Kulturë

Koha e grave në industrinë e filmit në Kosovë

Në çdo rrethanë do të konsiderohej një vit i jashtëzakonshëm për një vend prej dy milionë banorësh, që hapi shkollën e parë të filmit 20 vjet më parë. Por kur kemi në sfond një luftë shkatërruese, tronditjet e së cilës ende mund të ndihen, ngritja e industrisë së filmit kosovar është një nga historitë e suksesit më të pamundur në kinemanë botërore sot. Është një rritje që drejtohet kryesisht nga gratë, të cilat vitet e fundit kanë filluar ta shfrytëzojnë mundësinë për të sjellë jetën dhe historitë e tyre në ekran

(Variety) – Mes gjithë tmerreve të një dekade lufte që ajo do të donte ta harronte, një kujtim dallohet nga regjisorja kosovare Kaltrina Krasniqi: ditën kur nëna e saj e befasoi familjen me një “VHS player”. “Ne ishim shumë të emocionuar”, thotë ajo për “Variety”. “Nuk besuam se ishte e vërtetë derisa ajo e hapi”.

Duke filluar me shpërbërjen e ish-Jugosllavisë më 1991 deri në përfundimin e luftës së përgjakshme të Kosovës më 1999, Krasniqi dhe familja e saj kaluan pjesën më të madhe të viteve '90 të fshehur në banesën e tyre, duke dalë herë pas here në videoklubin “007” matanë rrugës për të marrë filma me qira. “Nuk ishte e sigurt të ishe jashtë”, thotë ajo. “Kaluam tërë dekadën duke përdorur atë VHS player për të parë filma”.

Ishte fillimi i lidhjes së dashurisë së regjisores me kinemanë dhe hapi i parë në një udhëtim që këtë javë e çon atë në Festivalin e Filmit në Venecia për premierën botërore (sot v.j.) të debutimit të saj në film të metrazhit të gjatë, “Vera andrron detin” futet në kuadër të kategorisë “Orizzonti”. Ky mbulon një vit të sukseshëm për industrinë, ende të re, të filmit kosovar, i cili filloi me debutimin e Blerta Bashollit, “Zgjoi”, që fitoi tri çmime, përfshirë Çmimin e Jurisë së Madhe, në Festivalin e Filmit Sundance. Norika Sefa është një tjetër regjisore që për herë të parë e ndoqi atë triumf duke marrë një çmim special të jurisë në Rotterdam për filmin “Në kërkim të Venerës”. Dhe në Cannes, aktorja franceze-kosovare e kthyer në regjisore, Luàna Bajrami, e njohur për suksesin në rolin e saj në filmin “Portreti i një zonje në zjarr” të Celine Sciammas, u ngrit në debutimin regjisorial me “Luaneshat e kodrës”, në seksionin “Directors’Fortnight”.

Në çdo rrethanë do të konsiderohej një vit i jashtëzakonshëm për një vend prej dy milionë banorësh, që hapi shkollën e parë të filmit 20 vjet më parë. Por kur kemi në sfond një luftë shkatërruese, tronditjet e së cilës ende mund të ndihen, ngritja e industrisë së filmit kosovar është një nga historitë e suksesit më të pamundur në kinemanë botërore sot.

Është një rritje që drejtohet kryesisht nga gratë, të cilat vitet e fundit kanë filluar ta shfrytëzojnë mundësinë për të sjellë jetën dhe historitë e tyre në ekran. Në të kaluarën, thotë Krasniqi, “ne nuk i shihnim veten dhe historitë tona në filma”, duke vënë në dukje se gratë në kinemanë kosovare kishin kohë që kishin rënë në role dytësore. Megjithatë, pas luftës, regjisoret femra filluan të rishkruajnë skenarin. “Të trajtohesh gjatë gjithë jetës tënde si qytetar i klasit të dytë të jep qasje në lloje të veçanta të tregimeve”.

“Vera andrron detin” përqendrohet në një grua të moshës së mesme, vetëvrasja e papritur e burrit të së cilës lë në pikëpyetje pronësinë e shtëpisë së familjes në fshat. Një paradë e të afërmve kërcënues që përpiqen të marrin diçka. Fillojnë të dalin figura misterioze të nëntokës. Shumë shpejt gruaja, rolin e së cilës e luan Teuta Jegeni-Ajdini, detyrohet të përballet me paragjykimet gjinore dhe me pabarazitë e një sistemi ligjor që vazhdon t’i privilegjojë burrat.

