Kulturë

Diplomacia kulturore e Kosovës shkëlqen në Riad të Arabisë Saudite

Ka disa vjet që e kam theksuar rëndësinë e “diplomacisë kulturore” me anë të ambasadave tona që u mbushën më shumë me kritere partiake, sesa profesionale. Megjithatë, kemi disa nisma që meritojnë të prezantohen, sepse mu ato korrën sukses të mirë në promovimin e Kosovës me anë të “diplomacisë kulturore”. Njëri prej tyre lidhet me edicionin e 40-të të Panairit të Librit në Riad

Me ngërçin politik që vazhdon disa vjet dhe e pengon Kosovën të zërë vendin e vet në shoqërinë ndërkombëtare, Kosova po promovohet mirë nëpër botë me anë të yjve të sportit, këngës dhe të kinematografisë. Në këtë kontekst, ka disa vjet që e kam theksuar rëndësinë e “diplomacisë kulturore” me anë të ambasadave tona që u mbushën më shumë me kritere partiake, sesa profesionale.

Megjithatë, kemi disa nisma që meritojnë të prezantohen sepse mu ato korrën sukses të mirë në promovimin e Kosovës me anë të “diplomacisë kulturore”.

Rasti i parë filloi me hapjen e ambasadës sonë në Doha të Katarit në krye me ambasadorin Amir Ahmeti në vjeshtë të vitit 2019. Atëherë, ambasada e tërhoqi vëmendjen kur organizoi aktivitetin e parë në fushën e kulturës, përkatësisht me promovimin e romanit “Kusari” të shkrimtarit të njohur të Katarit, Abdulaziz Al Mahmud, që doli në shqip më 2019 në Prishtinë me përkthim të Ejup Ramadanit. Në ceremoninë, në të cilin morën pjesë përkthyesi dhe shkrimtari Ibrahim Kadriu, Kosova u promovua si vend i hapur që përcjell letërsinë në botë. Vërtet, ky takim i parë midis shkrimtarëve të dy vendeve kishte sukses në hapjen e kanaleve të tjera dhe nënshkrimin e disa marrëveshjeve në fusha të tjera që janë me interes për Kosovën.

Image
Kopertina e librit të ri “Viset shqiptare në Sijahetname të Evlija Çelebiut”

Rasti i dytë, i cili u bë më në nivel, pasoi në Panairin Ndërkombëtar të Librit në Riad të Arabisë Saudite gjatë këtij muaji. Vërtet, ka shumë panaire në botën arabe (në Kajro, Bejrut, Amman e të tjera), por tash e dhjetë vjet, Panairi i Riadit zë vendin e parë për nga pjesëmarrja e botuesve ashtu sikurse edhe nga qarkullimi i librit, sa që ka shumë shtëpi botuese që shpëtuan nga falimentimi në saje të këtij panairi.

Kështu, ky edicion, i 40-ti me radhë, që u mbajt prej 1 deri më 10 tetor, solli shifra të reja që dëshmojnë rëndësinë e këtij panairi. Me më shumë se 1000 botues nga 28 shtete të botës, e më shumë se 100 promovime e takime me shkrimtarë nga bota, qindra e mijëra vizitorë vërshonin në Panair gjatë ditëve të përmendura. Kuptohet me rendësi ishte për botuesit qarkullimi i librit në ditët e Panairit, i cili arriti shifra të reja pasi që u shiten libra në vlerë prej gati 20 milionë eurosh.

Sivjet, në këtë panair, u dallua prania shqiptare në libra që u ekspozuan për herë të parë në gjuhën arabe, si dhe në praninë më të lartë të diplomacisë kulturore të Kosovës. Kështu, shtëpia e njohur jordaneze “al-Aan” mori pjesë sivjet me dy libra të reja që i prezantoi në pavijonin e vet: “Viset shqiptare në Sijahetname të Evlija Çelebiut”, që përfshin Kosovën, si dhe romani i Besnik Mustafajt, “Një sagë e vogël për burgun” në përkthim të Ibrahim Fadlullas.

Këtë paraqitje të historisë dhe letërsisë shqiptare në arabisht, e bëri të madhe ambasadori Lulzim Mjeku duke pritur në ambasadë drejtorin e shtëpisë botuese “al-Aan” dr. Jusuf Zu’bi, i cili u nderua më shumë me ardhjen në Panair e vetë ministres së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla. Ç’është e vërteta, ministrja ishte në vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, por ky gjest i saj për ta vizuar pavijonin e ku ekspozoheshin këta dy libra në Panair dhe të dalë në publik me librin në dorë bëri shumë jehonë në Panair, duke treguar ç’mund të bëjë diplomacia kulturore.

Duke marrë parasysh se vetë ambasadori ishte gazetar në “Rilindje”, në sektorin e politikës së jashtme dhe autor i disa librave gjatë punës së tij në MPJ, nuk na habit iniciativa e tij individuale prej kur filloi mandatin e tij si ambasador në Riad duke promovuar historinë e kulturën e Kosovës me shpërndarjen e librave në gjuhë të ndryshme për mysafirë të ambasadës e duke nderuar botuesit vendas që marrin iniciativën për botimin e ndonjë libri të vlershëm në gjuhën arabe. Megjithatë, kjo diplomaci kulturore duhet të burojë nga vetë MPJ-ja, e cila ishte e mbyllur nga themelimi i saj ndaj institucioneve akademike e shkencore në Prishtinë që merren me atë pjesë të kulturës.

Ndaj, kjo ceremoni që u zhvillua në Riad në prani të ministres Gërvalla do të mbahet në mend për atë ç’mund të bëjë diplomacia kulturore në shërbim të Kosovës në atë pjesë të botës ku na mungojnë shumë mirënjohje. Aq më tepër, ky koncept i diplomacisë kulturore nuk është mirë të lidhet me ndonjë ambasador ose me ndonjë ministër, por duhet të jetë pjesë përbërëse e strategjisë së punës së MPJ-së pa marrë parasysh se cila parti është në Qeveri ose cili ministër është në detyrë.