Kulturë

Dy galeri britanike shpalosin portretin e mjekut gjerman që u rezistoi nazistëve

Portreti i Ferdinand Mainzerit, i bërë nga Lovis Corinthi, është marrë nga shteti në vend të një fature të trashëguar takse

Një portret i një mjeku gjermano-hebre që u bë aktiv në një qerthull intelektualësh që fshehtazi po u bënin qëndresë nazistëve është pranuar nga shteti në vend të një takse.

Portreti i vitit 1899 i bërë nga Lovis Corinthi për Ferdinand Mainzerin do të bashkëndahet në koleksionet e Galerisë Kombëtare në Londër si dhe nga “Barber Institute of Fine Arts” në Birmingham.

Piktura është ofruar si pjesë e skemës së quajtur Acceptance in Lieu (AiL), e krijuar me “buxhetin e popullit” nga David Lloyd George më 1910, që mundëson që objekte kulturore t’i lihen shtetit si një mënyrë shlyerjeje apo rregullim i faturave të trashëguara të taksave.

Kjo është hera e parë që një objekt u është dhënë hise dy koleksioneve, dhe kjo vepër do të shpërfaqet me rotacion mes Londrës dhe Birminghamit.

Piktura e Mainzerit – me mustaqet e tij të kullandrisura deri në përsosuri vetulla të ngritura dhe një vështrim dyshimtar mes syzeve “pince-nez” – rrezaton dritë në një burrë që pati një storie mbresëlënëse.

Mainzeri ishte gjinekolog dhe figurë aktive në rrethet avangarde në Berlinin e fillimshekullit të kaluar. Në pamundësi për të kryer operacion pas lëndimit të kokë, Mainzeri iu kthye shkrimit të historisë.

Ai pati sukses ndërkombëtar me jetëshkrimin e Jul Çezarit, që u përkthye prej anglishtes në frëngjisht dhe thuhet të ketë frymëzuar edhe librin e vitit 1948 të dramaturgut dhe romansierit amerikan, Thornton Wilder, “The Ides of March”.

Në vitet ‘30, Mainzeri u bë aktiv në qarkun Solf, një grup intelektualësh që me kokën në torbë grumbulloheshin për të diskutuar se si t’u bënin ballë më mirë nazistëve. Ishte themeluar nga Johanna Solf, gruaja e ambasadorit gjerman dhe e bija e saj, Lagi, që e ndihmoi Mainzerin dhe familjen e tij të arratisej në Angli.

Shumica e njerëzve të qarkut u ekzekutuan më 1944 pas tradhtisë së bërë nga një i infiltruar prej Gestapos. Mainzeri dhe e shoqja e tij u larguan për në Los Angeles, duke u bërë pjesë e komunitetit të mërguar gjerman që po mëkëmbej e që përfshinte edhe shkrimtarin Thomas Mann dhe regjisorin Max Reinhardt.

Ai vdiq më 1943 dhe portreti i tij u trashëgua nga stërmbesa, Gisela Stone. Ndodhej me të në Londër derisa ajo vdiq më 2016.

Corinth është larg të qenit një emër i zakonshëm, por ai ishte një artist domethënës. Deri më tani, ai ishte i nënpërfaqësuar në Galerinë Kombëtare, dhe në këtë institucion kanë thënë se marrja e këtij aseti do të ndihmojë për të shpalosur ndikimin e artit bashkëkohor të lëvizjeve të kohës në Berlin e Vjenë.

Fillimisht piktura do të paraqitet në Birmingham.

Nicola Kalinsky, drejtoreshë e Barberit, e ka vlerësuar panelin e AiL për “një vendim të peshuar e kreativ që do të lejojë këtë portret dinamik e ngacmues të shihet si në Londër ashtu edhe Birmingham”.

Ajo ka shtuar: “Në Barber, do t’u shpalosë vizitorëve tanë për cilësitë e shqueshme të Corinthit si piktor, ashtu sikurse edhe ca thjerrëza të veçanta për të parë një periudhë të trazuar të historisë evropiane”.

Pranimi i pikturës e ka zgjidhur çështjen e taksës prej 87,600 funtesh.

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu: Salih Mehmeti