Kulturë

“Zgjoi” merr “Hyjneshën e Artë”, çmimet kryesore të “PriFestit” i marrin artistët nga Kosova

Descriptive Text

“Prishtinë International Film Festival” ka përfunduar edicionin e 13-të. Një vit i cilësuar si sfidues nga organizatorët kryesisht për shkak të pandemisë, mirëpo edhe sfidave personale që kanë pasur gjatë kësaj kohe drejtuesit e festivalit, regjisori Fatos Berisha dhe producentja Vjosa Berisha. Një javë e jashtëzakonshme me rrethana të pazakonta që u përmbyll me ndarjen e çmimeve të dielën mbrëma.

Programi garues i filmave të Ballkanit si fitues solli projekte të cilat lanë gjurmë gjatë këtyre viteve në kinematografi. U dalluan veçanërisht projektet me regjisorë e aktorë nga Kosova.

“Zgjoi” nën regji të Blerta Bashollit u zgjodh filmi më i mirë në kategorinë e Ballkanit për “humbjet personale, vështirësitë për të lënë pas të kaluarën, vështirësitë për një të ardhme dhe puna e rëndë veçanërisht e grave që vuajtën për të rindërtuar një jetë për veten dhe fëmijët e tyre, janë thelbi i kësaj historie të fuqishme, strukturuar në mënyrë të mrekullueshme me një pamje vizuale që u mbetet në mendje për gjatë”.

Filmi tashmë e ka vënë Kosovën në vëmendje të kinematografisë botërore, prandaj është si një rikthim në shtëpi pas suksesit të shënuar deri tash.

“Këtë ‘Hyjneshën në fron’ që është shumë e bukur e simbol i Prishtinës, e marr për një film që trajton një grua që fuqizon çdo grua, burrë, djalë vajzë, që e shikon punën e saj, pra ja dedikoj Fahrije Hotit dhe të gjitha grave të Kosovës të cilat na inspirojnë çdo ditë”, ka thënë Basholli.

Çmimin për regjinë më të mirë e mori regjisorja Luana Bajrami për filmin e saj “Luaneshat e kodrës”.

“Ky çmim mendoj se e vlerëson filmin, punën tonë si ekip, por edhe rininë, gjeneratën e re dhe ta mbajnë mend se arti dhe artistët nuk duhet të paragjykohen, por vetëm të ndihmohen dhe të mbështeten”, ka thënë regjisorja.

Çmimin për aktoren më të mirë e kanë marrë treshja e filmit “Luaneshat e kodrës”: Flaka Latifi, Era Balaj, Uratë Shabani. Sipas regjisë, ato kanë gjetur balancën e duhur gjatë çdo imazhi e loje e veçanërisht për faktin se treshja tregohen të guximshme për të marrë fatin e tyre në duar.

“Edhe kinematografia e Kosovës tashmë është në duart e grave”, ka thënë juria. Aktori më i mirë u zgjodh Alban Ukaj për rolin e tij në filmin “Full Moon”, ku u vlerësua për një perforamcë që sipas jurisë shpërfaq një energji të jashtëzakonshëm e surprizuese.

Në programin garues të filmave dokumentarë, çmimin si dokumentari më i mirë e mori “The End Of Kings” nga Rémi Brachet. Sinqeriteti i regjisorit, afërsia me personazhet duke u dhënë njëkohësisht edhe hapësirë, është vetëm një nga arsyet sipas jurisë për përzgjedhjen e tyre. “Ky film është për gratë, për jetën, për atë se ne nuk duam të vdesim”, është thënë në vlerësimin e jurisë.

Çmimi për filmin më të mirë të metrazhit të mesëm e mori “JESUS EGON CHRIST“ nga David Vajda dhe Sasa Vajda, një film që sipas jurisë flet për njerëzit e thyer dhe për ata që hasin në probleme dhe e kanë të vështirë për të mbijetuar.

Në kategorinë “BestPitch”, çmimi i video post-produksionit dhënë nga kompania: “IN MY COUNTRY Production” nga Kosova i është ndarë projektit “2000: A post-war Odyssey” nga Zgjim Terziqi, Çmimi për Audio-post produksion dhënë nga kompania “AUDIOHAUS” nga Maqedonia, i është dhuruar projektit “The Sun , The Moon and the Eleven Stars” në regji të Emir Kulal Haznevit. Çmimin tradicional për “BestPitch” që ndahet nga “PriFest” e fitoi projekti “Të bërë prej pluhuri” në regji të Ajola Daja.

Çmimi vjetor për arritje në kinematografi ju nda regjisore Blerta Basholli për prezantimin që i bërë vendit me filmin e saj “Zgjoi”.

Çmimin “Global Winner Feature Film” e mori filmi “The Rival” nga Marcus Lenz, kurse Çmimin e jurisë së mediave “Mehrunisa” nga Sandeep Kumar.

Çmimi “FIPRESCI” e fitoi filmi “Full Moon” nën regji të Nermin Hamzagiq. Për herë të parë “PriFest” ndau çmim edhe për filmin më të mirë në kategorinë e filmave të shkurtër. Shpërbleu filmin “Shakira” nga Noemie Merlant.