ajo.

Por, pse nazistët luanin muzikë për të burgosurit që i vranë? “Ky mentalitet është aq i çoroditur sa është i vështirë për t’u kuptuar, por është thelbësor: muzika dhe artet u përdorën si pjesë e makinës së vrasjes", ka thënë Norman Lebrecht për DW. Dhe i gjithë institucioni muzikor dhe profesioni i muzikës në Gjermani ose mbylli një sy ose ishte bashkëpunëtor.

Gazetarja britanike e muzikës ka shumë vjet që studion rolin e muzikës klasike në kohën e nazistëve. “Kultura ishte një hile për të justifikuar sundimin nazist në Gjermani” - ishte një lloj mbulesë për nazistët, thekson Lebrecht. “Ata mund të thonë, ne jemi një komb me kulturë, ne jemi një popull me kulturë. Ju nuk mund të dyshoni se ne po bëjmë diçka që është jokulturore”.

Vetë Hitleri ishte i vetëdijshëm për fuqinë e muzikës. “Është e sigurt që muzika duhet trajtuar si formësuesja më e madhe e ndjenjave dhe ndjesive që lëvizin mendjen”, kishte thënë ai në Kongresin e Partisë së tij më 1938.

Realiteti cinik ishte se megjithëse kompozitorët dhe muzikantët hebrenj u përjashtuan dhe u vranë, nazistët si doktori i kampit të përqendrimit Josef Mengele, dëgjonin pjesë të muzikës klasike kompozuar nga hebrenjtë, përfshirë Lasker-Wallfisch.

Madje edhe koleksioni privat i disqeve të Hitlerit thuhet se ka përfshirë incizime të muzikantëve hebrenj.

Dokumentari i ri muzikor i DW trajton këto kontradikta dhe, për herë të parë, përmbledh ngjarjet e muzikës klasike që lidhen me Rajhun e Tretë në tërësinë e tyre.

Dy personazhet kryesore të filmit përfaqësojnë jetën muzikore nën pushtetin e nazistëve në mënyra shumë të ndryshme: dirigjenti i yjeve Wilhelm Furtwängler bëri një pakt me nazistët, ndërsa Lasker-Wallfisch mbijetoi falë talentit të saj muzikor.

Kjo periudhë dramatike në histori është sjellë në jetë përmes pamjeve filmike historike që janë restauruar në mënyrë digjitale dhe janë ngjyrosur me kujdes.

Dokumentari përfshin imazhe të Hitlerit në Festivalin në Bayreuth, koncertin e Furtwängler për ditëlindjen e Führerit, kompozitorin Richard Strauss në hapjen e Lojërave Olimpike të vitit 1936 dhe pamjet e violonçelistit Lasker-Wallfisch duke u intervistuar nga gazetarët britanikë pas çlirimit të kampit të përqendrimit “Bergen-Belsen”, ku ajo u internua pak para përfundimit të luftës.

Lasker-Wallfisch ende mund ta kujtojë shumë mirë këtë moment. 19-vjeçarja e atëhershme donte që e gjithë bota të dinte për mizoritë e kryera kundër hebrenjve. “Ajo që po përpiqesha të përshkruaj ishte në fakt e pabesueshme. Si e përshkruani Bergen-Belsen? Ju ecni mbi kufoma. Është e pamundur të përshkruhet”.

Në vitin 1946, violonçelistja emigroi në Britani. Ajo nuk e vizitoi më Gjermaninë deri në vitin 1994. Me dekada ajo nuk bisedoi për atë që kishte përjetuar, kështu ajo tregon gjerësisht përvojat e saj në vitet e fundit. Përveç leksioneve të shumta, ajo mbajti edhe një fjalim mbi temën e antisemitizmit në gjerman në vitin 2018.

Anita Lasker-Wallfisch nuk është e hidhëruar dhe nuk mban mëri. Pavarësisht tmerreve të paimagjinueshme që ajo duroi, një gjë ishte gjithmonë aty për të: muzika. “Ata nuk mund ta shkatërronin atë! Muzika është muzikë”, thotë ajo. "Është e paprekshme".