Kulturë

Mezosopranoja Tünde Gajdos paralajmëron “DAM”-in me frymë origjinaliteti

Descriptive Text

Tünde Gajdos është kthyer pas 30 vjetësh në sallën e njëjtë për të interpretuar e vazhduar traditën e profesoreshës së saj, mexosopranos së njohur Julijana Anastasijeviq. Anastasijeviq erdhi në Prishtinë dhe vazhdoi punën si profesoreshë kur zërat nacionalistë kundër shqiptarëve sa vinin e rriteshin. Anastasijeviq përkrahte studentët e saj dhe nuk bënte dallime, për të rëndësi pati muzika, prandaj iu bashkua edhe iniciativës së viteve ’90 për arsim paralel

Pas 30 vjetësh, mexosopranoja hungareze Tünde Gajdos është kthyer në Prishtinë. Para tri dekadash ishte studente. Tani ka ardhur si muzikante me përvojë. Të hënën mbrëma performoi në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit. Me një program të përzgjedhur me kujdes dha lajmin se edicioni i sivjetmë i “DAM”-it është gati për të nisur. Megjithatë, me parë duhet përfunduar kapitulli i “Zë DAM”-it.

Festivali ndërkombëtar i muzikës “DAM” në prag të edicionit të tij të 16-të ka vendosur që të mbajë një lloj parangjarjeje. “Zë DAM” është titulluar programi katërditor që nisi pikërisht me Tünde Gajdos, shoqëruar në piano nga Syzana Jakupi.

Koncerti i tyre nisi me kompozitorë të periudhës klasike, emrat e të cilëve tani janë të gdhendur me të arta. Dyshja solli kompozime të Bachut, Handelit, Mozartit e Schubertit.

Gajdos dhe Jakupi e nisën me “Et exultavit – oratoria ‘Magnificat’”, për të vazhduar me “Ombra mai fu – opera ‘Xerxes’” e “Laudamus Te” për ta përmbyllur pjesën e parë me “Fruhlingsglaube” dhe “Die Forelle”. Më pas kaluan të kompozitorët hungarezë, si Rudolf Lavotta, Bela Bartok e këngë hungareze rome.

Sopranoja Besa Llugiqi ka thënë se programi ishte shumë kërkues dhe kjo tregon se Gajdos është e përgatitur profesionalisht.

“Ishte interesant fakti se ajo ka studiuar këtu dhe që tani është rikthyer. Erdhi me një program që përfshin kompozitorë të njohur e që kërkojnë shumë angazhim. Në anën tjetër solli kompozitor hungarezë e që rrallëherë ndodh që t’i dëgjojmë në Kosovë”, ka thënë Llugiqi.

Tünde Gajdos, studimet universitare i përfundoi në Prishtinë me pedagogen e mirënjohur Julijana Anastasijeviq. Kështu, “DAM”-i solli edhe një herë në vëmendje mexosopranon serbe, e cila kur zërat nacionalistë kundër shqiptarëve sa vinin e rriteshin, erdhi në Prishtinë. U bë profesoreshë e solokëndimit dhe për të studentët nuk ndaheshin dot në serbë e shqiptarë. Rrëfimi i plotë i kësaj artisteje, e cila hyri vrullshëm në skenë e kur u tërhoq prej saj dëshmoi deri në fund se është artiste e humaniste e vërtetë, ishte bërë pjesë e “DAM”-it edhe vitin e kaluar. Edicioni i 15-të ishte hapur me dokumentarin “Julijana” nën regji të Ilir Gashit, dedikuar pikërisht kësaj profesoreshe të solokëndimit. Këshillat e saj akoma jetojnë te studentët e saj. Madje Gajdos, si porosi lë pikërisht fjalët që ia kishte lënë mësuesja.

“Mendoj se gjëja më e rëndësishme, ashtu siç ka thënë edhe mësuesja ime, Julijana Anastasijeviq: ‘gjithkush duhet që ta gjejë mënyrën e vet dhe të mos bëhet kopje e ndonjë këngëtari tjetër’. Një ditë më ka thënë se kurrë nuk do të këndosh si Maria Callas dhe unë isha shtangur. Por kishte thënë se as ajo nuk mundet të këndojë sikur ti, pasi që jeni dy persona e dy zëra të ndryshëm. Prandaj gjithkush duhet ta gjejë atë që është autentike, kjo është me rëndësi”, ka thënë ajo.

Mbrëmja u përmbyll me një këngë shqipe, me të cilën Gajdos e sfidoi veten. “A keni dëshirë që të dëgjoni edhe një interpretim pavarësisht kësaj vape”, ka thënë ajo para se të niste interpretimin e “Vajta kalova”.

Vapa u bë shkak që ajo të tkurrte edhe programin e saj. Për këtë madje nuk u interpretua vepra “Huzzad csak kivilagos virradating” e kompozitorit hungarez Emmerich Kálmán.

“Ishte si të vija në shtëpi. Shumë mirë, por edhe shumë nxehtë. Nuk jam mësuar që të interpretoj në temperatura kaq të larta. Mirëpo ndjeva shumë ngrohtësi nga njerëzit. Jetoj në Gjermani dhe e di që nuk ka shumë artistë që këndojnë gjermanisht, prandaj kam sjellë vepra të kompozitorëve gjermanë. Në anën tjetër, hungarishtja është gjuhë e nënës sime, prandaj e kam sjellë nga zemra ime, pasi që kam dashur që njerëzit ta njohin këtë muzikë”, ka thënë Gajdos.

“Zë DAM” do të vazhdojë me masterklasa deri më 19 gusht pikërisht me Tünde Gajdos dhe do të përmbyllet këtë të premte me koncert nga disa studentë. Rreze Kryeziu, drejtoreshë e përgjithshme e festivalit “DAM” ka thënë se përmes Gajdos ata kanë vendosur ta vazhdojnë traditën e Julianës.

“Atë traditën që Juliana e kishte lënë dikur, tani e vazhdon Tünde me shumë dashuri, emocion dhe ka vendosur me i sfidu të gjitha ato dhe me u rikthy me një koncert pas 30 vjetësh në të njëjtën skenë ku kishte koncertuar dikur”, ka thënë Kryeziu. Ka theksuar se “DAM”-i është në dije të nevojës imperiale të muzikantëve të rinj për shkëmbime kulturore.

“Për mision festivali ka marrë dhe e ka që nga edicioni i parë, jo vetëm promovimin dhe krijimin e hapësirës për prezantim të këtyre talenteve të reja, por njëkohësisht edhe t’u mundësojë atyre ndjekjen e këtyre masterklasave e punëtorive duke sjellë disa nga pedagogët e njohur me ato mundësitë dhe njohjet të cilat i kemi”, ka thënë ajo.

Edicioni i sivjetmë i “DAM”-it do të nisë më 31 gusht dhe do të zgjasë deri më 5 shtator. Vitin e kaluar, “DAM”-i paralajmëroi atë që e ka quajtur “Edicion tektonik”, duke sjellë koncertin e titulluar “Një koncert, një dëgjues”. Koncerti pati thyer heshtjen pandemike. I quajtur “Edicion tektonik”, “DAM” u zhvendos me dy koncerte në Prizren, e bukurshkroi historinë e vet me projektin “Një muzikant, një dëgjues”, që solli një përvojë të re të koncertit. Komunikimi i tij ishte intim në kufijtë e konfortit. Solli muzikën e artistes Agona Shporta dhe Visar Kuçit. Këtë vit misionin e lajmëtarit e ka marrë Tünde Gajdos.