Kulturë

Kineastet evropiane si një zë i përbashkët

Descriptive Text

Regjisoret evropiane, krijimtaria e të cilave do të shpaloset në edicionin e ardhshëm të “Sydney Film Festival”, kanë vënë në pah sfidat me të cilat vazhdojnë të ballafaqohen dhe si po i bashkojnë forcat për t’u siguruar që zërat e tyre të dëgjohen. Në mesin e tyre është edhe “Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit

Filma të gjatë janë përfshirë në programin “Evropa! Zërat e grave në film” një iniciativë e përbashkët në mes të “European Film Promotion (EFP) dhe “Sydney Film Festival”, i cili mbahet çdo vit që nga 2016 dhe ofron një rrugë të vlefshme drejt eksplorimit ndërkombëtar, veçanërisht për pjesëmarrësit nga vendet që ofrojnë mbështetje të limituar për filmbërësit. “Evropa! Zërat e grave në film” do të mbahet prej 3 deri më 14 nëntor.

“Fatkeqësisht, ne nuk kemi ndonjë iniciativë të veçantë për të vënë në vëmendje filmbërëset në Gjeorgji”, ka thënë regjisorja Rusudan Glurjidze që vepron në Tbilisi, filmi i gjatë i së cilës, “House of others”, ishte selektuar në programin “Evropa!” në vitin 2017.

Glurjidze ka thënë se është bërë esenciale për filmbërëse që të vendosin rrjetin e tyre për t’u dëgjuar zërat e tyre, një mision që e ka edhe programin “Evropa!”.

“Ishte një eksperiencë e mrekullueshme”, ka thënë ajo. “Unë jam takuar me kolegë të interesuar dhe kemi diskutuar se si të mund të kuptojmë më mirë mundësitë që kanë regjisoret. Këta njerëz dhe koha që kemi kaluar me ta, të formësojnë dhe definojnë të ardhmen tënde”.

Regjisorja nga Qiproja, Tonia Mishiali, drama e së cilës “Pause” ishte pjesë e edicionit të vitit 2019 të “Evropa!”, po ashtu ka theksuar rëndësinë që të krijojë lidhje për të mirë të karrierës së saj dhe filmbërëseve të tjera.

“Me e rëndësishmja është që të krijosh lidhje me njerëzit e duhur”, ka thënë Mishiali, e cila në rolin e saj si bashkëdrejtoreshë artistike e “Ditëve të Filmit në Qipro” ka pasur mundësinë që ta vizitojë tregun ndërkombëtar dhe ka pasur mundësinë që të mbështesë filmbërës të tjerë si ish-presidente e shoqatës së Qipros.

“Të bëhesh anëtare e rrjeteve të tilla si ‘European Film Academy’, ‘European Women’s Audiovisual Neteork’ dhe ‘Berlinale Talents”, ka shtuar ajo.

“Unë kam aplikuar në tregje prestigjioze të filmit dhe në punëtori rreth botës, të tillë si Berlinale, Instituti Mesdhetar i Filmit dhe ‘TorinoFilmLab’ dhe jam duke zhvilluar projektin tim përmes tyre”, ka shtuar ajo. “Kjo ka ndikuar që të marr trajnim profesional, eksperiencë nga dora e parë, të kem më shumë vetëbesim dhe të mësoj se si të tregoj veten”.

Të marrësh iniciativë

Në Kosovë, filmbërësit mund të përfitojnë nga Qendra Kinematografike e vendit, ku juria ndërkombëtare përzgjedh projektet që marrin fonde për produksion. Por përderisa organizata vepron me një buxhet relativisht të vogël, regjisorja kosovare Blerta Basholli thekson nevojën e filmbërësve që të ndjekin rrugën e tyre.

“Është e rëndësishme që ne të marrin vetë iniciativa”, ka thënë Basholli, filmi i së cilës – “Zgjoi”, fitues i trefishtë në “Sundance Film Festival” – është pjesë e filmave që sivjet shfaqen në kuadër të programit “Evropa!”.

