Kulturë

Seminari – institucioni që ndërkombëtarizon shkencën e albanologjisë

Descriptive Text

E vlerësuar njëzëri si njëri prej forumeve më të rëndësishme të albanologjisë në vend dhe botë, ngjarja, që ishte paraparë të mbahej në tetor të vitit të kaluar, ka hapur siparin e saj. Në edicionin e 39-të me radhë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare ka shpalosur synimet për ndërkombëtarizimin e mëtutjeshëm të albanologjisë. Sipas të pranishmëve, në ceremoninë e hapjes të mbajtur paraditen e së hënës, institucioni i Seminarit është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të shkencës vendore në botë, por edhe i shkencës globale për albanologjinë brenda një mediumi të përbashkët. Duke ndërmendur sfidat jo të pakta të shqipes, veçmas problemet në leksik e drejtshkrim, organizatorët e Seminarit të sivjetmë synojnë që, nëpërmjet sesioneve shkencore, referimeve, tryezave e diskutimeve, të shkoqisin edhe tema të tjera rëndësore, si lajmet e rrejshme dhe infodeminë

Thuajse gjysmë shekulli më parë, albanologjia vendore e ajo e huaj do të krijonin një platformë të përbashkët që do t’i monumentalizonte arritjet e përvitshme të studimeve mbi shqiptarët. Më 1974, në katedrat e Fakultetit Filozofik, filloi e para ndërmarrje në botën shqiptare që do t’i grumbullonte nën një kupolë studiues interesimesh të ndryshme. Pa e përfikur qiriun e shkencës, edhe në orën e lig të historisë, Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është kryengjarja shkencore e albanologjisë.

Me synimin për të ruajtur vijimësinë me të kaluarën, edicioni i sivjetmë, i 39-ti me radhë, për dhjetë ditë do të sjellë në mjediset e Fakultetit të Filologjisë sesione shkencore, tryeza, diskutime, ligjërata, kurse për mësimin e gjuhës shqipe e aktivitete të tjera.

Në ceremoninë e mbajtur të hënën në mjediset e amfiteatrit të Bibliotekës Universitare, ky seminar është vlerësuar si një mundësi për t’i çuar përpara e për t’i thelluar njohuritë mbi gjuhën, kulturën dhe letërsinë shqipe.

Kurti: “Të synojmë shkencën më të lartë të shqipes”

Si bashkorganizim mes Universitetit të Prishtinës dhe atij të Tiranës, përkatësisht Fakultetit të Filologjisë dhe Fakultetit Histori-Filologji, organizimi i sivjetmë ka shpalosur edhe synimin që të bëhet pikë reference për interesimin e studiuesve të huaj.

I pranishëm në hapje ka qenë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili e ka vlerësuar si nder të qenët mes punonjësish shkencorë e profesorësh akademikë. Ai ka thënë se synimi duhet të jetë që albanologjia duhet të jetë një shkencë që motivon brezat e rinj. “Shtysa për albanologji vjen midis të tjerash edhe nga fakti se shqipja ka disa specifika: lashtësinë dhe morfologjinë”, ka thënë Kurti.

“Në këtë kontekst, tri janë detyrat e saj: prodhimi i multidisiplinaritetit, relacioni i hollë i metodës e përmbajtjes, si dhe cilësia e shqipes dhe formëzimeve të saj letrare”.

Sipas Kurtit, mu te cilësia e shqipes ka një rënie të përgjithshme me dobësimin e leksikut dhe drejtshkrimit. “Shkaku i parë është shkëputja e sistemit arsimor për shkak të ndarjes së shqiptarëve në pesë shtete, për shkak të aparteidit serb, çoroditjes së sistemit të arsimit”, ka thënë kreu i Qeverisë së Kosovës.

Duke e shtjelluar këtë problematikë, ai ka bërë si fajtorë për këtë gjendje edhe mësymjen e teknologjive dhe mediumeve të tyre e sidomos thjeshtëzimi i shkrimit.

Edhe largimi i pjesës më të madhe të shqiptarëve nga trojet e tyre, sipas Kurtit, ka ushtruar ndikim në dobësimin e nivelit të shqipes.

“Ne duhet të synojmë shkencën më të lartë të shqipes dhe këtu mendohet mësimi i shqipes nga mësuesit tanë në mërgatë dhe shqipja si disiplinë në universitetet e huaja. Ne zotohemi për përpjekje maksimale dhe besoj që sukseset nuk do të na mungojnë”, ka përfunduar Kurti.

