Kulturë

“Tarantula” në mision për shtrirjen e aktiviteteve kulturore në çdo qytet

Duke parë që aktivitetet kulturore kryesisht janë koncentruar në kryeqytet, përderisa qytetet e tjera kanë mbetur nën hije, është iniciuar nisma për decentralizim të aktiviteteve kulturore përtej Prishtinës. Do të nisë së implementuari në muajin qershor, fillimisht në të paktën 7 zonat rajonale. Emri i nismës nga specia e merimangës, “Tarantula”, vjen me simbolikën e vet që përthekon edhe qëllimin e kësaj iniciative

Koncentrimi në një pikë bën që drita që vjen nga skajet të mos reflektojë. Kjo i ngjan centralizimit kulturor në Prishtinë, i cili e ka bërë kryeqytetin kosovar kryeqendër aktivitetesh të ndryshme kulturore e qytetet e tjera të bien në një heshtje artistike.

Ky realitet i ka bërë anëtarët e shtëpisë botuese “Bard Books”, Ag Apolloni, Sherif Luzha e Besnik Jaha, t’i përvishen punës për ta bërë të kundërtën.

Të premten pasdite në panelin e diskutimit në qendrën “Libart” dhe në bashkëpunim me organizatën ETEA, u shpalos iniciativa e decentralizimit kulturor e quajtur “Tarantula”.

Shkrimtari dhe profesori universitar, Ag Apolloni, ka thënë se ky emërtim nga merimanga është simbolikë e qëllimit të tyre.

“Tarantula është një merimangë që në kuptimin simbolik do të thotë fuqizim i njeriut që ka pësuar një rënie shpirtërore. E ka kuptimin edhe në krijimin e hapësirës tënde”, u shpreh Apolloni.

“Tarantula” do të jetë nisma e cila do të nisë së implementuari në muajin qershor, e që në thelbin e saj do të ketë shtrirjen e aktiviteteve kulturore në qytetet e Kosovës.

“Decentralizimi i kulturës do të nënkuptonte t’iu jepnim mundësi edhe pjesëve të margjinalizuara, atyre që nuk kanë mundësi të qasen në qendër, që edhe zëri i tyre të dëgjohet përmes organizimeve”, ka thënë në panel Sherif Luzha.

Ish-studenti i Letërsisë Shqipe, Besnik Jaha, tregoi fillet e kësaj iniciative.

“Nëse e bëjmë një krahasim të gjeografisë kulturore në territoret ku flitet e mendohet shqip, kemi parë që kulturë ka vetëm në disa vende”, ka thënë ai.

Pikërisht kjo u kishte dhënë dritën e gjelbër pjesëtarëve të kulturës, për të sjellë diçka të frytshme për çdo komunë, rrjedhimisht për çdo qytetar të Kosovës.

Ag Apolloni ka thënë se asnjë nga komunat nuk posedon një kalendar kulture, në të cilin mund të shihen aktivitetet vjetore.

“Qëllimi ynë i parë është që secila Komunë ta ketë kalendarin kulturor, që secila prej tyre t’i ketë së paku dymbëdhjetë aktivitete brenda vitit”, ka theksuar ai, duke aluduar minimalisht në një organizim në muaj.

Rrjeti i funksionimit të “Tarantulas” do të jetë mbi bazën e krijimit të grupeve të reja të kulturës në çdo qytet apo të vazhdimësisë së punës të të vjetrave. Kështu, nga çdo vend do të raportohet në grupin kryesor në Prishtinë dhe sipas vlerësimeve të bëra, do të dërgohen artistë nga vende të ndryshme brenda e jashtë Kosovës për organizimin e aktiviteteve aty.

“Ne e kemi projektuar e ideuar një platformë, e cila do të shtrijë një ngjarje kulturore në çdo qytet të Kosovës, të paktën në 7 zonat rajonale”, ka thënë Besnik Jaha.

Ata theksojnë se nëse përcaktohet një muaj aktivitet mbi një temë – për shembull promovime librash – atëherë autorë të ndryshëm do të kenë rastin të takohen me lexuesit e tyre në pika të ndryshme të Kosovës, duke bërë laramani autorësh e qytetesh.

Komunat e para me të cilat pritet të fillojnë bashkëpunimin iniciatorët e “Tarantuls”, janë ato të cilave u mungon organizimi i aktiviteteve, duke tentuar të krijohet një lloj “barazie kulturore”.