Kulturë

Humoristi që theu zymtësinë e shqiptarëve në vitet e regjimit

Në vend të kurorave e homazheve, bashkëpunëtorë të afër të tij me të cilët ka ndarë skenën për vite e vite, por edhe personazhe publike të jetës kulturore e politike, të dielën, një ditë pas vdekjes, Paulin Prekës ia kanë dhënë lamtumirën nëpërmjet kujtimeve me të e për të. Humorist brilant e shpotitës, koleg i afërt e këshillëdhënës dhe njeri që humorin, pos skenës e bartte me vete edhe në shtëpi e shoqëri, është përshkruar ai pas kumtit se vdiq në Romë të Italisë

Në historinë e humorit shqiptar pa ndonjë alamet hulumtimi, shpejt konstatohet se Shkodra zë vend të veçantë si qytet prej ku burojnë barsoletat më fine. Prin edhe sa u përket aktorëve të humorit. E midis elitës pozicionohet edhe Paulin Preka. Humorist brilant e shpotitës, koleg i afërt e këshillëdhënës dhe njeri që humorin, pos skenës e bartte me vete edhe në shtëpi e shoqëri, është përshkruar ai, pas kumtit se vdiq në Romë të Italisë. Ai ishte 86 vjeç. Të dielën, një ditë pas vdekjes së tij, në vend të kurorave e homazheve, bashkëpunëtorë të afër të tij me të cilët ka ndarë skenën për vite e vite, por edhe personazhe publike të jetës kulturore e politike, Prekës ia kanë dhënë lamtumirën nëpërmjet kujtimeve me të e për të.

I rritur në skenë prej moshës 8-vjeçare, Preka ishte prej portreteve më të kompletuara në estradën e humorit shqiptar. Për këtë edhe ishte dekoruar me urdhrin presidencial “Mjeshtër i Madh”.

I lindur më 2 shkurt 1935 në një familje jo fort të kamur shkodrane, duhet të ketë qenë midis klasës së dytë e të tretë të shkollës fillore kur u bë pjesë e shoqërisë artistike të asaj që edhe sot njihet si Kisha-Katedrale e qytetit verior. Asokohe fëmijë dhe të rinj mblidheshin jo vetëm në aktivitetet fetare, por edhe për aso kulturore e edukative. Mundësia për të pasur qasje në vepra të letërsisë botërore veç sa e pasuronte këtë grupim.

Pas përmbysjes së sistemeve që ndërronin shpesh gjatë Luftës së Dytë Botërorë në Shqipëri dhe ardhjes së pushtetit komunist, në Shkodrën e viteve 1947-1948 do të hapej Shtëpia e Pionierit. Preka do të angazhohej edhe në këtë organizim, ku në fillim të viteve ‘50 u shfaqën tri drama për fëmijë të autorit rus Arkady Gaidar, një shkrimtar i njohur për fëmijë në Bashkimin Sovjetik e pjesë e lindjes komanduese të Ushtrisë së Kuqe. Pikërisht në dramat e tij, Preka që në rini do të shpaloste talentin e tij.

Viti 1953, sipas një biografie të tij, do ta gjente në Shtëpinë e Kulturës. Emri i tij është në listat e kastës e premierës së estradës së qytetit “Estradë në penxhere” nën regji të Andrea Skanjetit. Midis të tjerëve, në këtë shfaqje luante edhe Tano Banushi, një tjetër emër i madh i humorit shqiptar. Kjo shfaqje llogaritet të jetë edhe hapi i parë i estradës së humorit në Shkodrën nën regjim të ri.

Qysh si i ri, Paulin Preka do të përjetonte realizmin socialist në art. Më 1954 te Klubi i Punëtorëve u ftua të luante te drama bullgare “Traktoristët”, me regjisore Violeta Sekuj. Pikërisht me këtë dramë do të konkurronte në organizimin e atëhershëm “Takimi Zonal i Veriut”, ku u shpall laureat i kësaj gare, duke u vlerësuar me diplomë nderi për interpretim të lartë artistik.

