Shtojca për Kulturë

Prizreni i Mitrush Kutelit

Descriptive Text

“Në Prizren, midis të vdekurve e të gjallëve”, të shkruar në muajin maj të vitit 1943, Mitrush Kuteli merret shumë me varret, monumentet mbivarrore të këtij qyteti, pa dallime fetare. Kuteli ka lëvizur nga një pjesë në pjesën tjetër të qytetit për të parë sa më shumë varre dhe për të marrë sa më shumë informacione. Kjo ndoshta është edhe ajo më thelbësorja, që e dallon këtë përshkrim prej përshkrimeve të tjera të diplomatëve e udhëpërshkruesve të huaj. Autori, duke përshkruar gjendjen e varrezave në Prizren, njëkohësisht tregon një pjesë të historisë së këtij qyteti, gjendjen e tij sociale

“Po të jetë se vini në Prizren - për do-një punë më të kthjelltë se kontrabanda - mbasi të keni shijuar bukuritë pa shoq të këtij vendi të qetë edhe gazet e jetës të të gjallëve, mos harroni të vizitoni edhe banesat e të vdekurve”.

Fjalitë e vendosura në ballë të këtij shkrimi, janë rreshtat, me të cilat, Mitrush Kuteli e nis përshkrimin e tij për qytetin e Prizrenit, të titulluar: “Në Prizren, midis të vdekurve e të gjallëve”, të shkruar në muajin maj të vitit 1943. E veçanta e përshkrimit të M. Kutelit për Prizrenin është se ai merret shumë me varret, monumentet mbivarrore të këtij qyteti, pa dallime fetare. Kuteli ka lëvizur nga një pjesë në pjesën tjetër të qytetit për të parë sa më shumë varre dhe për të marrë sa më shumë informacione. Kjo ndoshta është edhe ajo më thelbësorja, që e dallon këtë përshkrim prej përshkrimeve të tjera të diplomatëve e udhëpërshkruesve të huaj. Autori duke përshkruar gjendjen e varrezave në Prizren, njëkohësisht tregon një pjesë të historisë së këtij qyteti, gjendjen e tij sociale etj. Banorët, të cilët shëtisin në Prizren, sipas tij, janë vetëm një pikë ujë në det, krahasuar me ata që janë nën dhe. Elementi shpirtëror është evident tek autori i shkrimit, sepse, sipas tij, të vdekurit: “atje ku janë e ku s‘janë, e ndiejnë çapin tonë e në kanë do-një gas, në mënyrën e tyre, po di se shpirti ynë del, nga këto parakalime për në banesën e fundit, më i platitur, më i njerëzishëm e mbase më i larguar nga kotësirat e tokës”. Me këtë përshkrim të varrezave, autori dëshmon ndjeshmërinë e njeriut të sofistikuar, për të cilin, jeta nuk përfundon me aktin e vdekjes. Gjithashtu, të habit fakti, se ky autor, në përshkrimin e varrezave nuk bën dallime fetare.

Image

Prizreni, 1943

Varrezat myslimane

Objekt i shkrimit të Mitrush Kutelit për varrezat e myslimanëve në Prizren janë varrezat në oborrin e Xhamisë së Bajraklisë të periudhës osmane, ku autori, duke vështruar oborrin e kësaj xhamie, konstaton se: “është një obor dhe në obor ka disa varre të vjetër zonjash e zotërinjsh, nga të fuqishmit e një kohe. Tani, kur asnjë dorë nuk zgjatet t‘i përkujdesë, as varret as qoshkun që aty pranë, pllakat e mermerta kanë rënë poshtë, ku i shkel këmba dhe i bluan koha...”.

Mbi këto monumente mbivarrore për të cilat flet shkrimtari, dëshmon edhe prizrenasi Luan Koçbashliu, sipas të cilit: “ato nuk kanë pasur shumë kujdes adekuat institucional, edhe si fëmijë e mbaj në mend këtë grumbull të monumenteve mbivarrore në Xhaminë e Bajraklisë, por sot janë të renditura dhe në një gjendje më të mirë”.

