Kulturë

“Reconcilation” – fitues i edicionit të 20-të të “DokuFestit”

Filmi “Reconciliation” nga Marija Zidar është shpallur filmi më i mirë i edicionit të 20-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “Dokufest”.

Regjisorja Zidar e ka quajtur të jashtëzakonshëm vlerësimin.

“Jam shumë e lumtur të pranoj këtë çmim. Ky rajon ka rrëfime të rëndësishme. Dhe se sa të rëndësishme janë ato është dëshmuar nga sukseset e kinematografisë kosovare në botë. Është filmi i parë në bashkëproduksion slloveno-kosovar. Është çmimi i parë që kemi marrë dhe Veton Nurkollari është personi me të cilin kam qëndruar më 2013 në Prizren. Isha këtu afër lumit kur kjo ishte vetëm ide në letër dhe të jem këtu kaq vjet më vonë e të marr këtë çmim nga audienca lokale është e jashtëzakonshme. Faleminderit”, ka thënë ajo.

Në garën kombëtare çmimi i filmit më të mirë i është ndarë “Një Fëmijë” të Bekim Gurit.

“Vozitësi” i Valter Lucajt ka marrë dy çmime, atë të publikut dhe të distribuimit që ua mundëson filmave të kenë qasje më të mirë në festivalet ndërkombëtare.

Çmimin “Best Balkan Newcomer” e ka fituar “Rampart” nga Marko Grba Sing që e ka cilësuar të veçantë “Dokufestin”. Mirënjohje të veçantë në këtë kategori mori filmi “Telenovela Greyscale in Color” nga autori Filip Martinoviq.

Mirënjohje speciale ka marrë edhe “Mardhë” nga Flaka Kokolli.

Me çmimin për Filmin më të mirë të shkurtër në garën ndërkombëtare është vlerësuar “The Criminals” nga Serhat Karaaslan.

“Best Green” është ndarë për “White on White” nga Viera Cakanyva. Filmi më i mirë për të drejtat e njeriut është zgjedhur “Our Memory Belongs to Us” nga Rami Farah.

Fitues i garës “Truth Dox” është zgjedhur “Writing With Fire” nga Rintu Thomas dhe Sushmit Ghosh”.

Mirënjohje speciale ka marrë edhe filmi “The Silence of the Mole” nga Anais Taracena.

Dokumentari më i mirë i shkurtër në kategorinë ndërkombëtare është zgjedhur “The Rifle Man” nga Sierra Pettengill, ndërsa “Best International Dox Feature” ka shkuar për “We” nga Alice Diop.