Kulturë

Kurti: Moskthimi i artefakteve të Kosovës nga Serbia, shkelje e konventave ndërkombëtare

E hapur në 10-vjetorin e Pavarësisë, ekspozita arkeologjike “Dardania Antike”, në Muzeun Kombëtar të Kosovë, tashmë flet edhe përmes shpjegimeve të detajuara. Nëpërmjet katalogut të autorëve, Milot Berisha dhe Arben Hajdari, ky repertor arkeologjik artefaktesh e ekofaktesh është shoqëruar me një narracion kronologjik për të gjithë të interesuarit.

Në promovimin e bërë pasditen e sotme në mjediset e Muzeut Kombëtar të Kosovës, ku ishin të ftuar edhe ambasadorë të huaj e zyrtarë të KFOR-it, është kërkuar nga Serbia që t’i kthejë 1.247 artefaktet arkeologjike dhe etnologjike të marra në vitin 1998/1999.

I pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili ka vlerësuar se trashëgimia kulturore është nga burimet më të fuqishme formative të identitetit.

“Ajo fuqizon lidhjen tonë me historinë, zhvillon ndjenjën e pronësisë dhe kujdesit ndaj vlerave, si dhe nxit përgjegjësinë ndaj gjeneratave që do të vijnë pas nesh”, ka thënë Kurti.

Duke folur për ekspozitën e përhershme të MKK-së që ngërthen një periudhë 8-mijë vjeçare, kreu i Qeverisë së Kosovës ka theksuar se pjesa më e rëndësishme e koleksionit arkeologjik nuk gjendet në Kosovë, por në muzetë e Beogradit.

“Ndonëse kanë kaluar njëzet e tre vjet, një pjesë e rëndësishme e pasurisë sonë kulturore vazhdon të mbahet padrejtësisht në Serbi”, ka thënë Kurti.

Me këtë rast, ai ka përkujtuar se artefaktet janë marrë në rrethana të luftës dhe se reversët e nënshkruar nuk janë respektuar nga institucionet serbe.

“Moskthimi i pasurisë kulturore në vendin e origjinës përbën shkelje të konventave ndërkombëtare”.

Kryeministri Kurti, më tej, ka paralajmëruar se kjo çështje po bartet edhe në forume ndërkombëtare, e po ashtu edhe në ato gjyqësore në rast nevoje.

“Në gjykimet e Tribunalit të Hagës, shkatërrimi i qindra monumenteve të Kosovës gjatë luftës është cilësuar si krim kundër njerëzimit. Gjykatësit kanë konstatuar se këto shkatërrime nuk kanë qenë të rastësishme dhe as dëme kolaterale, por pjesë e një plani për të sulmuar identitetin, kulturën dhe historinë e shqiptarëve”, ka thënë mes të tjerash ai.

Të pranishmëve i është drejtuar me një fjalë rasti edhe drejtori i MKK-së, Ajet Leci. Sipas tij, një pjesë e madhe e eksponateve janë marrë nga pushtuesi serb në emër të një ekspozite të përkohshme.

“Megjithatë ne, më datën 19 maj, kemi bërë kërkesë zyrtare në Beograd që t’i kthejnë këto thesare në vendin e origjinës”, ka thënë Leci.

Për vlerat e katalogut të sapobotuar, ka folur edhe antropologu Arsim Canolli, i cili e ka vlerësuar atë si një narracion kronologjik të bazuar në referenca shkencore.

“Katalogu është një kallëzor narratologjik, një libërth që jep informacione edhe më të mëdha sesa jep një ekspozitë. Pra, nuk është një katalog që jep informacione bazike, nuk është as album fotografik, por katalog me narracion që kontekstualizon ekspozitën në aspektin historik e arkeologjik”, ka thënë ndër të tjerash Canolli.