Kur jemi te varrezat myslimane, autori i përshkruan edhe disa varre të tjera, por pa na treguar se në ç’vend gjendeshin ato. Sikurse do të shpjegojë në vazhdim, unë mendoj se ato varre që kishte parë M. Kuteli janë varret e Teqesë së “Halvetive”, apo teqeja e “Saraçhanës”, siç njihen në Prizren dhe të cilat gjenden edhe sot. Kuteli shkruan se: “sgjatim kryet në një dritore. Brenda varre - janë gjashtë - me kësula e çallma të rënda përsipër. Në një të ndarë të dytë të tjera varre, me merhama përsipër. Shkon një njeri, pyes e më përgjigjet: Varret e para janë varre jabanxhinjsh, miq të Teqesë që i arriti vdekja aty. Varret e tjera janë të baballarëve të Teqesë, dyke filluar me Sheh Osmanin, dhe pas tij, Sheh Ahmeti, Sheh Sinani e katër të tjerët.” Sipas Kutelit: “Varret e reja, të sotmet, të Prizrenit janë përtej, në hyrjen e qytetit. Që t‘arrijmë atje mbajmë krahun e djathtë të lumit..., Ja aty, më të djathtë, një fushë e madhe me varret e myslimanëve. Rrasa të rrepta prej guri të hirtë. Shumica pa kryeshkrime. Disa që kanë, janë arabisht”. Në fakt, ato varreza të cilat i përshkruan autori edhe sot janë në atë vend, të rrethuara dhe të mbajtura mirë. Ndërsa, Varret e Teqesë, të cilët i përmend Kuteli, janë të rrethuara dhe gjendjen brenda objektit të kësaj teqeje. Gjithashtu varret e reja në hyrje të Prizrenit, të cilat i përmend autori, janë pothuajse në po të njëjtin vend. Një pjesë e këtyre varrezave, që llogaritën si më të vjetra, janë pranë tyrbes së njohur si “Tyrbja e Karabash Efendisë” e cila, në fillim në muajin maj, vizitohet nga qytetarët e Prizrenit dhe të rrethinës. Kuteli, gjithashtu, tregon se ka një moskujdesje ndaj këtyre monumenteve mbivarrore osmane dhe shpreh shqetësimin se në këtë gjendje çfarë janë vështirë se do t‘i përballojnë kohës. Fatkeqësisht, parashikimet e M. Kutelit kanë rezultuar të sakta, ngase pjesa dërrmuese e monumenteve mbivarrore osmane, të asaj kohe, sot nuk gjenden.

Varrezat katolike

Autori për varret katolike në Prizren shkruan: “Këtu në varret e katolikëve të Prizrenit ka mishkrime shqipe! Ja një varr mjaft i moçëm, me një kryq të rëndë. Dhe mi kryq një mishkrim: Këtu pushojnë Balta e Mana Tarabolluzi të mbytun prej Lumjanve më 2 Tetuer 1880". Pastaj vazhdon: “Po ja, atje, një tjetër varr, i rethuar, me kangjela hekuri. Bari i varrit është i freskët, i math, i kujdesur. Mbi kryq fotografija e një vashe të re. Unjem e lëçit ‘këtu pushon Filja e Ukës Zef (Toçes). Leu më 16 Tetuer 1901, diç më 29 Shtatuer 1921’. Sot, sipas njërës prej vizitoreve të rregullta të këtyre varrezave dhe pjesëtare besimit katolik, akoma këto epitafe ekzistojnë.

Varrezat ortodokse

“(Te) Kisha e Shën Spasit ose Kisha e Gogëve (e vllehve) si i thotë populli..., atje disa varre të vjetër, me kryeshkrime greqishte që mund të na shërbejnë si dokumente historike....,Varret e orthodoksëve, nënë sallkëmet e lulëzuar. Janë varre te kujdesur mirë, këta të burgjezisë sërbe, zotronjëse në vitet e fundit. Gurë me shkronja të arta, lule, fotografi. Reshpërojnë gra shumë, veshur nër të zeza. Pata mbesuar, në fillim, se do ish do-një varrim, po jo. Sot qënka e Shtuna e të vdekurve, 22 maj 1943. Vaje e lotë shumë. Kështu është orthodoksija: mistike, sentimentale, lakrimogjene:...., Flenë këtu (në varrezat ortodokse serbe, vër. N. A.) brenda kaqe kombësi të sërbizuara”. Këtë konstatim të M. Kutelit, na e konfirmon edhe Luan Koçbashliu, me profesion arkeolog dhe ish-bashkëpunëtor profesional në Qendrën Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren nga vitet 1975 deri më 2015. Koçbashliu tregon se në vitin 1994 ka qenë pjesë e ekipit që ka bërë gërmime në këtë kishë. Në atë kohë rregullohej plateja e kishës dhe para se të fillonin punimet, ata kishin vendosur për të bërë gërmime dhe sipas rezultateve, ato varreza ishin të fundit të shek.. XIV dhe fillimit të shek. XV me një kontinuitet deri në shek. XIX. Gjatë hulumtimeve, z. L. Koçbashliu tregon se nuk ka pasur mbishkrime në gjuhën greke, siç shkruan M. Kuteli, por L. Koçbashliut i kujtohet si fëmijë që ka pasur varreza me mbishkrime cirilike në oborrin e kësaj kishe, që është e kuptueshme, por tash nuk ekzistojnë më dhe hapësira përreth kishës nuk është e mirëmbajtur.

