Kulturë

“DokuFesti” fuqizohet me mbështetje të Suedisë e Komunës së Prizrenit

Partneriteti i “DokuFestit” me Suedinë synohet të thellohet. Në këtë drejtim është nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me SIDA-n, ku palë e përfshirë është edhe Komuna e Prizrenit. Drejtuesit e “DokuFestit” shpresojnë që ky bashkëpunim të rezultojë me forcimin e kapaciteteve organizative, por edhe me bashkëpunimin me institucionet e filmbërësit suedezë. Në këtë kuadër “DokuFesti” parasheh vazhdimin e bashkëpunimit me Institutin Suedez të Filmit, si për filmbërje, ashtu edhe në promovim të kineastëve të rinj në të dyja vendet përkatëse.

Marrëveshja në fjalë është nënshkruar nga drejtoresha e “DokuFestit”, Linda Llulla, ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck, dhe kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka.

Drejtoresha e “DokuFestit”, Linda Llulla, ka thënë se kjo marrëveshje vjen pas bashkëpunimit dhe diskutimeve disavjeçare me partnerët suedezë.

“Kjo marrëveshje – pas diskutimeve 2-3 vjeçare të cilat i kemi pasur me Ambasadën suedeze dhe pas bashkëpunimeve të ndryshme me ta – ka rezultuar me nënshkrimin sot të një përkrahjeje 3-vjeçare me një shumë të konsiderueshme që “DokuFestit” ia jep njëfarë stabiliteti në festival, por edhe si organizatë në tërësi, për projektet vjetore dhe për organizimin e festivalit”, ka thënë ajo. Sipas saj, me marrëveshje parashihet riorganizimi i “DokuFestit”, hartimi i strategjisë 5-vjeçare, por edhe thellimi i bashkëpunimit me Institutin Suedez të Filmit.

“Kemi pasur bashkëpunim me Institutin Suedez të Filmit, që është njëfarë shembulli të cilin po duam ta ndjekim. Bashkëpunimi do të thellohet tani me vizitat në vitin e ardhshëm pas pandemisë, vizitat në Kosovë, bashkëpunimin në të ardhmen rreth filmave të Kosovës, me filmbërje e kineastë të rinj që do të promovohen në Suedi, por edhe ata suedezë në Kosovë”.

Ndërkaq, ambasadorja e Suedisë në Kosovë, Karin Hernmarck, ka theksuar se shteti i saj beson fuqishëm në potencialin e artit dhe kulturës për t’i ngritur shoqëritë nga varfëria dhe për t'i vendosur ato në rrugën e zhvillimit.

“Në rastin e Kosovës, ai është i lidhur ngushtë me afirmimin ndërkombëtar të shtetësisë së vet. Artistët dhe institucionet kulturore janë agjentë të ndryshimeve shoqërore dhe roli i tyre shtrihet përtej veprës dhe ngjarjeve të tyre artistike. Prandaj, institucionet shtetërore duhet të veprojnë mençur, duke zgjeruar fushën e mbështetjes për artin dhe kulturën. Suedia është e lumtur ta bëjë pjesën e saj”, ka thënë ajo. Po ashtu, ka shprehur bindjen se “DokuFesti” është storie e adhuruesve të kinemasë që nuk kanë pasur kinema në qytet 20 vjet më parë, por që kanë arritur ta bëjnë Prizrenin një destinacion kulturor të rëndësishëm nëpërmjet festivalit.

“Projekti ynë synon t’i konsolidojë kapacitetet institucionale dhe qëndrueshmërinë e “DokuFest” si një mjet për rritjen e ndikimit ekonomik të festivalit për Prizrenin dhe Kosovën. Ne jemi të lumtur të ecim krah për krah me ‘DokuFestin’ në dekadën e tij të tretë”, është shprehur ajo.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka bërë të ditur se “DokuFesti” për 20 vjet e ka kthyer Prizrenin në një qendër botërore të filmit, duke e pasuruar jetën kulturore të Kosovës dhe duke e kthyer Prizrenin në një destinacion të rëndësishëm të turizmit kulturor.

“Përmes programeve artistike dhe kulturore, ‘DokuFesti’ ka frymëzuar rininë dhe sektorin krijues të Kosovës –të Prizrenit në veçanti – për të guxuar dhe për ta shfrytëzuar potencialin ekzistues të qytetit të Prizrenit në promovim përmes artit dhe kulturës. Kjo ka ndikuar që sot Prizreni të jetë qendër e filmit, me një numër të madh të kinemave që u ofrojnë mundësi të rinjve të kenë qasje në programe të begatshme artistike përmes filmave dhe diskutimeve që zakonisht ndodhin pas shfaqjes së filmave. Filmi ka frymëzuar edhe shumë të rinj të hulumtojnë dhe krijojnë tregime audiovizuele, të cilat përçojnë zërat e të rinjve në skenën ndërkombëtare”, ka deklaruar ai.

Sipas njoftimit të “DokuFestit”, marrëveshja e nënshkruar ka kohëzgjatje 3-vjeçare dhe qëllimi i përgjithshëm i programit është demokratizimi i shoqërisë përmes artit dhe kulturës, që do të ndërveprojë në sektorin e artit, kulturës, arsimit dhe zhvillimit ekonomik.

“DokuFest” sivjet organizon edicionin e 20-të jubilar të festivalit të filmit dokumentar dhe të shkurtër prej 6 deri më 14 gusht.