Kulturë

Arkeologët gjejnë skeletin, dëshmi e greqishtes në Pompei

Arkeologët në qytetin e lashtë të Pompeit kanë zbuluar një skelet të ruajtur në mënyrë të pabesueshme gjatë kërkimeve në një varr që hedh dritë mbi jetën kulturore të qytetit para se të shkatërrohej prej shpërthimit vullkanik në vitin 79 të erës sonë.

Një kafkë që mban një cullufe flokësh të bardhë dhe pjesë të një veshi, sikundër edhe eshtra e fragmente petkash janë gjetur në një varr në nekropolin e Porta Sarnos, një vend që nuk është i hapur ende për publikun, në lindje të qendrës urbane të Pompeit. Zbulimi është i pazakontë, meqë shumica e adoleshentëve asokohe kremoheshin (varrim me djegie – v.j).

Një mbishkrim i varrit sugjeron se pronari i saj, një skllav i liruar me emrin Marcus Venerius Secundio, ndihmonte që të organizoheshin performanca në greqisht në Pompei. Ekspertët kanë thënë se ky është konfirmimi i parë që greqishtja, gjuha e kulturës në Mesdhe, përdorej krahas latinishtes.

“Që performancat në greqisht organizoheshin është dëshmi e klimës së gjallë e të hapur kulturore që e veçorizonte Pompein e vjetër”, ka thënë drejtori i Parkut Arkeologjik të Pompeit, Gabriel Zuchtriegel, në një deklaratë që e ka dhënë kumtin për këtë zbulim.

Në një intervistë për The Associated Press, Zuchtriegel ka thënë se Marcus Venerius kishte qenë në gjendje të mbante veten pasi u lirua prej skllavërisë, duke marrë parasysh madhësinë “monumentale” të vendvarrimit të tij. “Ai nuk u bë super i pasur, por me siguri arriti një nivel të ndjeshëm pasurie”, ka thënë Zuchtriegel.

Shpërthimi i Malit Vezuv në vitin 79 pas erës sonë shkatërroi Pompein. Gërmimet ndër vite kanë sipërfaqësuar zbulime të mahnitshme varrezash, koçish e shtëpive të stolisura me afreske.