Më pas, sipas biografisë së publikuar pas vdekjes, të shtunën, për rreth 9 vjet punoi si aktor drame duke interpretuar disa role kryesore. Veçohet për rolin në dramën “Këneta” të regjisorit Esat Oktrova. “Fotografi”, “Kola i dritave”, “Familja-A, familja-B”, “Tuçi e Lokja”, “Dasme e Refikut”, “Mini e Minusha”, janë disa prej dramave ku ka luajtur Preka. Pas demokratizimit të Shqipërisë në vitet ‘90 ishte angazhuar në projekte të RTSh-së. Me të pjesë e historisë u bë “Sofra shkodrane”, që shpalosej rëndon në programin e Vitit të Ri, e që vazhdon edhe sot, por që tashmë është shndërruar joformalisht në trashëgimi shpirtërore shqiptare. Në vitet e fundit të jetës së tij, Paulin Preka jetonte në Romë bashkë me familjen.

Kolegët e tij e vlerësojnë shumë.

Paulini ka qenë aktor shumë i mirë, i besueshëm, i vërtetë. Spektatori e ka parë veten kur ka parë Paulin Prekën. E ka mbajtur gjallë estradën profesioniste të Shkodrës me shkrimet e tij humoristike, me regjinë e tij, me batutën e tij të famshme”, ka thënë për mediat shqiptare humoristi Besnik Çinari. Si aktor që shkëlqente, është vlerësimi që i ka bërë Drane Xhaj.

“Një nga aktorët më të shkëlqyer të skenës së humorit shqiptar. Paulin Preka ishte super-profesor për mua. Jam ndier shumë e sigurt në skenë. Sepse çdo artist të kishte partner Paulin Prekën ishte një mrekulli. Unë kam humbur një mik, një prind dhe një koleg të mrekullueshëm, sepse Paulin Preka ishte jo vetëm partner, jo vetëm koleg, por ishte si prind për mua”, ka thënë ajo.

Sipas aktorit Zef Deda, Paulin Preka ishte gjithnjë në skenë.

“Mjeshtri i madh, asnjëherë nuk e ndau skenën, qoftë në shtëpi, qoftë në shoqëri. Dhe gjithmonë aty rrinte. Me pasion e me shpirt, e me dashuri të madhe. Si të ri i kishim sytë te ai, sepse donim të kuptonim cila ishte e forta dhe e sinqerta për spektatorin“, ka thënë ai.

Udhëheqës shtetërorë e njerëz me ndikim në jetën publike shqiptare kanë shprehur ngushëllime për kolegët e familjarët e Prekës.

Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka thënë se ndarja nga jeta e “Mjeshtrit të Madh”, Paulin Preka lë pas një boshllëk të madh dhe të pazëvendësueshëm në artin shqiptar.

“Shkodra humbi një personalitet që simbolizonte humorin e saj brilant dhe shpotitës, ndërsa teatri dhe kinematografia një aktor me dimensione të mëdha, që me karakteret dhe rolet e dashura që luajti i dha rreze gëzimi një populli të izoluar në errësirë për dekada”, ka shkruar ai në Facebook. Sipas Metës, i skalitur në memorien e publikut shqiptar, kujtimi i tij do të mbetet i paharruar dhe gjithmonë i respektuar.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka thënë se arti dhe artdashësit shqiptarë janë në zi për ndarjen nga jeta të aktorit të madh Paulin Preka.

“Pinjolli i humorit shkodran do të mbetet pjesë e plejadës së aktorëve të shquar të teatrit dhe kinematografisë shqiptare. Me humorin e tij ai i dha ngjyra zymtësisë së jetës së shqiptarëve në vitet e regjimit komunist”, ka shkruar Basha.

E kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, ka thënë se kumti për vdekjen e Prekës është një lajm shumë i trishtueshëm për familjen, kolegët, miqtë e të njohur, por edhe për artin shqiptar. “Me një karrierë brilante në skenë dhe në ekran, ‘Mjeshtri i Madh’- Paulin Preka- ka krijuar një epokë, duke u rreshtuar ndër kolosët e artit shqiptar”. Ka shkruar ajo në Facebook.

Trashëgimia e Prekës prek disa dekada. Janë prej atyre dhjetëvjetëshave më të zymtë në historinë e shtetit shqiptar. Të kohës kur edhe e qeshura mund të të çonte në burg.