Kulturë

“Vera andrron detin” mirëpritet në Venecie

Descriptive Text

“Vera andrron detin” është pritur me duartrokitje në festivalin më të vjetër të kinematografisë në botë.

Filmi me regji të Kaltrina Krasniqit e skenar të Doruntina Bashës, është dhënë premierë botërore në edicionit e 78-të të Festivalit të Filmit në Venecie. Ky projekt filmik garon në kategorinë “Orizontti”, ku konkurron për filmin më të mirë, regjinë më të mirë, çmimin Special të Jurisë, aktorin dhe aktoren më të mirë, si dhe për skenarin më të mirë.

Regjisorja e filmit Kaltrina Krasniqi është e pranishme në festival bashkë me një pjesë të ekipit, ndër të cilët janë aktorët Teuta Ajdini- Jegeni, Refet Abazi, Astrit Kabashi, Alketa Sylaj dhe Arona Zymberi.

Producenti i filmit, Shkumbin Istrefi, dy orë pas premierës i ka thënë KOHËS se filmi është pritur shumë mirë dhe ka marrë shumë lëvdata.

“Filmi është pritur shumë mirë dhe kemi pasur lëvdata nga audienca më vonë. Filmi është përjetuar shumë mirë. Përafërsisht 10 minuta duartrokitje i kemi marrë në fund të filmit”, i ka thënë Istrefi KOHËS.

Krasniqi, premierën në Venecie e kishte cilësuar si një ëndërr të realizuar dhe si mundësi të mirë për promovimin e Kosovës.

Të mërkurën në intervistë për kanalin zyrtar të Bienales, Krasniqi ka folur për peshën e filmit.

“Nganjëherë mendon se po e jeton një jetë të varfër. Pastaj e shikon një film dhe ju zhyteni në këtë eksperiencë, prej së cilës mëson shumë. Të duket sikur jeton me këta njerëz, i kupton dhe i ndjen ata dhe mëson nga ta. Mendoj se të bërit film e bën jetën më të lehtë për njerëzit që i realizojnë ato. Kurse, njerëzit që i shikojnë atë zhyten në një eksperiencë që nuk kanë munduar as ta imagjinojnë. Dhe kjo është e bukura e gjithë kësaj” .

“Vera andrron detin” trajton fatin e Verës (64-vjeçare), e cila interpreton gjuhën e shenjave. E zhytur në një atmosferë të tensionuar, “Vera andrron detin”, siç përshkruhet, është një portret intim, por edhe universal i një gruaje, e cila lufton një realitet të vrazhdë të pabarazisë gjinore thellë të rrënjosur në shoqëri edhe në ditët e sotme.

Gjatë qëndrimit në Venecie, një pjesë e ekipit përmes mbishkrimit në bluza ka ironizuar me faktin se kosovarët nuk mund të udhëtojnë lirshëm në Evropë.

Festivali i Filmit në Venecia i hapur më 1 shtator me shpresën që publiku t’u rikthehet kinemave, sivjet sjell filma nga 59 vende të ndryshme të botës. Ceremonia përmbyllëse do të mbahet më 11 shtator, ku do të ndahet çmimi “Luani i Artë”

Image