Kulturë

“Alter-Nation” do ta shpërfaqë fuqinë e arkitekturës për ndryshime shoqërore

Descriptive Text

Festivali i Arkitekturës në Kosovë këtë vit do ta shënojë edicionin e tij të 9-të. Do të rikthehet me ngjarje me prezencë fizike. Nga 13 shtatori deri më 3 tetor, do të mundohet që të tregojë në ç’mënyrë arkitektura mund të përdoret në të mirë të shoqërisë

Që në fillimet e tij, nëntë vjet me parë, Festivali i Arkitekturës në Kosovë si qëllim ka pasur që të sjellë para studentëve dhe arkitektëve të rinj metodologji e vegla bashkëkohore, si dhe t’i inspirojë ata me prezantime dhe punëtori të udhëhequra nga arkitektë, planerë e disenjatorë të mirënjohur nga mbarë bota. Edhe në vitin e nëntë, misioni mbetet i njëjti, ani pse të mbahet konsistenca ndër vite nuk ka qenë aspak e lehtë. Megjithatë, sfidat mbesin një kapitull në vete, pasi organizatorët i janë përveshur punës dhe janë duke u fokusuar ta sjellin më të mirën për këtë edicion. Pas një vitit pandemik, ku ishin detyruar t’i mbanin të gjitha aktivitetet online, tani janë gati për një edicion fizik, me shpresë që situata pandemike nuk do t’ua vështirësojë udhëtimin edhe një herë. Me ligjërata, punëtori e shfaqje të dokumentarëve do ta përthekojnë edicionin e 9-të, që do të mbahet nga 13 shtatori deri më 3 tetor në kryeqytet.

“Alter-Nation” është tema e edicionit të sivjetmë. Lidhet me arkitekturën, por jo vetëm kaq. Bekim Ramku, drejtor i Festivalit të Arkitekturës në Kosovë, ka thënë se ajo ka dy kuptime.

“Njëri është ai i ‘alternation’ (shqip: ndryshim/shndërrim), që në profesionin arkitektonik ka një kuptim të gjerë. Kurse kuptimi i dytë, që është pak provokativ, është ai i ‘alter a Nation’ (shqip: ndryshimi/shndërrimi i një kombi)”, ka thënë ai.

Ka shtuar se qëllimi është që nëpërmjet ligjëruesve dhe punëtorive të hulumtohen mënyrat se si arkitektura, planifikimi e kultura mund të ndikojnë pozitivisht në shndërrimin e shoqërisë së tanishme në një shoqëri më pozitive e produktive.

“Si çdo vit, edhe sivjet do ta kemi një program të pasur me ligjërata, punëtori, shfaqje të dokumentarëve e debate. Edhe sivjet kemi ftuar emra të mirënjohur nga bota e arkitekturës, por edhe arkitektë të përzgjedhur nga ‘Future Architecture Platform’, që do të organizojnë punëtori interesante”, ka thënë Ramku. Ka bërë të ditur se edhe disa ditë i ndajnë nga publikimi i emrave, me shpresë se shumica do të arrijnë të jenë të pranishëm në Prishtinë.

“Po besoj që përfitimi më i madh për studentët janë punëtoritë, që vitin e kaluar fatkeqësisht janë mbajtur vetëm online. Sivjet kemi planifikuar disa punëtori që do të mbahen në Prishtinë dhe si fokus kanë tema shumë interesante, që besoj se për studentët do të jenë me interes”, ka thënë ai.

Ka theksuar se mes qëllimeve të festivalit dhe Fondacionit Kosovar të Arkitekturës është edhe promovimi i Kosovës jashtë kufijve të saj.

“Besoj se si organizim ia kemi arritur qëllimin që Kosovën dhe vetë festivalin ta promovojmë jo vetëm në Evropë, por edhe më gjerë. Vetë fakti se jemi bashkëthemelues të platformës më të madhe të Arkitekturës dhe Dizajnit në Evropë ‘Future Architecture Platform’ flet për vlerësimin që kanë organizatat e tjera arkitektonike nga Evropa për fondacionin dhe festivalin tonë”, ka thënë ai. Ka shtuar se nëse flitet për atë se a janë të vetëdijshme institucionet se sa kontribuojnë festivalet e Kosovës në promovimin e vendit jashtë, nuk mendon se ekziston kjo vetëdije.

“Por, besoj që edhe kjo do të ndryshojë me kohën”, ka theksuar Ramku. Ka shtuar se për realizimin e festivalit të tyre vështirësitë janë të natyrës së ndryshme, por kryesisht kanë qenë financiare. Megjithatë, ka theksuar se që nga themelimi i platformës “Future Architecture”, e cila është e mbështetur nga programi “Creative Europe”, nuk kanë pasur vështirësi financiare. Prandaj e kanë pasur edhe më të lehtë të fokusohen për të sjellë e për të dhënë më të mirën gjatë ditëve të festivalit.

Festivali njihet për sjelljen e ligjëruesve të njohur në kryeqytet, ndër ta emra të tillë si: Ibai Rigby Valentin Kunik, Guillame de Morsier e Charlotte Materre- Barthes, por edhe të tjerë.