“DokuFesti” shpalos rrëfime nga rajoni në festivalin amerikan

“DokuFesti” shpalos rrëfime nga rajoni në festivalin amerikan

01 March 2017 09:38

Prishtinë, 1 mars - Festivali amerikan i filmit dokumentar, i njohur si “AmDocs”, e që promovon filmbërësit e pavarur nga e gjithë bota, në edicionin e sivjetmë ka përfshirë edhe filma që shpalosin histori nga Kosova e rajoni.

Ekipi i festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar e të shkurtër, “DokuFest”, ka kuruar një program të filmave të suksesshëm dokumentarë, që do të shfaqen në Palm Springs bashkë edhe me pesë filma të realizuar në kuadër të programit “Future is here” të festivalit më të njohur në Kosovë, shkruan sot “Koha Ditore”.

“American Documentary Film Festival” mbahet midis datave 31 mars e 5 prill. Siç shkruhet në ueb faqen zyrtare, themeluesi i këtij festivali, Teddy Grouya, ka pasur dëshirë të krijojë një forum në të cilin do të vlerësohen e promovohen filmat dokumentarë dhe të filmbërësve të pavarur nga e gjithë bota, që nëpërmjet rrëfimeve filmike audienca të njihet me histori njerëzore e çështje reale. Edicioni i tij i parë është mbajtur më 2012, dhe në të është nderuar me çmimin “Filmbërësi që bën diferencën” regjisori fitues i çmimit “Oscar”, Oliver Stone, i njohur edhe si skenarist e producent.

Eroll Bilibani, drejtor ekzekutiv i “DokuFestit”, ka thënë se programi i filmave që do të shfaqen në festivalin amerikan përfshin “Batusha’s House” - një produksion i studios “Ikones” nga Kosova e fitues i çmimit të publikut në “DokuFest”, filmin “Trapped by Law” me autor Sami Mustafa, “Depth Two” të Ognjen Glanoviq – fitues i çmimit kryesor të ‘DokuFestit’ vitin e kaluar - dhe “A Short Family Film” nën regji të Igor Bezninoviqit.

“’DokuFest’ në kuadër të partneritetit me festivalet ‘Edoc’ në Ekuador, ‘DocsDf’ në Meksikë dhe ‘AmDocs’ në ShBA dy vjet më herët ka themeluar rrjetin ‘North South Doc Network’, që ka për qëllim promovimin e autorëve të pavarur të filmave dokumentarë nga regjionet përkatëse”, ka shpjeguar Bilibani.

Festivali “AmDocs” sivjet mban edicionin e gjashtë dhe për dy vitet e kaluara kishte sjellë program të larmishëm të filmave dokumentarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në ekranet e “DokuFestit”.

Para se të udhëtojnë drejt Amerikës, filmat e realizuar në kuadër të programit që synon nxitjen e aktivizmit te të rinjtë nëpërmjet filmbërjes, do të shfaqen në edicionin e 41-të të “Jugend Film Tage” që do të mbahet midis datave 15 e 19 mars në Zvicër... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)

Gazetën Koha Ditore mund ta lexoni edhe online. Këtu mund të gjeni sqarimin se si mund të abonoheni.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme