Kulturë

Mehmetaj: Eksponatet e marra nga Serbia janë kryevepra të trashëgimisë së Kosovës

Descriptive Text

Arkeologu Haxhi Mehmetaj, vlerëson se eksponatet e marra nga Serbia gjatë luftës nga Muzeu i Kosovës, paraqesin kulmin e veprimtarisë në periudha të caktuara dhe sipas tij, bëhet fjalë për kryevepra të trashëgimisë arkeologjike dhe etnologjike.

Mehmetaj në Express intervistë, tha se bëhet fjalë për 1227 eksponate.

“577 janë arkeologjike dhe të tjera etnologjike. Fjala është për kryevepra të trashëgimisë arkeologjike dhe etnologjike, eksponate që janë zbuluar gjatë gërmimeve për 50 vite me radhë, e që përfshijnë gjithë territorin e Kosovës. Numri nuk duket i madh, pasi Muzeu i Kosovës dhe muzetë tjerë kanë me qindra eksponate, por këto që janë marrë nga Beogradi janë eksponate të përzgjedhura, këto paraqesin kulturën materiale e lëndore që nga shekulli i shtatë para Krishtit e deri në shekullin e 12-të pas Krishtit”, ka thënë Mehmetaj. “Janë përzgjedhur ato që prezantojnë periudha të caktuara, pa to nuk bën, pa këto nuk mund të prezantohet kultura”.

Mehmetaj thotë se për eksponatet që po mbahen padrejtësisht në Beograd, është përgatitur edhe ekspozitë përmes fotografive dhe secili eksponat është i dokumentuar në katalogun e përgatitur për këtë punë.

Ai thotë se eksponatet ndodhen në Muzeun Popullor të Beogradit. Në fakt, ai tha se Beogradi ka marrë edhe para 40 vjetëve eksponate nga Kosova dhe nuk i ka kthyer.

“Ato eksponate mbahen padrejtësisht dhe nuk ekziston asnjë mbështetje për këtë. Mbahen për shkaqe politike, që të na kushtëzojnë, që të marrin diçka, të na mbajnë peng për negociatat që do të mbahen në të ardhmen. Reagimet e Beogradit janë shpërfytyruese në kërkesën tonë për kthim të eksponateve”, ka thënë ai.