Kulturë

Qeveria synon “ringjalljen” e kulturës me 2.5 milionë euro

Me fondin prej 5 milionë eurosh për mbështetje të kulturës dhe sportit, Qeveria ka kthyer vëmendjen edhe kah artistët pamorë në vend. Kështu, nga qesja e këtij fondi janë ndarë 247 mijë euro, shumë kjo që i dedikohet blerjes së veprave vizuale dhe audiovizuele të artit nga artistë vendorë. Juri profesionale do të bëjnë vlerësimin dhe përzgjedhjen e veprave artistike, të cilat, pas blerjes, do të vihen në mjediset e institucioneve të kulturës. Derisa Ministria e Kulturës nuk ka caktuar ndonjë datë për konkursin e blerjes së këtyre veprave, artistët në vend kanë kërkuar që përzgjedhja e veprave të bëhet nga njerëz kompetentë

Blerja e veprave artistike dhe shpalosja e tyre në mjediset e institucioneve të kulturës në vend është vlerësuar si motivim për artistët vendorë. Me një synim të tillë, Qeveria e Kosovës ka miratuar të mërkurën vendimin që i lejon Ministrisë së Kulturës të mbështesë krijimtarinë artistike.

Kështu, 247 mijë euro të ndara nga Fondi i ringjalljes ekonomike do të shpenzohen për blerje të veprave vizuale dhe audiovizuele të artit nga artistët vendorë.

“Blerja e këtyre veprave të artit nga Ministria duhet të bëhet përmes thirrjes publike për blerjen e veprave”, thuhet në njoftimin e afishuar në faqen zyrtare të kryeministrit të Kosovës.

Është bërë e ditur se një juri profesionale, e themeluar nga Ministria, do të bëjë vlerësimin dhe përzgjedhjen e veprave artistike për blerje.

Sipas vendimit të së mërkurës, veprat e përzgjedhura për blerje do të ekspozohen në mjediset e institucioneve të kulturës, si Biblioteka Kombëtare e Kosovës si dhe Galeria Kombëtare e Kosovës.

“Një gjë e tillë po bëhet për herë të parë dhe qëllimi i këtij vendimi është që përmes tij të njohim, përkrahim dhe motivojmë artistët dhe të shtyjmë para krijimtarinë kulturo-artistike në vend”, është thënë mes të tjerash në njoftimin qeveritar.

Ndryshe, Qeveria në këtë mbledhje ka miratuar ndarjen e 5 milionë eurove për zbatim të Pakos së ringjalljes ekonomike në masën për mbështetje për kulturë dhe sport.

KOHA ka kontaktuar gjatë ditës ministrin e Kulturës, Hajrullah Çeku, për të saktësuar pjesën që do të jetë e dedikuar nga kjo shumë për kulturën dhe trashëgiminë kulturore. Po kështu i është adresuar edhe pyetja se kur do të hapet konkursi për blerjen e veprave të artit. Megjithatë, ai nuk ka kthyer përgjigje.

Më 14 korrik, kur kabineti qeveritar kishte akorduar 5-milionëshin në fjalë, gazeta i kishte adresuar zyrtarisht pyetje Ministrisë se si do të shpërndahej kjo shumë financiare dhe a do të shpalleshin thirrje publike.

“Po, do të ketë thirrje publike në të gjitha fushat e veprimtarisë së MKRS-së”, kishte thënë shkurt këshilltarja për media e ministrit Çeku, Zana Fetiu.

Por, sipas vendimit të publikuar pasditen e së mërkurës, nga fondi prej 5 milionë eurosh, kultura do të përkrahet me 2 milionë e 290 mijë euro. Po sipas këtij vendimi, ruajtja dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore do të përfitojnë një hise prej 210 mijë euro. Pjesa tjetër që derivon nga vendimi do të shkojë për sport dhe rini.

E artistët në vend e kanë cilësuar vendimin e Qeverisë si lajm të shkëlqyeshëm. Piktorja dhe profesoresha e artit, Zake Prelvukaj, ka thënë se një përkrahje e tillë e ka bërë të ndihet mirë si artiste.

Ajo ka thënë se artistët kanë nevojë për përkrahje, por edhe institucionet për veprat e artistëve.

“Kosova ka artistë të mirë të çdo mediumi, që meritojnë respekt, e të cilin e fituan nga Qeveria”, ka thënë Prelvukaj në një prononcim për gazetën. “Përveç tjerash, kjo është edhe diplomaci kulturore shumë e nevojshme”.

Ajo e ka quajtur të rëndësishme që nuk ka më përzgjedhje të një grupi të vogël artistësh që janë përkrahur vazhdimisht.

“Uroj që edhe përzgjedhja e veprave të bëhet nga njerëzit kompetentë e të dëshmuar”, ka shtuar Prelvukaj.

Teksa ka ngulmuar që sa më shumë përkrahet arti, aq më shumë forcohet edhe shteti, profesoresha e artit ka kërkuar që të themelohet sa më shpejt muzeu i arteve bashkëkohore. Objektet e kulturës, që hëpërhë janë të improvizuara si Galeria Kombëtare, sipas saj, duhet të kenë objekte të reja, ashtu siç e kërkon specifika e aktiviteteve kulturore.

“Pa art nuk ka shtet, por më duket se jemi në rrugë të mirë”, ka thënë Prelvukaj.

Ndryshe, historia e mjeteve për ndihmë në sektorin e kulturës zë fill qysh në fillim të pandemisë gjatë vitit të kaluar. Fillimisht në mars, e më pas edhe në qershor, sportit, kulturës e rinisë iu premtuan nga 5 milionë euro si ndihmë për shkak të pandemisë. Por deri në fund të shtatorit gjithçka ishte në nivel muhabetesh. Madje as në këtë limit kohor Qeveria nuk kishte arritur t’u dalë zot premtimeve e planifikimeve. Ishin ndarë vetëm 2.5 milionë euro. Prej tyre vetëm 461 mijë euro ishin për kulturën. Pjesa tjetër është destinuar për sportin dhe rininë. Me gjithë ndarjen e mjeteve, Ministria e Kulturës nuk kishte një “formulë” se si do t’i shpërndajë ato për komunitetin kulturor. Në nëntor të vitit të kaluar u hap konkursi për projekte individuale. MKRS-ja në fund të vitit kishte përkrahur edhe 269 projekte.

Por ky institucion kishte shfrytëzuar edhe buxhetin e trashëgimisë kulturore, duke i përkrahur këto projekte me 594 mijë euro. Thirrja e asokohshme ishte vetëm për individë. Por del që hesapet ishin bërë pa i pasur krejt mjetet në “kuletë”. Ish-ministrja e Kulturës, Vlora Dumoshi, kishte thënë se me 300 mijë euro do të kryheshin obligimet e konkursit të kaluar dhe po ashtu edhe detyrimet që dalin nga ankesat e bëra nga individë që kishin konkurruar asokohe.