Kulturë

Përse Luan Hajra i këndoi gjithmonë vetëm dashurisë?

Në skemën programore të Kohavisionit është rikthyer emisioni “PRO X”, i cili ka në fokus të sjellë rrëfime të veçanta dhe të padëgjuara të personaliteteve të njohura në vend. Luan Hajra është personazhi i parë, i cili përmes rrëfimit iu kthehet kujtimeve të një jete me muzikën.

Më shumë se gjysmë-shekulli me këngën vijnë në episodin e parë të emisionit “PRO X” në Kohavision. Ai shtjellon historinë e tij muzikore që ngul këmbë që nga pjesëmarrja në orkestrën ‘Yjet e Zjarrta’ në Mitrovicë e në orkestrën e ‘Qëndresa’, e cila udhëhiqej prej Fahri Beqirit. Rrëfimi muzikor i tij ndalet tek ftesa për t’u bërë pjesë e orkestrës së Radio Prishtinës, ku e impresionoi jurinë me zërin e tij.

Këngëtari nga Mitrovica pa një shkollim muzikor, arriti ta vulosë famën me këngën “Arabella”. Versioni shqip i këngës “Rroka Mandolinën” nga Luan Hajra u këndua në tërë ish- Jugosllavinë. Ndonëse shëndeti e ka shkëputur nga skena tash e sa vjet, zëri nuk e ka tradhtuar. Në emisionin “Pro X”, Hajra rrëfen se përse përmes këngëve të tij ka trajtuar vetëm tema të dashurisë.

“Gjithmonë kam qëndruar jashtë temave të politikës, sepse babai im ka qenë ballist, të cilit ia kanë pushkatuar babanë dhe vëllain dhe tërë jetën ka qëndruar nëpër burgje. Atëherë ruhesha nga aspekti politik dhe këndoja këngë që nuk kishin të bënin me politikën”, ka rrëfyer Hajra.

Këngëtari nga Mitrovica zbulon edhe për këngën të cilën do ta punojë së bashku me familjen e të cilën do t’ia dhurojë popullit shqiptar.