Kulturë

“DokuFesti” jubilar në ribërje për një të ardhme më të mirë

Si ngjarje e mezipritur që Prizrenin e shenjëzon në hartën e ngjarjeve më të rëndësishme kulturore në vend e rajon, “DokuFest” i sivjetmë shënon jubileun e vet të 20-të me një larushi filmash e programesh. Me temën e qendërzuar rreth tri nocioneve “Re:set Re:mix Re:act”, nga Prizreni drejt audiencave të tij në vend, rajon e Evropë shpalosen diskutime e shestime për botën se si do të jetë pas pandemisë. “Ne po përpiqemi të ‘ribëjmë’ gjithçka është e mundur për të krijuar një të ardhme më të mirë”, ka thënë producentja e festivalit, Alba Çakalli. Me një rekord prej 3 mijë aplikimesh, “DokuFesti” i sivjetmë sjell 106 filma nga 60 vende të ndryshme të botës, shumica e të cilëve do të shfaqen fizikisht në kinematë e qytetit historik

Instilacioni “On Air” ishte impulsi simbolik në kalanë e Prizrenit me anë të të cilit Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”, vjet i tejçoi publikut thirrjen për reflektim në një botë që po ballafaqohej me ndryshime të paimagjinueshme. Duke përvijuar lidhjen e pashkëputshme me publikun e vet, kryengjarja kulturore e Prizrenit dhe Kosovës me edicionin e vet të sivjetmë shënon jubileun e vet dydekadësh.

Me 25 ditë deri te hapja me kohën që tani po numëron së prapthi, organizatorët e “DokuFestit” po i aviten gjithnjë e më shumë synimit për t’i mbushur kinematë e qytetit.

Me mbi 3 mijë aplikime rekord që trokitën në adresë të këtij festivali, edicioni i sivjetmë do të shpalosë 106 filma të përzgjedhur nga 60 vende të ndryshme anekënd botës.

Me përgatitjet që tashmë kanë hyrë në fazën finale, producentja e festivalit, Alba Çakalli, është shprehur e lumtur që sivjet në format hibrid po realizohet edicioni i 20-të me radhë. Dhe mu kjo simbolikë, sipas saj, i bën bashkë në festë stafin, mysafirët dhe audiencën e gjerë.

“Besojmë që do të arrijmë t’i mbushim kinematë për aq sa na lejohet dhe shumica e filmave të shfaqen në format fizik”, ka thënë Çakalli të hënën për KOHËN.

Sipas planifikimeve të stafit dhe menaxhmentit të “DokuFestit”, për programin e festivalit do të jenë në dispozicion gjashtë kinema në mjedis të hapur (në të cilat filmat shfaqen natën) dhe tri të tjera në mjedis të mbyllur (për filmat që shfaqen gjatë ditës).

Me synimin për të shfaqur filma për atë që e quan si audiencën më të preferuar të festivalit “DokuKids”, stafi i këtij eventi tashmë është në dijeni të paralajmërimit për ndryshimin e masave të pandemisë dhe mundësisë që program të rregullt të ketë deri në orën 24:00.

“Edhe në formatin online do të jetë e qasshme një pjesë e programit për audiencën tonë në rajon”, ka thënë producentja e festivalit.

Me angazhimin dhe pasionin e 150 vullnetarëve, “DokuFest”, pos filmave, synon të sjellë edhe ekspozita, punëtori ashtu sikundër edhe një program të pasur me debate, master-klasa dhe sesione me pyetje e përgjigje që pasojnë shfaqjet e filmave.

“Prizreni, e veçmas ‘DokuFesti’, mezi po pret t’i shohë e t’i takojë mysafirët e vet”, ka thënë Çakalli.

Me temën e përzgjedhur për sivjet, stafi dhe menaxhmenti i këtij festivali tashmë ka ndarë mendjen që të adresojë çështje te të cilat kërshërohet i gjithë njerëzimi. Kështu, “Re:set Re:mix Re:act” janë tri nocionet rreth të cilave do të qendërzohen diskutimet për të riimagjinuar një botë të re pas pandemisë.

