Kulturë

Gjon Muharremaj përtej artit – frymëzim për të rinjtë

Një përjetim muzikor që rrallëherë ndodh në kryeqytet. Edicioni i katërt i projektit “Ta zbardhi ftyrën” u shënua me momente krenarie nën tingujt e bukur të pianos dhe zërin mbresëlënës të artistit shqiptar, Gjon Muharremaj, që përfaqësoi Zvicrën në “Eurovision”

Me një stil të thjeshtë, por vokal të lartë e të qartë, këngëtari Gjon Muharremaj me prejardhje nga Kosova, i njohur si Gjon’s Tears, ka shënuar edicionin e katërt të projektit “Ta zbardhi ftyrën”, që organizohet nga “KultPlus”. Një interpretim që pasurohej pas çdo kënge që Muharremaj këndonte. Një mbrëmje me vokal mahnitës që dëshmoi pasionin për muzikën.

Këngëtari me baba nga Suhareka e nënë nga Tirana është bërë i njohur në Shqipëri e më pas edhe në Zvicër në spektaklet për zbulimin e talenteve të reja. Me shumë hijeshi gjatë bisedës, të hënën mbrëma në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare shpalosi copëza të rrugëtimit artistik. Kujtoi momente nga fëmijëria dhe theksoi rëndësinë që ka muzika për të.

Gjithçka kishte nisur nga pyetja që njerëzit ia bëjnë vetes në faza të ndryshme të jetës së tyre: Për çfarë, a në çka jam i mirë? Kështu, Muharremaj kishte nisur të eksploronte karatenë e patinazhin artistik, e gjëra të ngjashme deri sa kishte gjetur pianon. Luante vetëm notat e ndonjë kënge a kompozimi të caktuar. Zërin nuk e kishte sfiduar ende. Akoma nuk kishte hyrë në adoleshencë kur gjyshi i tij insistoi që ai të këndonte një këngë për të. Interpretimi i “Can’t Help Falling In Love With You” i Elvis Presley kishte prekur gjyshin e tij. Lotët që i kishin dalë, u bënë inspirim për emrin skenik: “Gjon’s Tears”. Ishte diçka personale, por edhe tingëllonte bukur.

“Qëllimi im është t’i emocionoj njerëzit, t’i bëj me qeshë, me qajtë, me pasë frikë, pra të gjitha. Të jap atë emocionin. Në anën tjetër, gjithçka filloi me lotin e gjyshit tim dhe kam dashur që ta kem këtë në emrin tim. Pastaj edhe emrin im me ‘Gj’ e thekson atë anën time shqiptare, por tingëllon pak edhe sikur anglisht dhe gjithmonë kam dashur që të kem një karrierë ndërkombëtare”, ka thënë ai.

“Gjithmonë kam dashur të prek njerëzit dhe reagimi që po merr nga njerëzit, fakti se njerëzit po e vlerësojnë këtë që unë po bëjë është diçka të cilën e vlerësoj shumë”, ka thënë ai. Ka shtuar se rrugëtimi nuk ishte i lehtë, por e kishte ndihmuar përkrahja e familjes së tij, por njëkohësisht edhe liria që ata i kishin dhënë duke mos ia imponuar gjërat.

Muharremaj nisi koncertin me këngët ‘Repondez moi’, “Babi”, “Tout l’Universe” dhe “Moj e bukura More”. Zëri i tij sfidoi si rrallëkush akustikën e Amfiteatrit të Universitet të Prishtinës. Ardhja e artistëve të këtij kalibri ka kujtuar nevojën për të pasur një sallë të denjë për të pritur artistë që kanë nisur ta shkruajnë emrin e tyre me germa të arta. Domosdoshmëria është edhe më e madhe kur bëhet fjalë për artistë shqiptarë. Por, ardhja e Muharremajt është parë edhe si thirrje për kujdes ndaj kulturës. Këtë e ka theksuar edhe kompozitori Florent Boshnjaku.

“Kisha pasë dëshirë që shumë më shumë njerëz me qenë prezentë me e dëgju këtë tregim, këtë histori muzikore, me e shiju pa diskutim këtë interpretim dhe emocionet që na i dhuroi Gjoni. Mirëpo, gjithsesi me e dëgju edhe rrëfimin e një të riu dhe me e kuptu se sa është e rëndësishme, diçka që në Kosovë mungon shume, se kultura nuk është biznes, kultura është diçka e nevojshme diçka që duhemi me e pasë me e kultivu”, ka thënë ai. Ka shtuar se duhen ndihmuar gjeneratat e reja pasi që definitivisht ka potencial dhe kjo po dëshmohet çdo ditë.

“Gjon’s Tears” mrekulloi publikun jo vetëm me aftësinë e tij për të kapur notat e larta, por edhe me modestinë e sinqeritetin që tregoi gjatë gjithë mbrëmjes. Madje edhe në “After-Party” në objektet ku vepron “KultPlus-i” ku dha nënshkrime e u fotografua me ata që donin të mbanin imazhet e një copë letre me portretin e tij si dëshmi e përjetimit të përbashkët.

Sopranoja Marigona Qerkezi, ka thënë se e lumturon fakti kur gjatë ditët që i kalon në Kosovë ka mundësi të ndjekë organizime të tilla me vlerë të lartë kulturore.

“Është shumë motivuese dhe shumë pozitiv fakti se Gjoni ishte sonte këtu dhe ndau ngjarjen e tij, që mund të motivojë dhe të inspirojë edhe shumë të tjerë”, ka thënë ai. Sipas saj, rrugëtimi i tij duhet të shërbejë si model për të rinjtë dhe për të gjithë ata që kanë aspirata për të vazhduar rrugën e artit.

Gjon’s Tears, me këngën “Tout l'Univers”, qe në krye të listës me votat e jurisë në edicionin e sivjetmë të “Eurovizionit”. Ishin votat e publikut ato që e radhitën më pas në vendin e tretë. Megjithatë, rrugëtimi i tij muzikor veç sa ka nisur. Ndalesë e bukur ishte Prishtina para se ai të merrte rrugën përsëri për skena të tjera prestigjioze.

Kur flasin për projektin “Ta zbardhi ftyrën”, ata që e nisën sagën e artistëve ishin Sislej Xhafa e Imer Kutllovci. Edicioni i dytë pati si protagonist sopranon Flaka Goranci, kurse ai i vitit 2019 artisten e re Erza Muqolli. Vitin e kaluar ky projekt nuk u mbajt për shkak të pandemisë. Në hapjen e edicionit të sivjetmë drejtoresha e gazetës-online dedikuar kulturës, “KultPlus”, Ardianë Pajaziti, ka thënë se projekti ishte nisur nga komenti që marrin njerëzit kur kanë kryer një veprim të mbarë.

“Gjon, faleminderit që kë ardhur e që ke qenë kaq bashkëpunues për të qenë i pranishëm para audiencës së Prishtinës, e që do të kenë rastin ta dëgjojnë rrëfimin tënd qysh nga fëmijëria e deri te suksesi i madh në Evrovizion, por edhe jemi duke pritur me padurim performancën tënde live”, ka thënë Pajaziti para se të niste mbrëmja. Pas saj ka bërë të ditur se ata tashmë do t’i përvishen punës për të shënuar edhe edicionin e pestë. Gjersa ekipi i “KultPlusit” punon për të gjetur protagonistin e ardhshëm, Muharremaj do i përveshet punës për të sjellë albumin e tij. Ka bërë të ditur se lajme të mira do të bëhen të ditura së shpejti. Lajme që padyshim do t’ia zbardhin fytyrën jo vetëm atij, por edhe Kosovës e shqiptarëve.