Kulturë

“Hekurudha”, fituesja e vetme në konkursin që përballet me krizë

Descriptive Text

Është ndarë çmimi i parë për dramën origjinale shqipe “Katarina Josipi” për dramën “Hekurudha” të Brikena Sopit mesditën e së martës në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Juria ka vendosur që të mos ndajë çmim të dytë dhe të tretë “për shkak të prurjeve të pakta dhe të pakënaqshme të konkursit të sivjetmë”, e që ky konkurs po vlerësohet si i varfër për nga veprat me të cilat aplikuan konkurrentët

Në mesin e 6 dramave në konkurrencë për çmimet për dramë origjinale shqipe “Katarina Josipi” për vitin 2021 – e që njëra ndër to është diskualifikuar për shkak të shpalosjes së identitetit të konkurrentit – ka arritur të triumfojë vetëm drama “Hekurudha” e Brikena Sopit. Rrëfimi për ballafaqimin e dy grave në shoqërinë tranzicionale ka marrë çmimin e parë në konkursin i cili organizohet çdo vit nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, por që sivjet juria nuk ka ndarë edhe çmimin e dytë dhe të tretë.

“Prurjet e pakta dhe të pakënaqshme të konkursit të sivjetmë”, është arsyetimi për vetëm një fitues i jurisë, në përbërje të kryesueses Doruntina Basha, anëtarëve Florent Mehmeti, Ilire Vinca, Shefqet Gjocaj dhe përfaqësueses së Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Liri Cami.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, drejtuesi i këtij institucioni, ministri Hajrulla Çeku ka theksuar se juria në këtë formë përmes ndërrimit të praktikës po krijon një standard.

“Ky vendim është i mirëseardhur, kjo na nxit tash e tutje ta shohim këtë punë jo vetëm si formalitet, por si vlerësim cilësor dhe meritor për punën e artistëve”, u shpreh Çeku.

Në anën tjetër, ai ka thënë se ndarja e këtij çmimi, përveç nxitjes së talenteve të reja, është edhe mirënjohje për kontributin e Katarina Josipit, duke pasur parasysh që konkursi mban emrin e aktores e cila jetësoi shumë role në teatrin shqiptar.

“Sivjet juria ka vendosur të ndahet vetëm çmimi i parë për shkak të prurjeve që s’kanë qenë të nivelit të kënaqshëm dhe po shpresojmë që kjo do të shërbejë edhe si një mesazh, që konkursi ‘Katarina Josipi’ të shndërrohet në një stimulim për krijimtari të mirëfilltë”, ka theksuar kryetarja e jurisë, Doruntina Basha.

Arsyetimi i jurisë për shpërblimin me çmimin e parë të dramës “Hekurudha” qëndron në faktin e ofrimit të saj të një vështrimi unik në botën e dy grave, të cilat “shpalosin në mënyrë elegante përmes dialogut ritmik, gati muzikor, me një tension dramatik që me besnikëri përçon ndjenjat e të qenit grua në një shoqëri në tranzicion, pavarësisht kontekstit kohor apo historik”.

“’Hekurudha’, është një dramë psikologjike e cila me precizitet pothuajse matematikor, me një ambient minimalist dhe me një qasje moderne, trajton fërkimet mes traditës, familjes, gjinisë, modernes dhe individit brenda një shoqërie të ngujuar mes së kaluarës dhe së ardhmes”, ka thënë Basha, teksa ka kumtuar arsyetimin.

E diplomuara në master në degën e Dramaturgjisë në Universitetin e Prishtinës, Brikena Sopi, gjatë ceremonisë theksoi se është nder marrja e këtij çmimi si dramaturge e re.

“Dua ta përgëzoj dhe falënderoj Ministrinë e Kulturës që shtyu përpara konkursin ‘Katarina Josipi’ që po promovon dramën shqipe dhe besoj që duhet të promovohet se ne kemi autorë e tema”, ka thënë Sopi.

Për KOHËN laureatja e çmimit të sivjetmë “Katarina Josipi” ka treguar se rrëfimi zhvillohet në një situatë të skajshme ekzistenciale dhe emocionale.

“Nina dhe Mira janë nënë dhe bijë që kërkojnë mënyra të shpëtojnë nga situata që janë. Jetojnë mes frikës së kaluarës dhe pengut të së tashmes”, ka thënë autorja e dramës.

Aktorja Ilire Vinca, në cilësinë e anëtares së jurisë, ka thënë se ndihet e lumtur që është në “shtëpinë e kulturës” me një vajzë që po nis hapat e parë artistikë, duke aluduar te dramaturgjia e diplomuar në Universitetin e Prishtinës, Brikena Sopi.

“Hekurudha” jote ishte një rrugë shumë e bukur drejt një caku shumë të bukur artistik, isha jashtëzakonisht e kënaqur kur mora dramën, jashtëzakonisht e pakënaqur me konkursin. Por edhe në një konkurrencë tjetër të fortë, drama ‘Hekurudha’ do të zgjidhej më e mira”, ka vlerësuar Vinca.

Zëvendësuesi i udhëheqësit artistik të Teatrit Kombëtar të Kosovës, Shefqet Gjocaj, ka thënë se ndarja e këtij çmimi ishte vendim unanim i gjithë jurisë, pa dallim të asnjërit.

“’Hekurudha’ ka qenë zgjedhja e vetme unanime e konkursit, s’ka pasur të tjera. Mendimet për dramën mund t’i diskutojmë si profesionistë, por e ytja ishte më e mira dhe meritorja”, i ka thënë ai Sopit, teksa ka shtuar se do të insistojë që vitin e ardhshëm të inskenohet në TKK.

Në deklaratën e tij për KOHËN, Gjocaj ka shtuar se, sipas tij, konkurrenca e varfër në konkurs nuk është tregues i krizës së dramës shqipe.

“Është më tepër krizë e këtij konkursi. Pikërisht për këtë unë vazhdoj ta mbaj qëndrimin tim se ky konkurs duhet t’ua mundësojë të konkurrojnë të gjithë shkruesve të dramës në gjuhën shqipe, e jo si është tani, vetëm ata që janë banorë të Kosovës”, shtoi ai.

Tutje, ai ka shtuar se dramat e tjera kanë pasur elemente të mira artistike, por edhe mungesa serioze.

“Njëra mund të funksiononte më mirë si skenar filmi, një tjetër është skicë e mrekullueshme për dramë, por nuk është e përfunduar, një tjetër ka gjetje të mrekullueshme në fund, kthesë dramatike, por është e varfër në dialog dhe situata, gjatë shtrirjes së saj”, ka thënë ai, duke shtuar se kjo gjendje më shumë është si pasojë e mungesës së aplikimeve në konkurs sesa e mungesës së të shkruarit. “Drama është gjinia më e vështirë letrare, për t’u shkruar. Dhe gjithsesi kjo punë nuk bëhet vetëm me entuziazëm dhe dëshirë, por do edhe talent e mbi të gjitha përgatitje profesionale”.

Në fund, ai ngriti edhe çështjen e mungesës së dramaturgëve në këtë konkurs të cilët punojnë në institucione publike, për shkak të konfliktit të interesit, gjë e cila, sipas tij, e varfëron konkursin.