Kulturë

Ministria e Kulturës reprizon projektet në planet për vitin e ardhshëm

Descriptive Text

Sipas Projektligjit mbi ndarjet buxhetore të vitit 2022, Ministria e Kulturës do të ketë buxhet më të lartë. Është planifikuar të ketë 38 milionë e 59 mijë e 109 euro. Në raport me buxhetin e këtij viti, kur i kishte 34 milionë e 905 mijë e 708 euro, i bie të ketë rritje 3 milionë e 153 mijë e 404 euro. Por sa u përket projekteve kapitale, shumica janë përsëritur, ashtu siç ka ndodhur ndër vite

Ministrisë së Kulturës nuk i është dashur shumë punë që ta planifikojë buxhetin e vitit që vjen. Të paktën për projektet kapitale në kulturë dhe trashëgimi kulturore. Shumica janë bartur me “copy-paste” nga Ligji mbi ndarjet buxhetore për këtë vit në Projektbuxhetin për vitin e ardhshëm. Pos emrave të projekteve kësisoj janë bartur edhe shifrat financiare.

Sipas Projektligjit mbi ndarjet buxhetore të vitit 2022, Ministria e Kulturës do të ketë buxhet më të lartë. Është planifikuar të ketë 38 milionë e 59 mijë e 109 euro. Në raport me buxhetin e këtij viti, kur i kishte 34 milion e 905 mijë e 708 euro, i bie të ketë rritje 3 milionë e 153 mijë e 404 euro.

Nga kjo rritje kanë përfituar kultura dhe trashëgimia kulturore. Në përgjithësi kultura do të ketë 11.4 milionë, përderisa për këtë vit kishte 8.9 milionë euro. Në këtë siç kanë përfituar projektet kapitale që do të kenë 3.1 milionë nga 1.9 sa kishin buxhet për vitin 2021. E kategoria “përkrahja për kulturën”, nga e cila mbështetet skena e pavarur, ka rritje më të zbehtë. Nga 1.9 milionë që kishte, do të mundësohet subvencionim me fiks 2.2 milionë.

Lëvizja e këtyre shifrave duhet ta ketë marrë pjesën kryesore të punës për planifikimet në kulturës. Projektet kapitale në këtë kategori janë shkurtuar. Ishin 21 e kanë ngelur 17. Prej tyre veç tri të reja, janë 14 të tjera që vetëm janë bartur. Rinovimi i Galerisë së MKRS-së, i Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe ai që figuron si “Teatri i ri kombëtar” janë projektet e reja. Krejt bashkë peshojnë 350 mijë euro. Ndërtesa për teatër të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova”, Muzeu i Artit Bashkëkohor e Qendra Kulturore në Rogovë të Hasit janë projekte që janë reprizuar. Dy të parat reprizohen tash e më shumë se një dekadë. Për asnjërën ende nuk ka as lokacion e lëre më ndonjë tjetër hap konkret.

Sa i përket teatrit të operës dhe baletit “Dr. Ibrahim Rugova” në shtator KOHA pati raportuar se mbi një dekadë e humbur kot, “djegia” e mbi një milion eurove në hapje themelesh e projektim, përplasje midis institucioneve qendrore e lokale, konkurse ndërkombëtare, anulim konkursesh e projektesh, akuza, debate e tryeza... janë historia e projektit për ndërtimin e kësaj ndërtese. Tash për teatër opere e baleti s’ka as lokacion. Komuna e Prishtinës e ka zyrtarizuar që në hapësirën afër Fakultetit Teknik, që dikur u destinua për këtë projekt, të ndërtohet objekt universitar. Ministria e Kulturës është pajtuar pa u marrë vesh për tjetër vend. Një konkurs ndërkombëtar për projekt ideor të teatrit të operës dhe baletit do të anulohet. Artistët, për të cilët do të ndërtohej ky objekt, as që janë pyetur e as informuar për dështimin e radhës të këtij projekti.

Te trashëgimia kulturore rritja e buxhetit nuk është bërë sikurse në kulturë. Është më e zbehtë. Nga 6.7 milionë euro që ishin, për vitin që vjen janë planifikuar 7.4 milionë euro. Investimet kapitale planifikohet të përkrahen me rreth 700 mijë euro më shumë se sivjet kur ishin në dispozicion 4 milionë euro. E te kategoria e subvencioneve ka pritje nga 1.1 milionë euro në 820 mijë euro.

Në traditën e Ministrisë së Kulturës është që në trashëgimi kulturore të ketë më shumë projekte kapitale sesa në kulturë. Njëjtë kanë vazhduar edhe në planifikimet për vitin që vjen. Nga 59 projekte që ishin, tash janë veç 44. Prej tyre shumica janë veç bartje për vitin 2021. MKRS-ja ka bërë plane vetëm për 5 projekte të reja. Muzeu i Filigranit në Prizren, Hamami i qytetit në Mitrovicë, Hamami i Gazi Mehmet Pashës në Prizren, Ekspozita e përhershme në Kompleksin e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Muzeu i Nënës Terezë, janë projektet e reja. Krejt bashkë peshojnë 430 mijë euro. Të projektet e reja prijnë investimet në Prizren, qytet prej nga vjen edhe ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku. Kurse sa ju përket projekteve që tash e disa vjet thjesht barten nga një planifikim në tjetrin janë Shtëpia e Xhafer Devës, disa kulla gjithandej vendit, fshati Hoçë e Madhe, fshati Zym e disa të tjera. Projekti më i madh kapital i shtetit sa i përket trashëgimisë kulturore, Muzeu i Historisë së Natyrës, është po ashtu pjesë e Projektligjit për buxhetin e vitit që vjen.

Por, sipas një pjese të opozitës, Qeveria aktuale nuk është e zonja të çojë përpara projektet e kaluara e as të planifikojë të reja. Dëshmi për këtë, sipas ish-ministrit të Kulturës, Kujtim Gashi, është Projektbuxheti dhe përsëritja e projekteve kapitale.

“Qeveria nuk ka vizion për kulturën e as trashëgiminë kulturore”, ka thënë ai. Sipas Gashit, shumë projekte kanë ngecur.

Zana Fetiu, e cila është këshilltare e ministrit të Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se MKRS-ja nëpërmjet Projektbuxhetit për vitin që vjen synon përmirësimin e infrastrukturës fizike dhe ligjore të institucioneve kombëtare të kulturës për konsolidim të kushteve të punës dhe veprimtarisë artistike

“Zhvillimi i librit përmes botimit, blerjes, përkthimit dhe nxitjes së lexueshmërisë. Edukimi artistik i të rinjve dhe zhvillimi i kuadrove profesionale. Njohje ligjore dhe mbështetje e rritur financiare për fuqizimin e skenës së pavarur kulturore. Zgjerimi i hapësirave kulturore përmes ripërdorimit përshtatës. Zhvillimi i diplomacisë kulturore për promovim të identitetit shtetëror”, janë midis objektivave që ka përmendur. Fuqizimi i zbatimit të drejtës së autorit dhe të drejtave të përafërta është po ashtu një objektiv më vete.

Deri në fillim të kësaj jave Ministria e Kulturës ka shpenzuar 47 për qind nga buxheti i sivjetmë. Këtu përfshihet edhe buxheti i Pakos së Ringjalljes Ekonomike në vlerë prej 5 milionë eurosh.