Kulturë

Girfanova – studiuesja që lartësoi shqipen në Shën Peterburg

Vatra aktive e albanologëve rusë në Shën Peterburg te Albina H. Girfanova (1957-2018) kishte pasur një studiuese të pasionuar pas gjuhës e letërsisë shqipe. E formuar nga kryealbanologia ruse Agnia Desnickaja, Girfanova përherë e kishte pasur shqipen në qendër të interesimeve të saj shkencore. Më 1990, kur erdhi për herë të parë në Prishtinë me rastin e Seminarit Albanologjik, ajo kishte përimtuar leksikun autokton nё gjuhёn shqipe dhe nё gjuhët romane-lindore. Përveçse në mundësitë e saj e njohu opinionin rus me të vërtetën e Kosovës, Girfanova u interesua për zhvillimet e standardit në tri shtetet ku shqipja ka statusin e gjuhës zyrtare. Botim i Muzeut të Antropologjisë dhe Etnografisë në Shën Peterburg, libri “Balkan Area. Altaic Studies. General Lingustics. In Memoriam Albina H. Girfanova (1957-2018)” është përnjohje e kontributit të saj në gjuhët altaike, turkike dhe në shqip

54 studime janë bërë tok në një libër për të përnderuar shëmbëlltyrën e studiueses së shumëduartë ruse, Albina H. Girfanova. Me vokacionin e saj të pashuar për gjuhët altaike, në mjediset universitare në Shën Peterburg, ajo e pati dashuri të gjithëjetshme edhe shqipen. Ndarja e parakohshme nga jeta, më 2 shkurt të vitit 2018, nuk ka bymehur vlerësimin e kolegëve dhe bashkëpunëtorëve të saj kudo në qarqet albanologjike.

I botuar nga Muzeu i Antropologjisë dhe Etnografisë “Pjetri i Madh” (Kunstkamera), që funksionon në kuadër të Akademisë së Shkencave të Rusisë, libri “Balkan Area. Altaic Studies. General Lingustics. In Memoriam Albina H. Girfanova (1957-2018)” është përmbledhja studimore që ngërthen edhe subjekte nga albanologjia.

I promovuar të mërkurën pasdite në sallën “Idriz Ajeti” të Fakultetit të Filologjisë, në kuadër të punimeve të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, libri është vlerësuar nga albanologët e pranishëm si një mirënjohje për profilin e studiueses që në të gjallë të saj u bë urë lidhëse midis popujve e kulturave.

Në fjalën hapëse, Lindita Rugova, dekane e Fakultetit të Filologjisë, ka lexuar një profil përmbledhës të Albina H. Girfanovas, për të cilën ka evokuar edhe kontakte e njohje personale.

“Girfanova ishte një folëse e rrjedhshme e shqipes aq sa nuk dallohej se nuk ishte shqiptare”, ka thënë Rugova për të shtuar se interesimi i studiueses ruse qendërzohej për zhvillimet e standardit në shtetet ku shqipja është gjuhë zyrtare.

I pranishëm në promovim ishte edhe profesori dhe albanologu rus, Aleksandër Novik. Ai e ka cilësuar si kënaqësi që pas dy vjetësh është sërish në Prishtinë në kuadër të seminarit të sivjetmë.

“Ne, në Sankt-Peterburg, kemi një vatër të albanologjisë”, ka thënë Novik, i cili ka bërë një shpalim sinoptik të Muzeut të Antropologjisë dhe Etnografisë në qytetin e dytë më të madh në Rusi.

Duke shpalosur fotografi pas fotografish, Novik – i cili përndryshe është edhe konsull nderi i Republikës së Shqipërisë në Shën Peterburg – ka bërë me dije se në këtë Muze ndodhen edhe eksponate që kanë të bëjnë me kulturën shqiptare – një i tillë është edhe një xhamadan i fundshekullit të 18-të, që i ishte dhuruar carit rus.

Botim i shtëpisë botuese “Nestor-Istoria”, libri përfshin kontribute studiuesish nga Rusia, Shqipëria, Gjermania, Italia, Franca, Britania e Madhe, Rumania, Greqia, Çekia dhe Izraeli.

E përnjohur kudo si autoritet në studimet për gjuhët altaike, ndarja nga jeta e studiueses ruse ishte vlerësuar si humbje e shumëfishtë, përfshirë edhe albanologjinë.

“Ndarja nga jeta e A. H. Girfanovës ka prekur thellë ndjenjat e kolegëve të saj të shumtë në rrethet shkencore të albanologjisë e ballkanologjisë, të turkologjisë e altaistikës. Me përzemërsinë, optimizmin dhe gjallërinë e saj karakteristike, Albina H. Girfanova ka gëzuar simpati të veçantë dhe dashuri te të gjithë kolegët shqiptarë që e kanë njohur dhe që ndiejnë hidhërim për ndarjen e saj të papritur nga jeta”, kishte shkruar gjuhëtari nga Tirana Emil Lafe në një shkrim përkujtimor në revistën “Perla”.

E lindur më 1 shkurt 1957 në Weimar të ish-Republikës Demokratike të Gjermanisë, ku i ati i saj shërbente në ushtrinë sovjetike, Albina Khakimovna Girfanova i nisi studimet e saj në Departamentin e Gjuhësisë së Përgjithshme në ish-Leningrad. Ajo i vijoi studimet në katedrën e gjuhës dhe letërsisë shqipe, që ishte themeluar nga kryealbanologia ruse Agnia Vasilevna Desnickaja. E formuar si filologe dhe albanologe, Girfanova, e cila nënën e kishte tartare, do të angazhohej në Departamentin e gjuhëve altaike në Institutin për Studime Gjuhësore pranë Akademisë ruse të Shkencave.

“Tërë jetën e saj vazhdoi ta donte edhe gjuhën e letërsinë shqipe”, ka përkujtuar Novik.

Ai, po ashtu, ka bërë të ditur se Girfanova diplomoi në një kohë kur Bashkimi Sovjetik dhe Republika e Shqipërisë kishin ndërprerë marrëdhëniet diplomatike.

Një shtysë të fortë për interesimet e saj albanologjike kishte dhënë edhe Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqipe në Prishtinë, në të cilin mori pjesë për herë të parë më 1990. Asokohe, ajo solli studimin e saj “Mbi leksikun autokton nё gjuhёn shqipe dhe nё gjuhёt romane-lindore”.

“Gjendja e përgjithshme në Kosovë asokohe ishte më shumë sesa e vështirë. Me t’u kthyer në Rusi, Girfanova botoi një artikull ku fliste për politikën e Beogradit në Kosovë”, ka shtuar Novik.

Përveç mësimdhënies në gjuhët altaike dhe ato të Ballkanit, ajo ishte edhe autore librash të njohur që e afirmonin kulturën udege dhe atë shqiptare në botë. Përpos profilit si studiuese akademike, Girfanova i pati dhënë mbështetje të plotë sistemit arsimor në Rusi, duke botuar edhe tekste mësimore në gjuhën tungusike. Për kolegë rusë e të huaj, Girfanova, me njohjen e saj të politikave ruse ndaj pakicave gjuhësore, solli sugjerime thelbësore për përmirësimin e qasjes ndaj gjuhëve dhe kulturave të rrezikuara.