Kulturë

Komuna e Prishtinës me 400 mijë euro për 158 projekte kulturore, kritika ndaj kritereve

Komuna e Prishtinës

Mbi 400 mijë euro është shuma që ka ndarë nga qesja e saj Komuna e Prishtinës, e cila nëpërmjet një komisioni ia ka dhënë dritën e gjelbër përkrahjes së 158 projekteve dhe aktiviteteve kulturore. Ndonëse vërehet një rënie e lehtë e subvencioneve në krahasim me vitin e kaluar për dy thirrjet publike, organizata kulturore e individë janë ankuar që Komuna i ka lënë anash. Botimet, kësisoj, kanë qenë më pak të favorizuara, ndërkohë që mbështetja më e madhe ka shkuar për disa nga edicionet e festivaleve tradicionale në vend

Fiks 338 projekt-propozime kanë trokitur në derën e Komunës së Prishtinës, kur në fillim të marsit hapi thirrjen publike për prodhime e aktivitete kulturore. Qeveria komunale ka zgjidhur “qesen” për 158 projekte. Komuna e Prishtinës tashmë ka bërë të ditur listat e përfituesve të fazës së parë në thirrjen për Kulturë (Art Vizual – Figurativ, Botime, Kinematografi, Teatër 2021), si dhe thirrjes tjetër publike për “Kulturë, Festivale, Mbështetje të aktiviteteve vjetore, muzikë, Shoqëri Kulturore-Artistike, Trashëgimi Kulturore dhe Turizëm 2021”.

Në bazë të vlerësimit të komisionit, vlera e gjithsejtë e subvencioneve të dhëna është 413 mijë e 444 euro.

Për drejtorin e Kulturës në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, vlerësimi është bërë në mënyrë profesionale.

“Vlen të përmendet që ka pasur edhe projekte tepër kualitative që nuk kemi mundur t’i përkrahim, shkaku që disa prej tyre kanë gabuar teknikisht në aplikim”, ka shkruar Berisha në llogarinë e tij në Facebook.

Sipas listës së publikuar në faqen “prishtinaonline.com”, “Zhvillimi i teatrit të pavarur në Prishtinë” nga organizata “Integra” dhe “Në duart tona” nga Organizata e Artit dhe Kulturës “Prishtina Biennale” janë dy projektet që kanë përfituar nga një subvencion prej 8 mijë eurosh. Fill pas tyre, projekti i Trëndelina Halilit “Mbrapa gjurmëve të luftës – web series”, si dhe ai i Jeton Gusisë “Krijimi i veprave të reja në pikturë” janë subvencionuar me nga 7 mijë euro.

Siç është bërë e ditur në listën e sapopublikuar të Komunës së Prishtinës, të pakënaqurit me punën e Komisionit mund të ushtrojnë ankesë në komisionin për shqyrtimin e ankesave për subvencione në Drejtorinë e Kulturës deri më 9 korrik.

Neziraj: “Duhen kritere të tjera për botimet”

Po në këtë thirrje nuk del që botimit të titujve të rinj në letërsi t’i ketë ecur mbarë. Kështu, tri projekte të qendrës “Multimedia” nuk kanë marrë asnjë cent: “Poezi dhe prozë e shkurtër”, “7 drama bashkëkohore të autorëve të rinj nga Kosova”, si dhe “Tregime – Shpëtim Selmani”.

Jeton Neziraj, nga kjo qendër, ka thënë se konkursi i Komunës nuk ka një thirrje specifike për botime letrare. Sipas tij, ajo është juri e përgjithshme që i vlerëson, sikurse të gjitha projektet e tjera, propozimet për botime të ndryshme.

“Natyrisht është e vështirë të besoj që ajo juri vendos për botimet e caktuara mbi ndonjë kriter, përtej atij administrativ”, ka thënë Neziraj të martën për KOHËN. “Në këtë kontekst, ne edhe jemi peng i procedurave administrative e burokratike, që një organizate nuk i lejojnë të aplikojë me më shumë se një projekt”.

Teksa ka ngulmuar që botimi i librit të mos vlerësohet me këtë kriter, Neziraj ka bërë të ditur se dy projekte të “Multimedias” janë refuzuar.

“Komuna e ka humbur mundësinë që të jetë mbështetëse e tetë autorëve të rinj, shtatë prej të cilëve janë dramaturgë të rinj”, ka shtuar ai.

Ankesa në adresë të Komunës

Ndërkohë, sipas thirrjes tjetër për kulturë për mbështetje të aktiviteteve vjetore, kësaj qendre i janë dhënë si subvencion 5 mijë euro për projektet “Festivali i Letërsisë Polip 2021”, “Kosovo Theater Showcase”, shfaqjen “Bordel Ballkan”, si dhe reprizat e shfaqjeve që jepen gjatë vitit në Teatrin “ODA”.