Xhamitë

Ndër xhamitë e njohura monumentale, të cilat kanë edhe historinë e tyre, dhe u kanë përballuar furtunave të kohës, nëpër të cilat ka kaluar qyteti i Prizrenit, janë edhe “Xhamia e Sinan Pashës” dhe “Bajrakli Xhamia”, apo e njohur ndryshe edhe si “Xhamia e Gazi Mehmet Pashës”. Xhamia e Sinan Pashës u ndërtua më 1615/16 nga Sofi Sinan Pasha, origjina e të cilit ishte nga Luma, ndërsa Xhamia e Bajraklisë është ndërtuar nga Gazi Mehmet Pasha në vitin 1574. Në këtë xhami i ka zhvilluar punimet edhe Kuvendi i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit më 1878.

Dy xhamitë e lartcekura, sot janë në gjendje të mirë, janë rinovuar dhe janë në listën e monumenteve të mbrojtura nga shteti, gjenden jo shumë larg njëra-tjetrës, bukuria arkitektonike e të cilave e ka përvetësuar edhe shkrimtarin M. Kuteli, kur thotë: “Afër Xhamisë të Sinan Pashës, e të shkojmë ngadalë, nëpër disa rrugë shumë të ngushta e të drethuara (mua këto më pëlqejnë më shumë se rrugët monotonisht të drejta, të hapura me litar, të qyteteve të rinj) gjer te xhamija e Bajrakliut. Përpara kësaj Xhamie me minare çuditërisht të hollë, si fije kallmër....... Është mirë të rish disa orë këtu në oborrin e Bajrakliut (dhe unë pata ndenjur, shumë radhë) se uji i çezmave dhe shushëllimi i vijës të preh, po ne sot kemi për të bredhur më”.

Image

Mitrush Kuteli

Teqetë

Qyteti i Prizrenit, në kuadër të pasurisë së trashëgimisë kulturo-historike ka edhe teqetë, nga të cilat, edhe sot e kësaj dite, disa sosh qëndrojnë. Kjo pasuri nuk ka mundur t’i ikte as M. Kutelit, i cili shkruan: “Sa qetësi në oborr! Një shatrivan, me ujë të kulluar, nën një pjergull. Një trëndafil i çelur, një zog që këndon....,Varret e para janë varre jabanxhinjsh, miq të Teqesë që i arriti vdekja aty. Varret e tjera janë të baballarëve të Teqesë, dyke filluar me Sheh Osmanin, dhe pas tij, Sheh Ahmeti, Sheh Sinani e katër të tjerët”. Hulumtimet tona na rezultojnë se teqeja e përmendur nga autori, është Teqeja e tarikatit “Halveti” në Prizren, e njohur edhe ndryshe edhe si “Teqeja e Saraçhanes”. Kjo teqe sot gjendet në qendër të qytetit, prapa Hotelit “Theranda” dhe sipas studiuesit Nehat Krasniqi është themeluar në vitin 1713 nga Sheh Osman Baba, emër i cili përmendet edhe nga M. Kuteli në përshkrimin e tij. Mund të thuhet se sot kjo teqe është ndër më të vizituarat në Prizren.

