Kulturë

Spektakli i “artit të madh” me thesarin që dikur zbukuronte “Grandin”

Vepra të bukurpunuara artistikisht nga duart e brezit të parë të artistëve pamorë në Kosovë tashmë nuk janë të hapërdara në dhomat, korridoret e sallat e hotelit “Grand” dhe as të pluhurosura në depot e tij. Në një spektakël majestik të koleksionit të saj më të ri, Galeria Kombëtare e Kosovës ka hapur ekspozitën e “artit të madh” me punimet e 27 artistëve. Ndonëse ato janë vetëm një e treta e gjithë thesarit që zbukuronte enterierin e “Grandit”, ky shpalim ka zëruar edhe më fort thirrjet për gjetjen e mbi dyqind veprave të tjera që u zhdukën kur “Grandi” iu nënshtrua procesit të privatizimit

Bluja e thellë e qiellit që përmes dritës rrezaton fjafurima shprese në botën përposh – trajta antropomorfe, zoomorfe dhe fitomorfe – në veprën me përmasa 122 me 244 centimetra që për vite kishte qëndruar e pluhurosur në hotelin “Grand” në kryeqytet. Vepra e bërë para 43 vjetësh nga Simon Shiroka është vetëm njëra nga rreth 50 sosh, sa kanë zënë vend në hapësirat e brendshme të Galerisë Kombëtare të Kosovës. Si rrallëherë, ky institucion ka shpalosur një gjerdan të pasur të koleksionit që tashmë e ka pronë të veten. Gjigandeske në përmasa e depërtuese me mesazhe qëndron varur edhe piktura e vitit 1978 e Gjelosh Gjokajt. “Sofra”, që paraqet një gjysmërreth njerëzish që ngrenë lart gotat gjatë një dollie të përjetësuar përmes ngjyrash të lehta, dikur qëndronte në ballë të hollit të katit të parë të hotelit.

Përveçse me përmbajtjet e thella të secilit krijim veçan, kjo ekspozitë është nga ato që i bën tribut historisë së përbashkët të këtyre art-veprave që për pak sa nuk përfunduan në kushedi-se-kunë e zhdukjes.

E kuruar nga Zeni Ballazhi, “Grand Art 1970 – 2000” është ekspozita që ka sjellë larushinë e krijimeve të 27 artistëve pamorë, nga Kosova e jashtë saj, si piktura, skulptura, grafika, tapiceri e artizanale.

Shpalosja komode e këtyre veprave është përshkuar si ndalesa e fundme e një rrugëtimi të gjatë që përshkoi momente ankthi, përballje burokracish e tejzgjatje si praktika të kudondodhura në “officialdom”-in e Kosovës.

Më 24 dhjetor të vitit të kaluar, Qeveria e Republikës së Kosovës nxori vendimin nr. 07/52, me anë të të cilit shpronësoheshin veprat artistike që gjendeshin në hapësirat e NewCo Grand Hotel sh.p.k.. Kurse në janar të këtij viti u bë pranim-dorëzimi i veprave artistike nga Agjencia Kosovare e Privatizimit tek Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës, përkatësisht tek Galeria Kombëtare e Kosovës.

Duke falënderuar të pranishmit gjatë ceremonisë së hapjes, Zeni Ballazhi, kurator i ekspozitës, ka thënë se po shpalosen emra të mëdhenj të artit pamor të Kosovës.

“Fokusi është në vitet ’70, pikërisht koha kur filloi brezi i parë i artistëve pamorë e me ta edhe vetë historia e artit pamor”, ka thënë Ballazhi.

Sipas tij, GKK është me fat që i bashkëngjitet një koleksion që është “pasuri e trashëgimisë së artit”.

“Këtu po shpaloset një art vërtet i madh i brezit të parë”, ka shtuar ai.

Drejtori i tanishëm i hotelit “Grand”, Isa Rexha, ndërsa ka shprehur kënaqësinë për hapjen e kësaj ekspozite, ka thënë se një numër i madh i veprave ende mungojnë.

“Ka pasur sa e sa vepra, me kornizë të çmueshme, të cilat janë shitur me kilogramë”, ka thënë ai.

Me një fjalë rasti të pranishmëve u është adresuar edhe Jehona Shyti, drejtoreshë e Departamentit të Kulturës, e cila e ka vlerësuar ekspozitën si ngjarje të rëndësishme për kulturën.

Në atë që e ka përshkruar si rrugëtim të gjatë e sfidues, ajo ka thënë se Ministria e Kulturës e pati nisur qysh para shtatë vjetësh procesin e bartjes së këtyre vetave.

“Dihet se për shkak të statusit të ‘Grandit’ dhe legjislacionit që ka të bëjë me privatizimin, ky proces nuk ka qenë aspak i lehtë”, ka thënë Shyti për të falënderuar për kontributin Agjencinë Kosovare të Privatizimit, artistët dhe mediat.

