Kulturë

“Tate St Ives” me dokumentar për identitetin kulturor e kujtimet e Petrit Halilajt

Galeria “Tate St Ives” ka publikuar një video ku artisti kosovar tregon për vizatimet nga e kaluara, që janë ribërë në formate të mëdha e po ekspozohen në një prej hapësirave të rëndësishme të artit pamor në Britaninë e Madhe, njëherësh prej më të vizituarave

Në shtatë minuta, galeria prestigjioze britanike “Tate St Ives” mundohet të përthekojë fëmijërinë e artistit Petrit Halilaj si refugjat, ndikimin që pati ajo periudhë në artin e tij, dhe vizatimet e asaj periudhe, që të riformuara në madhësi gjigante qëndrojnë të ekspozuar pikërisht në këtë galeri. Halilaj ndalet në identitetin kulturor, kombësinë, trashëgiminë dhe kujtimet personale e kolektive. Tregon për vizatimet që shkrihen mes realitetit e imagjinatës dhe për të bukurën brenda diversitetit. Flet për njerëzit që shohin të kundërtën te rrëfimi i njëjtë, dhe për kohën që duhet për t’u shëruar pas një lufte si ajo në Kosovë. Në fokus ka edhe nevojën për t’u rikthyer te këto vizatime në ditët e sotme.

“Very volcanic over this green feather” (Shumë vullkanik mbi këtë pendë të gjelbër) është titulluar ekspozita e hapur zyrtarisht të shtunën e 16 tetorit në galerinë “Tate St Ives” në St Ives të Cornwallit. Veprat e artistit 35-vjeçar nga Kostërci i Skenderajt do të qëndrojnë të ekspozuara aty deri më 16 janar të vitit të ardhshëm, në atë që njihet si një nga galeritë më të rëndësishme britanike e madje edhe nga më të vizituarat.

“Jam lindur në vitin 1986 në Kosovë, kështu fillimi i viteve ’90 është i mbushur me frikë dhe kujtime gjithashtu, një lloj aparteidi që po kalonim si shqiptarë të Kosovës. Në vitin 1999 ndodhi lufta në mes të Kosovës dhe Serbisë”, tregon Halilaj në fillim të dokumentarit.

Më pas shfaqen pamje të luftës dhe dëgjohet zëri i një gazetari nga “Associated Press Television News”, që thotë se: “Krismat e luftimeve mund të dëgjohen me kilometra larg dhe serbët duan të theksojnë disfatën që u kanë shkaktuar rebelëve shqiptarë etnikë. Civilët janë duke ikur nga lufta”.

E pas kësaj, deputeti Jamie Shea, që ishte zëdhënës i NATO-s në kohën e luftës, tregoi se ajo që po ndodhte në Kosovë ishte një lloj skenari i Orwellit, si tentim për t’ua privuar një populli dhe një kulture sensin e së kaluarës dhe ndjenjën e komunitetit nga të cilat ai varet.

Fill pas fjalimit të Shea, në vitet ’90, vjen një raportim gazetaresk po ashtu nga “Associated Press Television News”, ku një gazetare tregon se me të arritur në kufi, mijëra refugjatë nisin jetën në tenda duke kursyer ujin dhe ushqimin. “Shumë prej tyre kanë humbur gjithçka, përfshirë identitetin e tyre, historinë e tyre personale, që u është vjedhur nga trupat e armikut”, dëgjohet të thotë ajo gjersa shfaqen pamje të refugjatëve nëpër kampe.

Fill pas kësaj, në dokumentar dëgjohet zëri i artistit kosovar që tregon se edukimi ishte çdoherë e më i paarritshëm. “Ngjarjet kulturore ishin ndaluar plotësisht. Pra, çfarëdo që mund të të jepte ndjesinë e të qenit njeri dhe në një mënyrë të shprehje kulturën dhe identitetin tënd, ishte e censuruar”, thotë Halilaj në dokumentar.

Aty tregon se ajo çka shihet në ekspozitën e tij në galerinë “Tate St Ives”, janë fragmente që vijnë nga 38 vizatime që i kam bërë për Giacomo Poli, psikologun që takova në një kamp refugjatësh në vitin 1999.

“Ai kishte ardhur për të sjellë një program te ne fëmijët, dhe programi nuk ishte të bënim terapi përmes gjuhës, por të gjenim disa mjete që shkojnë përtej gjuhës dhe ai zgjodhi vizatimin si një mënyrë për të komunikuar me ne. Vizatimet tregonin për eksperiencën që ne kishim gjatë luftës në Kosovë”, tregon Halilaj. Ka shtuar se arsyeja përse ai u është rikthyer këtyre vizatimeve është e formësuar nga ngjarjet e sotme. “Dhe kjo ka të bëjë me një lloj dështimi për të ndryshuar pozitën e vendeve të ndryshme në nivelin diplomatik”, thotë ai

Sipas tij, ajo që kuptohet është se vizatimet nuk kishin vetëm një perspektivë, nuk ishin parë vetëm si dëshmi të luftës dhe përshkrim vetëm i realitetit. Vizatimet, siç thotë ai në dokumentar, gjithashtu kishin anën imagjinare të luftës apo skena të luftës, dhe kjo vinte nga frika më e madhe që ai kishe gjatë luftës: se si ai e familja e tij, por edhe njerëzit e vendit do të përfundonin.