Për Nezirajn, në listën e përfituesve janë përfshirë edhe organizata e individë anonimë që kanë marrë buxhet më shumë sesa qendra “Multimedia” e cila, sipas tij, “është aktive gjatë tërë vitit dhe me volum të aktiviteteve e me cilësi është prijatare në Kosovë”.

“Mbështetja që marrin nga institucionet publike është e vogël dhe kjo konsiderojmë se është e padrejtë. Kjo natyrisht e vështirëson punën tonë dhe vë në pikëpyetje shumë aktivitete të planifikuara”, ka thënë Neziraj teksa ka shtuar se do të ankohen ndaj këtij vendimi të Komunës së Prishtinës.

As Teatrit “ODA” nuk i ka ecur më mbarë: projekti i saj “Teatri ODA – Reporteri 2021” figuron në mesin e atyre që nuk janë vlerësuar për subvencion nga ana e komisionit.

“Do të kërkoj sqarime prej Komunës dhe do të shohim se çka është në pyetje”, ka thënë shkurt regjisori Florent Mehmeti, i cili udhëheq me teatrin “Oda”.

Shi për këtë, KOHA i ka nisur pyetje me shkrim drejtorit për Kulturë në Komunën e Prishtinës, Adrian Berisha, por ai nuk u është përgjigjur atyre.

Me 172 mijë e 544 euro janë mbështetur 50 projekte në thirrjen e fazës së parë “Art Vizual-Figurativ, Botime, Kinematografi, Teatër”. Vitin e kaluar, në këtë thirrje ishin dhënë 135,798 për projekte në këtë kategori.

233 mijë e 500 euro janë ndarë gjithsej për 103 projekte në thirrjen e dytë për “festival, mbështetje të aktiviteteve vjetore, muzikë, shoqëri-kulturoro-artistike, trashëgimi kulturore dhe turizëm”. Projektet më të subvencionuara në këtë thirrje janë: “Etnofest 2021 - edicioni i 11-të”, “Edicioni i 20-të i Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës ReMusica”, “Programi Vjetor i Kino ARMATA 2021”, “Festivali Ndërkombëtar ‘Meeting of Styles Kosove’, edicioni i 5-të”, “Prishtina International Film Festival - Edicioni i 13-të” dhe “Festivali i Muziktarëve të Rinj - DAM 2021” me nga 8 mijë euro.

e kaluar, lista e përfituesve në po këtë thirrje kishte kapur një vlerë prej 320 mijë e 500 eurosh.

Sipas thirrjeve, shuma minimale e mbështetjes financiare që mund të alokohet për çdo projekt ishte 500 euro, ndërsa shuma maksimale 14 mijë euro. Të drejtë aplikimi kanë pasur OJQ-të dhe bizneset të cilat janë të regjistruara në Republikën e Kosovës, të cilat veprojnë në Komunën e Prishtinës dhe realizojnë aktivitetin e tyre në Komunën e Prishtinës, individët të cilët janë rezidentë të Komunës së Prishtinës.

Në thirrjet e hapura në mars ishte sqaruar se bizneset dhe individët mund të subvencionohen vetëm një herë brenda vitit nga Komuna e Prishtinës. Po ashtu ishte sqaruar se OJQ-të, bizneset dhe individët, të cilët nuk e kanë përmbyllur raportin e subvencioneve të viteve paraprake, nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga subvencionet e Komunës së Prishtinës.

“Objektivat e përgjithshme të kësaj thirrjeje janë që Komuna e Prishtinës të ofrojë përkrahje për individët, bizneset, si dhe OJQ-të, programi i të cilëve është i fokusuar në fushën e kulturës dhe ofron mbështetjen e tyre me transparencë të plotë dhe pa kurrfarë diskriminimi”, sqarohet në thirrjen e së mekurës.

Objektivat specifike, sipas Drejtorisë së Kulturës, janë fuqizimi i krijuesve të pavarur dhe krijuesve të rinj që veprojnë në Komunën e Prishtinës dhe sigurimi i mbështetjes për institucionet e pavarura kulturore dhe për punën në grupe.

“Të përkrahen punët me përmbajtje kritike, të cilat synojnë të sfidojnë pabarazi sociale dhe ekonomike, të përkrahen punët me përmbajtje feministe, të stimulohet inovacioni teknologjik në të gjitha fushat kulturore dhe të inkurajohen personat me nevoja të veçanta për pjesëmarrje dhe prodhim në sektorin artistik dhe kulturor”, ishte shkruar në thirrje.