Kulturë

Kujtesa familjare nga artefaktet te mesazhi për botën

Dikur sociologu francez, Maurice Halbwachs, kishte vlerësuar se “lidhja e një martese të re është edhe krijim i një kujtese të re”. Edhe familja, si njësia themelore e shoqërisë, është laborator krijues i kujtesës kolektive. Ky “muze” kujtesor përbëhet nga origjina, gjenealogjia, prindërit, anëtarët e familjes, shtëpia e gjërat materiale e elemente të ngjashme. Kurdo që ekziston vullneti për t’i prezervuar ato, këto artefakte arrijnë të bëhen “shenja të rëndësishme simbolike, madje të paraqesin edhe një lloj portreti familjar”. Në linja të tilla është shpalosur ligjërata e profesorit të sociologjisë, Shemsi Krasniqi, në kuadër të punimeve të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare

Artefaktet ose gjërat materiale të shtëpisë jo në të gjitha rastet heshtohen nga pluhuri i viteve dhe harresës. Kurdo që vëmendja e njerëzve bie mbi to, ato përftojnë koncepte që kanë domethënie e mesazhe kundrejt gjendjes lokale dhe asaj globale. Kujtesa familjare është përbërëse e kujtesës kolektive, ashtu që sociologu francez, Maurice Halbwachs, dikur e konsideronte familjen si kornizë të rëndësishme të kujtesës. E gjithë kjo e përmbledhur domethënshëm në fjalët e tij se “lidhja e një martese të re është edhe krijim i një kujtese të re”.

Një shkërmoqje e raportit të kujtesës familjare kundrejt botës është shpalosur të hënën nga profesori i sociologjisë, Shemsi Krasniqi, në kuadër të ditës së gjashtë të punimeve të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare.

Sipas tij, kujtesa familjare lidhet më shumë me aspekte të jetës familjare, të tilla si origjina dhe gjenealogjia, prindërit dhe anëtarët e familjes, shtëpia dhe vendbanimi, gjërat materiale dhe objektet, prona dhe pasuria, profesionet dhe veprimtaria, mënyra e jetesës, ngjarjet e rëndësishme, fjalët dhe veprimet, dijet, rrëfimet dhe sentimentet, etika, tradita dhe zakonet, lidhjet shoqërore, statusi social, besimet, ritualet dhe praktikat sociale.

“Në këtë rast, kujtesën familjare e kemi lidhur vetëm me gjërat materiale (artefaktet) e shtëpisë, që dikur kanë qenë funksionale, por për shkak të ndryshimit në mënyrën e jetesës kanë mbetur si mbijetoja (survinanca) nga kohërat e mëparshme”, ka thënë Krasniqi teksa ka shpalosur në formë prezantimi ligjëratën e tij “Kujtesa familjare si ndërlidhje estetike e botës”.

“Një lloj portreti familjar”

Ai ka shpjeguar se parakusht për ripërdorimin e tyre është ruajtja prej shkatërrimit, dëmtimit, humbjes dhe tjetërsimit. Me një kujdes të vogël, ka vijuar më tej ai, por edhe me shprehi e pasion, objektet e vjetra mund të fitojnë status të privilegjuar e të bëhen “shenja të rëndësishme simbolike, madje ato paraqesin edhe një lloj portreti familjar”.

Me këtë rast, sociologu Krasniqi ka shpalosur nëpërmjet fotografish muzeun e tij familjar nga fshati Grashticë në trevën e malësisë së Gollakut.

Me një fond të tejmbushur me vegla bujqësore, tapisteri e fotografi gjithfarësh, ai ka shpjeguar se si kujtesa familjare përbëhet edhe nga ato gjëra të vogla, siç janë dokumentet e ndryshme, bileta treni apo edhe një librezë e vjetër anëtarësie në të dikurshmen Bibliotekë Popullore të Kosovës.

Në vazhdim, ai ka shpalosur edhe ekspozitën e tij të vjetme “Artefakte”, e cila ishte fryt i punës së tij artistike në kushtet e karantinës.

“Vjet teksa po rendisja disa artefakte për t’i fotografuar, krejt rastësisht erdha tek ideja që kombinimi i tyre mund të sjellë koncepte e mesazhe”, ka shpjeguar Krasniqi për ekspozitën që përmban prej portreteve e deri te figurat mitologjike.

“Kujtesa familjare që tejkalon edhe vetë familjen”

Duke përmbledhur gjithë shpalimin, Krasniqi është shprehur se kujtesa familjare mund të ruhet e të tejçohet në mënyra të ndryshme, ashtu sikundër edhe të zgjerohet e pasurohet me elemente të ndryshme, përfshirë edhe gjëra të thjeshta e të parëndësishme.

“Gjërat e kujtesës dhe trashëgimisë familjare duhet të ruhen ose prezervohen, e ato mund edhe të muzealizohen, vizuelizohen, estetizohen e pastaj edhe të shpjegohen e interpretohen për brezat e ardhshëm”, ka thënë ai.

Sociologu Krasniqi, tutje, ka shpjeguar se kujtesa familjare nuk ka elemente vetëm familjare, por përmban edhe elemente shoqërore të përgjithshme, elemente të epokës historike ose zhvillimore lokale e globale. Gjithnjë sipas tij, përdorimi artistik i elementeve të kujtesës familjare mundëson ndërlidhjen estetike të botës, ndërlidhjes mes brezave në kuptimin kohor, mes vendeve dhe grupeve shoqërore në kuptimin hapësinor, mes kulturave dhe qytetërimeve në kuptimin botëror.

“Ndërlidhja estetike e botës nuk është vetëm një hijeshi estetike, por është edhe revoltë, refuzim, është ironi, kritikë, thirrje, veprim dhe angazhim për një botë më të mirë, më të drejtë dhe më të sigurt. Është edhe thirrje për shpëtimin e planetit tokë si shtëpi e përbashkët jo vetëm për njerëzimin, por për të gjitha qeniet e tjera që banojnë në to. Ndërlidhja estetike e botës është një lojë miqësore mes unitetit dhe diversitetit, konstantes dhe fluiditetit, lokales dhe globales, familjares dhe planetares”, ka përfunduar Krasniqi.

Profesor në departamentin e Sociologjisë pranë Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, Shemsi Krasniqi studimet themelore i mbaroi në degën filozofi-sociologji në UP, kurse masterin në departamentin e Etnologjisë në Universitetin e Strasburgut.

Në fokusin e studimeve të tij janë, përveç sociologjisë edhe etnologjisë, problemet mjedisore, kujtesa kolektive, trashëgimia kulturore e natyrore, si dhe arti shkëmbor. Duke përdorur metoda të ndryshme studimore, si pasionant i fotografisë, Krasniqi bazohet edhe në metodologjinë vizuale.

Është autor i librit “Etnokultura: natyra në kulturën popullore shqiptare” e botuar nga ASHAK-u, si dhe katalogut me fotografi “Artterren”, botim i Ministrisë së Kulturës.