“Ose kishin skena që unë kam parë në media e që ishin imazhe ikonike të masakrave ose ngjarjeve të atëhershme. Pjesa tjetër ishin peizazhe të imagjinuara dhe në të njëjtën kohë vende që unë i kisha parë ose zogj të cilët asnjëherë nuk i kisha parë. Fillova që t’i pres, çdoherë e më shumë, si gjëra që filluan të ndodhin”, thotë Halilaj, duke treguar se kishte figura që ai mund t’i njihte, ose gjëra që bëheshin si silueta ose që shkonin më shumë në drejtim të abstraksionit.

Fill pas kësaj, paraqiten imazhe të artistit si fëmijë në kampin e refugjatëve në Kukës dhe një pjesë nga një video e realizuar nga Giacomo Poli, ku Halilaj tregon se vizaton për të kaluar kohë dhe se vizatimet nuk e lënë të mërzitet. Ai tregon edhe për papagajtë që i ka shumë për zemër.

Nga ky imazh, dokumentari kalon në hapësirat e galerisë “Tate St Ives”, aty ku Halilaj tregon se është i interesuar të bëjë në një mënyrë bashkë ushtarin dhe një pallua.

“Dhe pse dhe si ata ndryshojnë njëri-tjetrin dhe si kjo nuk është një bisedë njëdrejtimëshe, në një mënyrë të lirojë këtë histori personale dhe gjithashtu histori kolektive nga një fremë statike e saj”, thotë ai, gjersa merr në dorë një copëz të prerë ku shihet një ushtar dhe një ku shihet një pallua dhe i bën bashkë.

Pas kësaj shëtit nëpër galeri duke treguar një vizatim të shtëpisë së tij në Runik, të djegur gjatë luftës.

“Në fakt, kur e vizatova shtëpinë që ishte djegur e që është kjo, e vizatova ashtu siç e imagjinoja se ishte djegur, pasi që ne posa dëgjuam nga fqinjët se ata e kishin djegur. Dhe kur u kthyem, isha i habitur se sa e ngjashme ajo ishte. Shihni, ky tymi këtu që del nga dritaret dhe që ngjyros muret me të zezë. E nëse shohim pas, 20 vjet më vonë dhe analizojmë gjithë këtë është më të vërtetë çmenduri të shohim sesi brenda vizatimeve, të dyja: realiteti dhe imagjinata, ishin të pranishme”, thotë Halilaj.

Pasi që dëgjon një pjesë të intervistës ku si fëmijë thotë: “E ndiej veten shumë të mërzitur, të pikëlluar për ata që kanë pasur fat të keq”, Halilaj tregon se atëherë përpiqej që të kuptonte rrëmujën në të cilën, sipas tij, i kishin lënë të rriturit.

“Ishte kur unë dhe familja ime kishim kaluar kufirin, por baba ime dhe të gjithë burrat e tjerë ishin ende aty. Dhe shumë njerëz të tjerë ishin ende në zonën e luftës. Kështu, në një mënyrë, përmes vizatimeve dhe përmes intervistës e dija që ai (v.j Giacomo Poli) po i shikonte vizatimet si dëshmi. Dhe unë si fëmijë, më të vërtetë mendova se mund të ishte e mrekullueshme, në një mënyrë, që komuniteti ndërkombëtar dhe njerëzit të dinin çfarë po ndodhte në Kosovë”, thotë Halilaj.

Fill pas kësaj shfaqet e realizuar nga TVSH-ja, ku flitet për takimet e Kofi Annanit me banorët e kampeve.

“Takime janë emocionuese. Secili prej tyre ka një histori tragjike për të treguar. Një grumbull fëmijësh mbajnë pranë tyre një tablo me imazhe nga Kosova dhe mbi të nënshkrimi: ‘Çfarë po ndodh në Kosovë me fëmijët e pafajshëm’”, janë fjalët e gazetarit.

Pas kësaj, Halilaj thotë se ai vetë ka besim në një kombinim të sistemeve të ndryshme dhe grupeve të ndryshme, ku jodomosdoshmërisht të gjithë pajtohen, por që arti mund të jetë kjo urë shumë e rëndësishme si një pikëtakim.

“Kur dy grupe të njerëzve dështojnë për të parë të njëjtën gjë ose shohin saktësisht të kundërtën e gjërave te rrëfimi i njëjtë, kërkon një kohë me të gjatë për t’u shëruar dhe ndryshuar këto vizione dhe për të sjellë një vizion të ri në një mënyrë që njerëzit përsëri të shohin diçka të re, për të pranuar hapësirën që i duhet tjetrit”, thotë ai.

Sipas tij, “këto fuqi shtypëse dhe ajo që ‘ne po përpiqemi të mbajmë sisteme të caktuar në jetë’, mendoj që këtu kanë dështuar, ata kanë dështuar në një mënyrë të shohin të bukurën brenda diversitetit”.