Kulturë

“Rrëqebulli i Argjendtë” në harmoni me pandeminë, pret fituesin

Transformimi i formatit të ngjarjeve në harmoni me masat e pandemisë tashmë është bërë thuajse i rëndomtë. Nëse arti e kultura në përgjithësi do të vazhdojnë ta kenë kryefjalë përshtatjen, është çështje e hapur, por Gara e Kompozitorëve Ballkanikë me ngulm e ruan synimin: promovimin e kompozitorëve të rinj. Kësisoj, të hënën pasdite është hapur edicioni i dytë i kësaj gare bienale me interpretimin e veprave të gjashtëshes finaliste e arritja deri te publiku – edhe me ngjarjet që do të pasojnë – bëhet edhe nëpërmjet platformave online

Kur u themelua më 2018, zor se mund t’i ketë shkuar mendja kujt për ndonjë pandemi që do t’i jepte tjetër kah botës. Por qëllimi i Garës së Kompozitorëve Ballkanikë në Prishtinë ishte i qartë: promovimi dhe përkrahja e kompozitorëve të rinj. Kjo ka bërë që organizatorët të ndërrojnë format, por në thelb ta çojnë përpara projektin e tyre.

Të mbledhur në “Paper Gallery” në Prishtinë, të hënën themeluesit e organizatorët e Ballkan Composers Competition in Prishtina (BCCP) kanë “prerë shiritin” e edicionit të dytë. Me pak veta në sallë, ata kanë dëgjuar veprat e kompozitorëve finalistë. E publiku i gjerë ka mundur ta ketë koncertin afër nëpërmjet platformave online.

Për të pranishmit që bashkë me publikun e kanë parë koncertin online nëpërmjet ekranit, flautistja Susanne Peters ka interpretuar veprat e gjashtë finalistëve. Arda Bayram (Turqi), Bardh Dubovci (Kosovë), David Mastikosa (Bosnjë-Hercegovinë), Deniz Aslan (Turqi), Petra Strahovnik (Slloveni) dhe Tomislav Oliver (Kroaci), janë emrat e finalistëve. Fituesi i garës do të bëhet i ditur më 10 shtator.

Dardan Selimaj, themelues dhe drejtor artistik i festivalit “DAM”, që ka themeluar BCC-në bashkë me Rreze Kryeziu-Breznicën, drejtoreshë e përgjithshme e Festivalit DAM, u ka uruar mirëseardhje të pranishmëve që ishin në numër të vogël e gjatë gjithë kohës me masa mbrojtëse kundër koronavirusit.

“Do të shikoni koncertin para se të jetë online për publikun. Do të kemi videon, më pas do të kemi muzikë me DJ”, ka thënë Selimaj.

E dirigjenti Gregory Charette, i cili e udhëheq ansamblin “Oerknal” të Holandës, ka thënë se u është mirënjohës organizatorëve që në kushte pandemie bëjnë të mundur nxjerrjen e krijuesve në pah.

“Jemi në kohë shumë të vështira dhe janë shumë koncerte që janë anuluar në botë, por ne kemi këtë platformë të krijojmë art, muzikë dhe të kultivojmë lidhje midis kulturave, vendeve e njerëzve. Ju falënderoj shumë për krijimin e kësaj platforme”, ka thënë ai. Ka falënderuar edhe studentët e pranishëm për punën që kanë bërë në organizim të ngjarjes.

Edhe sivjet BCCP vjen si rezultat i bashkëpunimit të “DAM Fest” (Kosovë) dhe kolektivit “Oerknal” (Holandë). Fillimisht edicioni i sivjetmë planifikohej të ishte në format hibrid, por masat e reja të shtetit për të parandaluar shpërndarjen e koronavirust në fillim të muajit kanë bërë që ngjarja të mbahet vetëm online. Siç kanë treguar organizatorët, përveç garës e cila nga gjashtë finalistë do të nxjerrë fituesin e çmimit kryesor “Rrëqebulli i Argjendtë”, BCCP ka edhe programin artistik i cili këtë vit sjell katër koncerte, radio-performancë me DJ set dhe “DAMcademy” që është shkollë për muzikën e re.

Pas hapjes së edicionit nëpërmjet “Paper Radio”, DJ “HIMSAINTCHRIST” ka performuar për dëgjuesit e radios dhe po ashtu në platforma të tjera online.

Sivjet gara bienale ka qenë e hapur për kompozitorë të lindur pas 1 janarit të vitit 2003 dhe u është kërkuar të shkruajnë një vepër për solo-flaut prej 3 deri në 5 minuta. Gara është zgjeruar edhe gjeografikisht. Të drejtë konkurrimi kanë pasur kompozitorë nga 12 shtete të Ballkanit: Bosnjë-Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Kosova, Kroacia, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania, Serbia, Sllovenia, Shqipëria dhe Turqia.

“Po ashtu jemi jashtëzakonisht të lumtur që garës i janë bashkuar tre emra eminentë të muzikës bashkëkohore: kompozitori holandez Klaas de Vries (kryetar i jurisë), flautistja amerikano-gjermane Helen Bledsoe dhe kompozitori iranian Ashkan Behzadi i cili jeton e vepron në Kanada”, kanë njoftuar organizatorët.

Përveç çmimit kryesor, “Rrëqebulli i Argjendtë”, i cili shpërblehet me 500 euro dhe një vepër të re të komisionuar për “DAM Fest” 2023, do të ndahet edhe çmimi i publikut i cili përcaktohet me votën online dhe i cili përfshin edhe vepër të komisionuar për programin e “BCCP 2023”. Kësisoj, BCCP është duke vazhduar qëllimin e vet për krijimin e një programi për kompozitorë nga vendet e Ballkanit të cilët mund të punojnë me instrumentistë e ansamble të klasit botëror për muzikë bashkëkohore. Ky program u mundëson kompozitorëve të zgjedhur që të punojnë drejtpërdrejt me anëtarët e ansamblit “Oerknal”.

Në kuadër të edicionit të sivjetmë, të mërkurën do të mbahet koncerti digjital “Discrete Species” (llojet e veçuara) me Douglas Farrand dhe Chritian Smith. Të enjten do të vazhdohet me koncert digjital, por kësaj radhe do të interpretojë Gregory Charette në ngjarjen e titulluar “Music in Fifths” (Muzikë në të pestat). Të premten do të mbahet koncerti digjital “Sweet and Silent Harmonies” (Harmonitë e ëmbla dhe të heshtura) nga “Oerknal” nga Holanda. E të hënën, studentët e Akademisë në kuadër të këtij edicioni do të interpretojnë në një koncert të veçantë digjital.