“Filmbërësit sakrifikojnë shumë për të bërë filmin e tyre të parë të gjatë, por janë të pasigurt nëse mund të bëjnë të njëjtën gjë për të dytin. Ju duhet të jeni motori për gjithçka. Producenti im Yll Uka më ka ndihmuar shumë dhe unë kam ndjekur edhe një punëtori për producentë për të mësuar më shumë për produksionin në rajon, dhe kam qenë e përfshirë në çdo proces të realizimit të filmit”.

Basholli ka shtuar se të kesh një komunitet me regjisore të tjera është esenciale.

“Përderisa po studioja në New York University, regjisorja kosovare Blerta Zeqiri realizoi një film të shkurtër ‘Kthimi’ pa pasur gati asnjë cent, fitoi në ‘Sundance’ (çmimin e jurisë për film të shkurtër) dhe udhëtoi botën me të”, ka treguar ajo. Sipas saj, kjo ishte shumë inspiruese.

“Që atëherë jam përkrahur nga ajo e nga Kaltrina Krasniqi, që është regjisore e ‘Vera andrron detin’ që u shfaq në Venecia. Çdo herë kur iu është dhënë mundësia, Zeqiri dhe Krasniqi kanë përmendur edhe filmin tim dhe mbështetjen që na duhet nga shteti”.

Një problem global

Në Slloveni, tradicionalisht ka mungesë të mbështetjeve për regjisore. Një hulumtim nga Qendra Kinematografike e Sllovenisë, i realizuar në vitin 2019 që përfshin periudhën 1955-2017, vë në pah se 90 për qind e filmave brenda programit të filmave kombëtarë janë bërë nga regjisorë. Megjithatë, gjërat po ndryshojnë.

“Shoqata e Regjisorëve të Sllovenisë ka themeluar klubin e regjisoreve në vitin 2020”, ka treguar regjisorja sllovene Marija Zidar, dokumentari i gjatë i së cilës “Reconciliation” është po ashtu pjesë e programit të sivjetmë “Evropa!”.

“Kjo përfshin mentorim dhe një punëtori njëmujore, ku eksperiencat dhe njohuritë shkëmbehen me kolegët”. Por ajo ka thënë se filmbërëset “nuk mund të jenë anëtare e as të përfitojnë nga klubi pa përfunduar filmin e tyre të parë, diçka që mund të marrë disa vjet”.

Zidar shton se mungesa e mbështetjes për gratë në kinematografi është një problem global. “Ka dy gjëra këtu: të arrish ta financosh dhe të kryesh produksionin e filmit dhe ta kthesh atë në një karrierë të qëndrueshme”, ka shtuar ajo. “Mendoj se pozicioni ekonomik i filmbërëseve është një element kyç që po pengon karrierën tonë dhe duhet dhënë një vëmendje më të madhe”.

Edicioni i 68-të i “Sydney Film Festival” do të mbahet prej 3 deri më 21 nëntor. Prej 3 deri më 14 me prezencë fizike në kinema, ndërsa prej 12 deri më 21 nëntor në formatin online.

Filmat që janë pjesë e “Evropa! Zërat e grave në film 2021”

“The Wild Sea”

Regjisore: Robin Petré

“Green Sea”

Regjisore: Angeliki Antoniou

“Zgjoi”
Regjisore: Blerta Basholli

“How To Kill A Cloud”

Regjisore: Tuija Halttunen

“Last Days Of Spring”

Regjisore: Isabel Lamberti

“Nico”
Regjisore: Eline Gehring

“Pleasure”
Regjisore: Ninja Thyberg

“Reconciliation”
Regjisore: Marija Zidar

“Slalom”
Regjisore: Charlène Favier

“Why Not You”

Regjisore: Evi Romen

Marrë nga “Screendaily”. Përktheu: Alberina Haxhijaj