Me skenar të Doruntina Bashës, filmi është i inspiruar pjesësrisht nga nëna e Krasniqit, e cila u divorcua nga burri i vet në vitet ’80 dhe i shpenzoi katër vjet duke luftuar në gjykatë për ta mbajtur pronën që me të drejtë i takonte asaj. Në fund, ajo detyrohet ta braktisë luftimin kur kuptoi se i kushtonte të vazhdonte. Për Krasniqin, ngjarja është emblemë e grave të brezit të nënës së saj, të cilat “duhej të negocionin lirinë e tyre në baza të përditshme”.

Që atëherë shumë gjëra kanë ndryshuar, me luftën katastrofike të viteve 1990 që shkaktoi një dëm fizik dhe psikologjik të pallogaritshëm në një vend që ende po përpiqet të bashkojë copat. Në shumë raste ishin gratë ato që mbetën të rindërtojnë, pasi mijëra burra ose u vranë ose u zhdukën gjatë luftës.

Ato kanë krijuar vende stabile dhe fitimprurëse në Kosovë që nga ajo kohë – përfshirë këtu edhe nivelet më të larta të Qeverisë, ku presidenti dhe gati 40 për qind e Parlamentit janë gra – diçka që Krasniqi vlerëson se ka ardhur falë sakrificave të gjeneratës të nënës së saj.

“Shoqëria jonë ka kaluar nëpër ndryshime të mëdha dramatike në një kohë shumë të shkurtër. Unë nuk mund ta imagjinoj një jetë ku unë duhet ta diskutoj lirinë time në çdo hap”, thotë ajo. “Për mua të ndihesh si ndihem unë, të jesh e lirë dhe e pavarur siç jam unë, kjo është lufta për të cilën nëna ime ka luftuar”.

Ajo luftë i ka mundësuar një gjenerate më të re të grave ta gjejnë zërin e tyre përmes filmit dhe t’i sjellin eksperiencat e tyre në ekran.

“Zgjoi” është bazuar në një ngjarje të vërtetë të një vejusheje të luftës, e cila lufton me vendosmëri kundër qëndrimeve patriarakale të fshatit të saj në kërkim të pavarësisë. Në filmin “Në kërkim të Venerës” një grua e re që lufton me seksualitetin e saj përpiqet ta gjejë veten në një qytet të vogël prej së cilës pritet, mbi të gjitha, ta mbrojë emrin e familjes. Dhe “Luaneshat e kodrës” tregon historinë e tri grave të reja me shpirt të lirë që përpiqen ta imagjinojnë një të ardhme përtej traditave mbytëse të atdheut të tyre.

Megjithëse historitë e tyre janë të rrënjosura në Kosovën bashkëkohore, ato kanë lënë gjurmë në një kohë kur lëvizja më e gjerë për barazinë gjinore ka nxjerrë në pah gjithnjë e më shumë zërat e grave.

“Gratë dhe grupet e tjera të margjinalizuara... janë lënë gjithmonë mënjanë”, thotë Krasniqi. “Patriarkati nuk u shpik në Ballkan”.

Arben Zharku, ish-drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, vëren se suksesi i papritur i industrisë është në fakt dëshmi e një përpjekjeje njëdekadëshe për të hedhur një themel që u mundëson kineastëve të lulëzojnë. QKK-ja si institucion i ka mundësuar kësaj industrie të vogël t’i krijojë lidhjet ndërkombëtare, krijimin e partneriteteve me shkollën e filmit dhe televizionit FAMU të Pragës, punëtorinë e producentëve EAVE, Festivalin e Filmit Les Arc dhe Laboratorin në Rotterdam, për të rritur mundësitë e edukimit dhe trajnimit për të gjithë kineastët kosovarë. “Nuk është se menduam se duhet t'i mbështesim gratë pak ose shumë”, thotë Zharku. “Thjesht, vjen natyrshëm nëse ndërtoni një sistem të mirë”.

Nga ana e tyre, kineastët kosovarë po përpiqen të ndërtojnë diçka mbi këtë themel, me përpjekjet për të krijuar një shoqatë regjisorësh për të lobuar në emër të industrisë.

“Është një komunitet i vogël, dhe unë mendoj se ne jemi duke u lidhur edhe më shumë tani”, thotë regjisorja e filmit “Zgjoi”, Basholli, e cila punoi si asistente e regjisores në filmin “Martesa” të Blerta Zeqirit, dhe “Në kërkim të Venerës” të Sefës. “Nuk është një garë. Unë mendoj se ne jemi thjesht të lumtura për sukseset e njëra-tjetrës, dhe po përpiqemi ta ndihmojmë dhe ta shtyjmë njëra-tjetrën të shkojë përpara”.

“Më e bukura tani është se kinemaja ka pasur një vit të artë”, shtoi Sefa. “Është koha jonë. Nuk duhet ta lëmë të na ikë”.

Marrë nga “variety.com”. Përktheu: Eronita Kqiku. Titulli është i redaksisë