Kulturë

Restaurimi i shtëpive Arapi dhe Gjonaj synon ruajtjen e vlerave të Prizrenit

Descriptive Text

Dy shtëpi dhe një jaz janë hapësirat e trashëgimisë kulturore në qytetin jugor ku shteti synon t’i shpëtojë nga dëmet e kohës. Për ata që kanë jetuar dikur në këto shtëpi, që përfaqësojnë trashëgiminë arkitekturore të qytetit të vjetër, këto ndërhyrje janë të mirëseardhura në mënyrë që të mos shkatërrohen më tej këto vlera të bukura kulturore

Ndërhyrjet restauruese dhe konservuese kanë filluar të realizohen në dy shtëpi të vjetra të Prizrenit, që gëzojnë mbrojtje ligjore nga shteti. Kësisoj, po synohet ruajtja e vlerave që posedojnë shtëpia e familjes Arapi dhe shtëpia e familjes Gjonaj, që datojnë nga shekulli XIX. Paralelisht me këto projekte, Komuna e Prizrenit po investon edhe në rregullimin e jazit afër kompleksit muzeor të Lidhjes së Prizrenit.

Për ata që kanë jetuar dikur në këto shtëpi, që përfaqësojnë trashëgiminë arkiteturore të qytetit të vjetër, këto ndërhyrje janë të mirëseardhura në mënyrë që të mos shkatërrohen më tej këto vlera të bukura kulturore.

Teksa në pullazin e shtëpisë së familjes Arapi dëgjohen ushtimat e mjeteve të punës, Badem Arapi tregon se më nuk jeton në këtë shtëpi, por që dashuria për këtë ndërtesë vazhdon të mbetet brenda saj.

“Unë kur kam ardhur nuse në këtë shtëpi, me shumë admirim e kam këqyr këtë shtëpi, e kam dashtë këtë shtëpi. Më ka pëlqyer si një shtëpi e vjetër me tradita të moçme të Prizrenit. Është dashtë bukur shumë një kujdes për të, një kujdes i veçantë. E dini përpara kanë qenë ato paftat, jajgijat, sendet, dërrasat është dashtë me i la. Por me kohë pak ato i rinovuam, i tejkaluam. Po ka qenë kënaqësi me jetu në këtë shtëpi dhe me e mirëmbajtë këtë shtëpi”, ka thënë ajo.

Sipas saj, në këtë shtëpi ka pasur intervenime të kohëpaskohshme në formë rinovimesh, herë te dritaret, herë te dërrasat, por edhe në sanitari e suvatim. “Por me kënaqësi të madhe e kemi bërë, se e duam këtë shtëpi”, është shprehur Arapi.

Në anën tjetër, autoritetet komunale kanë vlerësuar se shtëpia e familjes Arapi, ajo e familjes Gjonaj, si dhe monumentet e tjera duhet të ruhen në mënyrë që vlerat e tyre të barten edhe te gjeneratat e ardhshme.

Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka theksuar se përpjekjet janë që pjesët më emergjente të realizohen para përkeqësimit të motit.

“Nga fillimi i mandatit kemi pasur buxhet për restaurime. Normal këtë vit kemi më shumë punë. I kemi, siç tha edhe drejtori, shtëpinë e familjes Arapi, shtëpinë e familjes Gjonaj dhe jazin tek LShP-ja, të tri këto punime janë duke u zhvilluar, dhe shpresojmë që para përkeqësimit të motit, të përfundojnë pjesët me emergjente, ndërsa brendia apo restaurimet e brendshme do të vazhdojnë edhe më vonë”, ka thënë Haskuka.

Image

Shtëpia e familjes Gjonaj


Tok me bashkëpunëtorët ai ka vizituar edhe brendinë e shtëpisë së familjes Arapi, për të theksuar se ajo përfaqëson kulturën qytetare në Prizren.

“Ne inspektuam pak brenda kësaj godine të vjetër, është me të vërtetë një trashëgimi të cilën duhet ta ruajmë. Është një shtëpi mbi 150-vjeçare, me 1870 është ndërtuar, tregon kulturën e lartë qytetare në Prizren me gjithë ato punimet e tavaneve dhe punë druri por edhe piktura brenda shtëpisë tregojnë një trashëgimi të lartë kulturore. Prandaj ruajtja e këtyre monumenteve është shumë me rëndësi për me u tregu gjeneratave të reja për trashëgiminë kulturore që e ka qyteti i Prizrenit. Pak shtëpi kanë mbetur kështu të vjetra, prandaj këto shtëpi duhet t’i ruajmë sa më mirë”, ka deklaruar Haskuka.

Ndërsa drejtori i Urbanizmit, Beni Kizolli, ka pohuar se për punimet e kësaj natyre janë paraparë rreth 100 mijë euro dhe se plani është që punimet të përfundojnë brenda këtij viti.

sivjet kemi filluar me një qasje krejt tjetër, fillimisht kemi arritur një marrëveshje bashkëpunimi me QRTK-në dhe si të tillë në kuadër të bashkëpunimit, QRTK-ja neve na ka siguruar paramasat dhe falë paramasave të hartuara nga profesionistët po shpresojmë që këto punime do të arrijmë t’i përfundojmë në mënyrë sa më të mirë”, ka thënë Kizolli.

Punime të kësaj natyre me financimin e Komunës së Prizrenit vjet janë kryer edhe në shtëpinë e familjes Kajmakçiu në lagjen “Kurillë” të Prizrenit.

Drejtuesit e Qendrës Rajonale të Trashëgimisë Kulturore dhe Drejtorisë së Urbanizmit në Prizren, në prill të këtij viti patën nënshkruar memorandum bashkëpunimi për kontribut të përbashkët në jetësimin e disa projekteve në zonën historike të këtij qyteti. QRTK-ja në njoftimin e saj lidhur me ujdinë për bashkëveprim me organet komunale, pati bërë të ditur se përzgjedhja e dy shtëpive përkatësisht të familjes Arapi dhe të familjes Gjonaj, që janë pjesë e listës së trashëgimisë kulturore nën mbrojtje, është bërë nga ana e saj, marrë për bazë vlerat dhe rëndësinë e veçantë historike dhe arkitektonike që kanë ndërtesat në fjalë, derisa Komuna e Prizrenit përmes Drejtorisë së Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor, do të sigurojë mjetet financiare për realizimin e projekteve të planifikuara, gjatë vitit 2021.

Image

Jazi afër kompleksit muzeor të Lidhjes së Prizrenit