Kulturë

Kosova larg “Eurovisionit”, me peticion lobon për pranim

“Kosova meriton të jetë pjesë e garës evropiane të këngës ‘Eurovision’. Kosova është pjesë e Evropës dhe duhet të jetë pjesë e vlerave evropiane”, është shkruar në hyrje të peticionit “Kosovo in Eurovision” (Kosova në “Eurovision”), që është nismuar nga 31-vjeçari Albert Limani. Peticioni i hapur të martën brenda ditës ka marrë mbi 4 mijë nënshkrime në faqen “change.org”.

Sipas Statutit të tanishëm për anëtarësim të Rrjetit të Transmetuesve Evropianë (EBU), i cili organizon Festivalin, vetëm shtetet të cilat janë anëtare në ITU (Rrjeti Ndërkombëtar i Telekomunikacionit) ose Këshillit të Evropës mund të bëhen anëtare në EBU dhe të marrin pjesë në “Eurovision”. Që Kosova ta arrije këtë, RTK-ja duhet të jetë anëtare me të drejta të plota në EBU.

E sa i përket edicionit të sivjetmë të Festivalit që përfundoi të shtunën mbrëma me triumfin e grupit italian, “Måneskin”, EBU që në fillim bëri të ditur për mediat se Kosova nuk do të jetë pjesëmarrëse.

“Kosova nuk është pjesë e asnjërës (v.j. ITU-së dhe KE-së). Por EBU-ja ka ndihmuar në ngritjen e transmetuesit publik të Kosovës, RTK-së, në vitin 1999 dhe vazhdon të punojë për së afërmi me RTK-në për të mbrojtur median publike në Kosovë”, kishte bërë të ditur EBU për “Escxtra”.

Në vitin 2018, EBU-ja nisi një mocion për të votuar për anëtarësimin e plotë të RTK-së për vitin 2019, por që nuk kaloi. Që atëherë nuk është ndërmarrë ndonjë hap i ri në këtë drejtim. Emri i Kosovës në garën evropiane të këngës u përmend sivjet vetëm kur u tregua për prejardhjen e përfaqësuesit të Zvicrës, Gjon Muharremaj, i cili zuri vendin e tretë. I njohur si Gjon’s Tears, me “Tout l'Univers” ai ka qenë i pari me votat e jurive profesionale, por krejt lista është përmbysur në minutat e fundit.

Arritjet e këngëtareve si kjo e Muharremajt janë potencuar edhe në peticion.

“Kosova ka dëshmuar që ka potencial për t’u paraqitur në ‘Eurovision’. Ne e dimë suksesin e këngëtarëve kosovarë për shtetet e tjera si: Rona Nishliu (2012), Lindita Halimi (2017), Gjon Muharremaj (2021) e të tjerë”, është shkruar aty. Tregohet edhe se Kosova tashmë është pjesë e organizatave si “UEFA, FIFA dhe Lojërat Olimpike”, prandaj edhe EBU-ja duhet t’i hapë dyert e saj.

“Ani pse Kosova si shtet i pavarur asnjëherë nuk ka marrë pjesë në ‘Eurovision’ transmetimi i ‘Eurovisionit’ në Kosovë ka një histori të gjatë pasi që Kosova e transmeton këtë garë që nga viti 1961. Kosova në atë kohë nëpërmjet Jugosllavisë ishte përfaqësuar nga Radiotelevizioni i Prishtinës (RTP-ja)”, shkruhet aty.

Albert Limani, i cili me profesion është gazetar, ka thënë se ka disa vjet që lobon për pranimin e Kosovës në “Eurovision” edhe nëpërmjet rrjeteve sociale me llogari me emrin “Eurovision Kosovo”.

“Nuk ka ndonjë kuotë të caktuar të nënshkrimeve në peticionin online. Ne kemi vendosur kontaktet e EBU-së në ‘Eurovision’ dhe sapo që peticioni të arrijë një numër të caktuar presim që EBU të njoftohet për këtë”, ka thënë ai për KOHËN.

Festim Kabashi, drejtor i televizionit publik, ka thënë se artistët kosovarë meritojnë të jenë të barabartë edhe në garën për këngën më të mirë të Evropës.

“Talentet tanë kanë përfaqësuar dinjitetshëm Shqipërinë, së fundi edhe shtetin e Zvicrës, por nuk kanë pasur mundësinë ta përfaqësojnë vendlindjen e tyre, Kosovën. Çdo iniciativë që kontribuon në sensibilizimin e evropianëve për këtë të drejtë të artistëve kosovarë është për t’u përshëndetur”, ka thënë ai. Ka shtuar se edhe transmetuesi publik është i angazhuar dhe do të vazhdojë të angazhohet që edhe Kosova sa më shpejt të bëhet pjesë e “Eurovisionit”.

Paraprakisht në maj të vitit 2015, asokohe zëvendësministër i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi e kishte paraqitur si punë të kryer pjesëmarrjen e Kosovës në “Eurovision” për vitin pasues. Por paralajmërimi i tij ashtu si edhe për disa nisma të tjera doli të ishte bosh.

“Që të jemi të qartë. Unë e di se Kosova do të marrë pjesë në ‘Eurovisionin’ e ardhshëm. Por, nuk mund t’ju tregoj ende se si”, kishte shkruar ai Twitter.

Së fundi me sukses janë përmbyllur disa peticione të natyrës së ngjashme. E kjo, ka thënë Limani, e ka shtyrë që të besojë edhe më shumë se peticioni i tyre do të ketë ndikim në vendim.

Në fund të muajit të kaluar “Netflixi” e ka përfshirë Kosovën në listën e saj të shteteve, ashtu sikurse edhe kodin e saj telefonik, pas peticionit. E në fillim të këtij muaji “Apple Maps” ka pranuar kërkesat e disa të rinjve për t’i kthyer në shqip ose në trajta shqipe vendbanimet e Kosovës. Në gusht të vitit të kaluar “Apple” e “njohu” Kosovën.