Kulturë

Veterani i luftës promovon libër për shokët e tij

Është promovuar sot libri “Flakë e Pashuar” nga autori Hajrush Kurtaj, libër i cili trajton historikun e dëshmorëve të Kaçanikut dhe Hanit të Elezit të rënë në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , të cilët sakrifikuan jetën për lirinë e Kosovës.

Libri përmban të gjitha informatat e autorit që i kishte gjatë kohës së luftës, gjithashtu edhe informata të marra nga bashkëluftëtarët e tij me të cilët kishte luftuar në pjesën e Kaçanikut.

Kurtaj që edhe vet ka qenë pjesëtar i UÇK-së zgjodhi që librin e tij ta promovojë në lokalet e zyrës së veteranëve të luftës së UÇK-së në Prishtinë.

Libri i Kurtajt është vlerësuar lart edhe nga kryetari i komunës së Kaçanikut Besim Ilazi.

I pari i Kaçanikut tha se ky libër është dëshmi dhe dokument për historinë e Kosovës.

I nderuar se një veteran i luftës së UÇK-së ka bërë një libër për dëshmorët e UÇK-së është edhe kryetari i veteranëve Hysni Gucati.

Ai tha se ky libër e ka vendin tek kjo organizatë dhe se sipas tij selia e veteranëve të luftës është vendi i të gjithë veteranëve të UÇK-së.

Autori i librit “Flakë e pashuar” Hajrush Kurtaj falënderoi të gjithë ata që e kanë ndihmuar për të bërë këtë libër. Në veçanti Kurtaj e ka falënderuar një bashkëluftëtar të tij, Musa Zenunin, i cili siç tha ai i ka ndihmuar gjithnjë si në luftë e po ashtu edhe në paqe.

Kurtaj në vitin 1998 ishte dënuar me 9 vjet burg në mungesë nga regjimi serb.