Maloku: “Gërshetim i traditës me temat e reja”

Me një fjalë rasti të pranishmëve i është drejtuar edhe zëvendësministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Edona Maloku, e cila e ka vlerësuar ngjarjen si një traditë që e ka çuar përpara albanologjinë.

Në kuadër të këtij seminari, sipas saj, studiues të ndryshëm trajtojnë me devotshmëri çështje të gjuhës, letërsisë dhe kulturës shqipe.

“Sivjet bie në sy edhe gërshetimi i bukur i traditës së seminarit me temat që prekin të rejat aktuale, si lajmet e rreme e infodemia që janë bërë më relevante se kurrë”, ka thënë Maloku teksa ka shprehur përkrahjen e Ministrisë së Arsimit për këtë aktivitet.

Sahiti: “Po ruhet interesimi i të huajve për shqipen”

Ndërkaq rektori i Universitetit të Prishtinës, Naser Sahiti, ka vlerësuar se edicioni i sivjetmë i Seminarit shënon vazhdimin e traditës së çmuar të promovimit të dijeve albanologjike.

Teksa ka shprehur përgëzime për organizatorët që, sipas tij, po e avancojnë këtë ngjarje të rëndësishme, ai ka vlerësuar se Seminari prej fillimit e ka mbajtur gjallë interesimin e të huajve për albanologjinë.

“Këtë e ka bërë edhe në periudhën më të vështirë të historisë sonë, e këtë po e bën edhe tani përmes kultivimit të një bashkëpunimi me institucionet simotra në Tiranë”, ka thënë rektori Sahiti.

Laçi: “Seminari – fjalëkalim për të gjithë studiuesit”

Në vijim, Sabri Laçi, dekan i Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë në Universitetin e Tiranës, ka uruar që të ketë jetëgjatësi tubimi më përbashkues në nivel universitar e akademik. Sipas tij, institucionet universitare në Tiranë kanë qenë gjithnjë të interesuara për mbarëvajtjen e kësaj ngjarjeje përmes stafit të tyre akademik, me prurje shkencore e lektorë të angazhuar.

“Me fjalë të tjera, Seminari është një fjalëkalim për të gjithë kërkuesit në shumë fusha që dëshirojnë të shohin e të eksplorojnë të rejat në gjuhësinë shqipe”, ka thënë Laçi.

Rugova: “Produkti më me vlerë i Fakultetit të Filologjisë”

Dekania e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë, Lindita Rugova, ka falënderuar pjesëmarrës e seminaristë për rrugën e marrë drejt Prishtinës në një periudhë të paqëndrueshme për shëndetin publik. Ajo ka thënë se ky fakultet, si organizator i ngjarjes albanologjike, vazhdon të frymojë me produktin e tij më cilësor e më me vlerë të dëshmuar ndërkombëtarisht.

“Institucioni i Seminarit është koncepti më i fortë i ndërkombëtarizimit të albanologjisë në botë, por është edhe prezantimi më me vlerë i shkencës globale për albanologjinë brenda një mediumi të përbashkët”, ka thënë Rugova.

Sipas dekanes, brenda dy javë Seminari përshkohet nga pjesa e tij tradicionale si sesione shkencore, referime, tryeza shkencore, ligjërata, kurse të veçanta e aktivitete të tjera kulturore.

“Seminari janë kontaktet, miqësitë e reja e të vjetra mes studiuesish, janë rrjetet shkencore dhe kulturore që na bëjnë të pranishëm në arenën ndërkombëtare”, ka shtuar Rugova.

Munishi: “Miqtë e huaj – interesim të madh për Seminarin”

Shkumbin Munishi, drejtor i Seminarit, ka thënë se edicioni i sivjetmë është i jashtëzakonshëm e që po mbahet në një situatë të jashtëzakonshme. Sipas tij, me t’u publikuar ftesa për pjesëmarrje, interesimi i albanologëve të huaj ka qenë tepër i madh.

“Pikërisht ky interesim ishte një shtysë për ne që të vazhdojmë me këmbëngulje t’i çojmë deri në fund përgatitjet për organizimin e sivjetmë”, ka thënë Munishi.

Duke falënderuar për mbështetje Rektoratin e Universitetit të Prishtinës, ai ka theksuar se me 47 vjet traditë Seminari bëhet “i patejkaluar jo vetëm në hapësirat ballkanike, por edhe më gjerë”.

Përndryshe, punimet e Seminarit do të vazhdojnë deri më 3 shtator në mjediset e Fakultetit të Filologjisë në Prishtinë.