Vetë Çakalli beson se prurjet e “DokuFestit” do të japin kontributin e tyre për të “ribërë” gjithçka që është e mundshme për të krijuar një të ardhme më të mirë.

“Ka tema të ndryshme në festival, por kryesisht do të preken temat sociale dhe ato për mjedisin”, ka thënë ajo për të shtuar se shpresojnë që “Re:set Re:mix Re:act” do të përçojë mesazh pozitiv për “aksion më të mirë e shpresëdhënës” si tek audienca, ashtu edhe te njerëzimi.

Në një nga kategoritë kryesore, siç është ajo kombëtare e cila është qasshme edhe për audiencën në Gjermani, Zvicër dhe Suedi, do të shfaqen gjithsej 16 filma.

Sipas programit të afishuar në faqen zyrtare do të shfaqen filmat: “Një fëmijë” nën regjinë e Bekim Gurit, “Beyond the Gream” nën regjinë e Xhemajl Avdylit; “Vozitësi” në regjinë e Valter Lucajt; “Dur Gur Mur” nën regjinë e Genc Jakupit; “Rruga Fan Noli” nën regjinë e Jehona Berishës; “I Have Never Been on an Airplane” nën regjinë e Redon Kikës; “July” nën regjinë e Sezer Salihit; “Mardhë” nën regjinë e Flaka Kokollit; “Nëna Marte” nën regjinë e Dorina Toçit; “Mbijetesa dhe shkolla” nën regjinë e Ilir Kabashit, “Lulet mungojnë” nën regjinë e Ilma Tyrbetarit dhe Alexandros Kantoros; “Çarçafët e bardhë” nën regjinë e Pandeli Cecos; “Kush mytet kapet për shkume” nën regjinë e Urtina Hoxhës; “Gojë ka, gojë ska” nën regjinë e Valmira Rashitit, “Wir” nën regjinë e Visar Jusufit si dhe “Kur mbaroi, vdekja as që na mbylli sytë” nën regjinë e Doruntina Kastratit.

E në kategorinë tjetër “Green Dox”, rreth së cilës do të jenë temat kryesore të edicionit të sivjetmë, do të shfaqen filmat: “Gunda” i Victor Kossakovskyt (Norvegji/ShBA); “I Am Greta” i Nathan Grossmanit (Suedi); “Landfall” i Cecilia Aldorondo (ShBA); “Living Water” i Pavel Boreckýt (Çeki/Jordani/Zvicër); “Taming the Garden” i Salome Jashit (Zvicër/Gjermani/Gjeorgji); “The Mushroom Speaks” i Marion Neumannit (Zvicër); “Waste vol.1” i Jan Ijäsit si dhe “White on White” i Viera Čákanyová.

Kategori të tjera garuese të festivalit janë edhe “Balkan Dox”, “Int’l Dox: Features”, “Int’l Shorts”, “Human Rights Dox” dhe “Truth Dox”.

Përndryshe, në edicionin e sivjetmë jubilar do të jetë edhe programi “20 FOR 20: REPLAY” që, sipas organizatorëve, ngërthen 20 filmat më të mirë që “disi përcaktojnë shijen dhe praktikën kuratoriale të ekipit programues”.

Në mesin e tyre janë edhe fitues të edicioneve të kaluara si filmat “La Bocca Del Lupo’” i Pietro Marcellos, “Dubina Dva” i Ognjen Glavoniqit, “Sans le Kosovo” i Dea Gjinovcit dhe filmi i shkurtër emocionues “Sun Dog” i Dorian Jespers. Po ashtu, sipari i edicionit të sivjetmë do të shpalosë edhe programin e filmave që lidhen me muzikë të quajtur “Sonix Experiments: Music on Film”.

I themeluar më 2002, me qëllimin që të rivitalizojë kulturën e kinemase në qytetin historik të Prizrenit, “DokuFest” ndër vite krijoi staturën më të rëndësishme të festivalit të filmit dokumentar dhe atij të shkurtër në Evropën Juglindore, kurse prej 2019-s ai është kualifikuar në BAFTA.