Kulturë

“Ngom Fest” në Kalanë e Prizrenit për ta thyer qetësinë e pandemisë

Descriptive Text

“Ngom Festi” mbetet në misionin e njëjtë tek synon ta përçojë mesazhin kryesor që ka: mbrojtjen e trashëgimisë kulturore. Edhe vetë strehë ka gjetur pikërisht në një monument të tillë – në Kalanë e Prizrenit. Pas pauzës për shkak të pandemisë është rikthyer për ta shënuar dekadën e tij të parë. Ka mbledhur artistë të njohur të skenës në vend. Edicioni i sivjetmë do të nisë sonte, e do të zgjasë deri të dielën.

Festivali i cili në fillimet e tij ishte i njohur si ngjarje nomade, teksa zhvendosej prej një lokacioni në tjetrin, për herë të parë ishte vendosur në kala, në edicionin e tij të 6-të. Në këtë lokacion është tash e katër vjet. Kësisoj, çdo verë, Kalaja e Prizrenit, e cila shtrihet në kodrën me lartësi 525 metra mbi nivelin e detit, pushtohet nga artistë vendorë dhe ndërkombëtarë. Mirëpo këtë herë veç artistët vendorë janë në listën e atyre që do t’i argëtojnë vizitorët e Festivalit.

Organizatorët janë fokusuar që edhe këtë vit ta sjellin një program të pasur muzikor dhe tashmë është publikuar edhe lista e artistëve të cilët do të performojnë për katër net radhazi në dy skena: “Sunset Stage” (Skena e perëndimit të diellit) dhe “Sunrise Stage” (Skena e lindjes së diellit).

Drejtori i produksionit, Zani Dida, ka treguar se gjersa vendi i kthehet situatës normale, asaj para pandemisë, “Ngom Fest” shpreson që ky rifillim të jetë me shumë dashuri, paqe dhe shëndet për të gjithë.

“Vetë Kalaja e Prizrenit e bën festivalin të veçantë, ndërsa edicioni i sivjetmë do të jetë edhe më i veçantë për shkak që pas rreth dy vjetësh ne përsëri do të mblidhemi të gjithë së bashku në hapësirat e Kalasë”, ka thënë ai, teksa ka folur edhe për mbështetjen që kanë marrë sivjet.

“Nga institucionet jemi falënderues dhe shpresojmë që ta kemi mbështetjen edhe edicionet tjera. Po ashtu i falënderojmë edhe bashkëpunëtoret ndër vite të festivalit”, ka thënë ai.

Emra kryesorë të këtij edicioni do të jenë DJ nga Shkupi, Diah, “Rrron” , regjisori Leart Rama, që i ka hyrë botës së muzikës pas pasionit që kishte për sound-design, dyshja “Ägain”, Liburn Ilazi, Elisa, Erin Go Dance, Altin Boshnja dhe Gemza.

E në edicionin e kaluar “Ngom Fest” solli James Zabielan, DJ i njohur anglez, labelin P.I.N.T, pastaj Alien, “Fattizzle”, “Mullagang”, Dj Nkee, Lilac, Lim dhe Dynamic Man. Në skenë u ngjitën edhe “Jericho”, “Offchestra”, “Ignore the Elephat”, “Exos”, “Zhagg Bend”, “SYTË”, Synonyms, Ingrid, DJ Jehonë, Gemza, Rrron, VNTM dhe Ägai.