{gallery}

Përveçse me përmbajtjet e thella të secilit krijim, “Grand Art 1970 – 2000” është nga ato që i bën tribut historisë së përbashkët të këtyre art-veprave, që për pak sa nuk u zhdukën por shpëtuan kur në janarin e sivjetmë u bartën nga hoteli “Grand”


Ani pse llogariten fort të çmueshme, 125 veprat që dikur i takonin “Grandit” janë bartur sivjet në Galerinë Kombëtare të Kosovës pa ndonjë masë sigurie e procedurë të veçantë. Por ato nuk janë as një e treta e fondit të dikurshëm të hotelit “Grand”: sipas dëshmive të punonjësve dhe zyrtarëve dyshohet që mbi 200 të tjera janë zhdukur ndër vite.

“Grandi”, i ndërtuar më 1978 e që dikur kishte emër e prestigj, në secilën prej 372 dhomave, 10 apartamenteve dhe 2 rezidencave kishte nga një vepër arti. Ngreha monumentale hotelierike në qendër të Prishtinës më 2006 i ishte shitur një biznesmeni. AKP-ja e kishte rimarrë nën menaxhim hotelin, pasi që nuk ishin përmbushur obligimet që kanë dalë nga kontrata e blerjes. Për të dytën herë nxjerrja e tij në shitje qe paralajmëruar në vjeshtën e vitit 2014. Prej vitit 2015 mbrohet si monument, kur u përshi në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme.

Zhdukjen e disa veprave nga ajo që posedonte “Grandi” e kishte përmendur tërthorazi edhe ish-drejtori i Galerisë Kombëtare të Kosovës, Shyqri Nimani. Në një intervistë, në janar të këtij viti në KTV, ai kishte evokuar kohën kur “Grandi” i ka blerë veprat.

“Kam hyrë në secilën dhomë dhe i kam shikuar veprat. Në disa raste në vend të veprës janë vendosur posterë. Pra është marrë vepra”, kishte thënë grafisti i shquar.

Gazeta për këtë çështje ka raportuar qysh prej vitit 2014. Asokohe Komisioni i përbërë nga përfaqësues të AKP-së dhe Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit ishte themeluar për t’i identifikuar, inventarizuar dhe sistemuar të gjitha veprat që ndodheshin brenda objektit të hotelit në qendër të Prishtinës.

Nisma për formimin e një komisioni të tillë kishte ardhur pas kërkesës së familjarëve të skulptorit të ndjerë Agim Çavdarbasha për ta rimarrë njërën prej skulpturave që ndodhej në hollin e “Grandit” dhe që sipas familjes dekada më parë ishte dhënë vetëm për ekspozim aty.

Familja e skulptorit kërkon që vepra “Pritja” t’u kthehet atyre. Pavarësisht se fondacioni “Agim Çavdarbasha” e ka përsëritur kërkesën, edhe ajo është vendosur në Galeri. Sipas zyrtarëve të AKP-së, në një përgjigje që ia kishin dhënë KOHËS më 2016, asnjëherë nuk janë paraqitur dokumente se vepra i takon familjes.

Por sipas Shyqri Nimanit, i cili ka udhëhequr Galerinë Kombëtare të Kosovës për një dekadë qysh prej themelimit më 1979, të gjitha veprat e vendosura në “Grand” janë paguar.

“Matej Rodiqi e ka mbikëqyrur ndërtimin e ‘Grandit’. Ai ka insistuar që të blihen vepra. Krejt janë blerë. Ekziston diku lista, edhe çmimet për secilën”, kishte thënë Nimani. Bile kishte përmendur edhe takime të tij me skulptorin Çavdarbasha, kur edhe ishte marrë vesh me të që Galeria t’ia blinte disa punime. Sipas Nimanit, familjarët e skulptorit mund të mos kenë informata adekuate për këto procese.

Veprat e bartura nga “Grandi” janë vendosur në katin e parë të institucionit më të lartë të artit pamor në Kosovë. Disa herë udhëheqësit e GKK-së kanë alarmuar se s’kanë kushte për ruajtjen jo vetëm të 125 veprave që u janë dorëzuar tash, por edhe të rreth 1 mijë sosh sa përbëjnë fondusin e këtij institucioni. Ish-strehimorja në “Breg të Diellit”, ku kanë nisur punimet për adaptim në maj të vitit të kaluar e që më pas t’i jepet në shfrytëzim GKK-së, ishte përmendur si opsion, por aty nuk ka vend për ekspozim as për 40 vepra. Ndërsa ideja për muze të artit bashkëkohor tash e më shumë se 15 vjet është vetëm premtim.

Prej krejt koleksionit të “Grandit”, pa u bartur ka mbetur vetëm mozaiku i Muslim Mullqit i vitit 1978, zhvendosja e të cilit është proces më kompleks.

Ndryshe, ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur deri me 28 gusht, ka bërë bashkë veprat e artistëve: Agim Çavdarbasha, Agim Salihu, Bahri Dranҫolli, Bozhidar B. Prodanoviq, Budim Berisha, Faik Krasniqi, Fatmir Krypa, Fatmir Zajmi, Gjelosh Gjokaj, Hamdi Terziqi, Hysni Krasniqi, Matej Rodiqi, Mehmet Behluli, Mikel Gjokaj, Muslim Mulliqi, Nazmi Sadiku, Nikos Kanellos, Radoslav Musa Miketiq, Rexhep Ferri, Rrustem Bujupi, Shyqri Nimani, Simon Shiroka, Skender Idrizi, Stevan Çukiq, Tomislav Trifiq, Xhevdet Xhafa dhe Zoran Jovanoviq.