Kishat ortodokse

Ka disa kisha ortodokse në qytetin e Prizrenit. Të gjitha ato kisha, që sot gjenden në pjesën historike të këtij qyteti, janë monumentale. Por, M. Kutelit i bën përshtypje njëra nga këto e kisha, e njohur si “Kisha e Shën Spasit”. Të dhënat e ofruara janë me interes për studiuesin sot. Autori shkruan: “Që aty te lumi duket, mbi një kodër, Kisha e Shën Spasit ose Kisha e Gogëve (e vllehëve) si i thotë populli. Kjo ka historinë e saj. Sërbët e kanë djegur disa herë në kohën e Turkut”. Ashtu siç e përshkruan autori, kjo kishë edhe sot qëndron në pjesën historike të Prizrenit, në zonën e Nënkalasë dhe është ndërtuar rreth viteve 1333-1335, është kishë mesjetare dhe nën mbrojtjen shtetërore. Edhe pse sot kjo kishë, llogaritet si kishë serbe, M. Kuteli është i mendimit se :“kjo kishë nuk është serbe“.

Të dhënat e M. Kutelit, për këtë kishë, bëhen edhe me interesante për ne sot, kur kemi parasysh se këto fakte nuk thuhen kaq troç në historiografinë tonë. M. Kuteli shkruan se kjo kishë ishte shqiptare. Ndërsa për organizatën joqeveritare franceze “Trashëgimia pa kufij (Patrimoine sans frontiers)”, e cila në vitin 2005 ka bërë disa ndërhyrje me qëllim të rehabilitimit, pas djegies, si pasojë e ngjarjeve të marsit të vitit 2004, në publikimin zyrtar thuhet: “Për arsye të panjohura, puna u ndërpre: vështirësi financiare, probleme teknike me tokën, rivalitet në mes të serbëve dhe vllahëve? Megjithatë në vitin 1882, një zjarr shkatërroi dhe dëmtoi afresket e kishës mesjetare, e cila së shpejti do të përdorej vetëm për raste të veçanta dhe festa fetare”. Kurse, në të dhënat nga botimi i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, me titullin “Kosova-vështrim monografik” (2011), për këtë kishë shkruhet se “në vitin 1836 u restaurua dhe zgjerua nga ana e vllahëve që jetonin në Prizren”.

Urat dhe mullinjtë

Qyteti i Prizrenit njihej në të kaluarën për një zhvillim ekonomik dhe se në këtë qytet janë ushtruar disa zeje të kohës. Gjithashtu, gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare, Prizreni ishte i njohur edhe për eksportin e disa prodhimeve vendore, sidomos eksporti i drithërave zinte vendin e parë, i cili dëshmon, se ky produkt, edhe është përpunuar në këtë qytet. Meqë Lumëbardhi kalonte përmes këtij qyteti, atëherë edhe mullinjtë ishin ndërtuar pranë këtij lumi. Se mullinj ka pasur edhe pas Luftës së Dytë Botërore në këtë qytet, këtë e ruajnë në kujtesën e tyre edhe disa banorë të kësaj ane. Sot, fatkeqësisht, në rrjedhën e Lumëbardhit, në qytetin e Prizrenit, nuk ekziston ndonjë i tillë.

Në vitin 1943, M. Kuteli shkruan për urat e shumta mbi Lumëbardhë e deri tek ura e fundit e drunjtë. Të gjitha këto, autori i përshkruan në këtë mënyrë: “Ja, të kalojmë së bashku Urën e gurtë me harqe venetike...., Mos qëndroni fort këtë radhë në urat për të vështruar ujët e shkumbëzuar që rrjedh poshtë e as mullinjtë e shumtë. Pa fjalë se këta janë më të mirë, se ai i Xha Brahos të Shkumbanices. Kanë nga pesë e gjashtë gurë. Arrijmë tek ura e fundit-urë e drunjtë. Duhet ta kalojmë”. Ndërsa, sipas studiuesit Hasan Kaleshi, Prizreni, sipas Salnamesë (Vjetarit) të vitit 1892, kishte “5 ura materjali të fortë” dhe “125 mulli të cilët gjithë vjetin punojnë”. Ekzistencën e mullinjve e potencojnë edhe disa nga të intervistuarit tanë që thonë se “prej hyrjes në Prizren nga Marashi e deri te rrjedha e Drinit të Bardhë ka pasur shumë mullinj, por tash ekziston vetëm një dhe njihet si “Mullinji i Tabakhaneve”, d.m.th. emri i tij është sipas lagjes ku ka ekzistuar dhe ku është sot ky mulli, por jashtë funksionit.

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë