Kulturë

“Katalogu i Andrrave” në deshifrim të botës së panjohur shqiptare

Bota e ëndrrave, simboleve të tyre dhe modeli i interpretimit të tyre, kanë qenë thuajse një “terra incognita” në studimet shqiptare. Me përjashtim të një studimi fare të shkurtër të At Donat Kurtit në fund të viteve ‘30, “oneiromancia” tradicionale shqiptare nuk është shpleksur asnjëherë. Megjithëkëtë, është i mundur një përvijëzim i një modeli tradicional që zanafillon nga lashtësia, në të cilin për simbole të caktuara ëndrrash ekziston një ujdi e interpretimit. Kësisoj, libri i autoreve Iliriana Lira–Blakaj dhe Bjeshkë Guri, “Katalogu i Andrrave”, është i pari që merr përsipër dritësimin e modelit tradicional shqiptar të interpretimit të ëndrrave. Sipas autoreve, ky model – pos një aspekt i trashëgimisë kulturore shpirtërore shqiptare – është një dëshmi për reflektim ekzistencial mbi vetveten dhe të tjerët

Prej “Librit egjiptian të ëndrrave” e deri tek “Oneirocritica” e Artemidorit, përpjekja për të gjetur domethënie e ogure midis ëndrrave e ka përcjellë njerëzimin si hija trupin. Para se bota e ëndërrt të hynte në llupën e teorive moderne e postmoderne, interpretimi i ëndrrave krijonte një traditë a model në bazë të të cilit ëndrrat kondensoheshin në simbole e këto pastaj në mesazhe që përthyheshin në jetën e përditshme. Duke plotësuar një zbrazëtirë thuajse të plotë në interpretimin e ëndrrave, libri “Katalogu i Andrrave” është i pari që merr përsipër mbledhjen e simboleve të ëndrrave dhe praktikave të interpretimit të tyre sipas modelit tradicional në Kosovë.

I mbështetur në një punë etnografike në terren, me respondentë nga e gjithë gjeografia e Kosovës, studimi i autoreve Iliriana Lira–Blakaj dhe Bjeshkë Guri sjell për herë të parë një indeks me kategori e simbole ëndrrash, që gëzojnë një ujdi të gjerë sa i përket interpretimit të tyre.

Përurimi i librit, i bërë mbrëmjen e së premtes në mjediset e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës, është bashkëshoqëruar edhe me një panel diskutimi të autoreve të librit si dhe profesorit të antropologjisë, Arsim Canolli.

Në krye të diskutimit, Iliriana Blakaj ka treguar se interesimi për t’i hyrë qëmtimit etnologjik të simboleve të ëndrrave kishte filluar gjatë zhvillimit të temës së saj të masterit.

Sado që ëndrrat kishin qenë një temë periferike e studimit, ajo kishte vënë re se në literaturën shqipe mungonin thuajse krejtësisht studime antropologjike apo të çfarëdo natyre për simbolet e ëndrrave dhe interpretimin e tyre.

“Një pikëpyetje e madhe gjatë hulumtimit tonë ka qenë nëse simbolet e njëjta do ta kishin të njëjtin interpretim nga njerëz të ndryshëm”, ka thënë Blakaj, teksa ka shtuar se befasia më e madhe kishte qenë se shpjegimi kishte qenë i njëjtë për një numër të madh simbolesh nga respondentët e përfshirë.

“Interpretimi i ëndrrave – një jehonë edhe nga antika”

Kështu, sipas saj, libri “Katalogu i Andrrave” është një dokumentim i simboleve të ëndrrave, duke i përqasur ato edhe me teoritë ekzistuese në antropologji.

“Thelbi është që interpretimi i ëndrrave nuk është vetëm një akt imagjinativ, por edhe bartës i një kulture”, ka theksuar Blakaj.

Duke folur mbi hulumtimin për subjektin e saj, ajo ka vlerësuar se gjatë “katalogimit” të simboleve të ëndrrave është evidentuar edhe një jehonë e tyre antike.

“Simbolikave të ëndrrave i ishte qasur fare shkurt edhe At Donat Kurti mes dukagjinasve dhe mënyrës se si ata i përjetonin ato me një dromcë ekzistencialiste”, ka thënë mes tjerash Blakaj.

Image

“Një freski në studimet antropologjike”

Profesori i antropologjisë, Arsim Canolli, ka vlerësuar se ky libër përbën herën e parë kur zhvillohet një punë etnografike mbi ëndrrat dhe interpretimin e tyre.

“Është studim që sjell freski, por edhe një ftesë për t’i interpretuar e shqyrtuar ëndrrat, duke i krahasuar edhe me teoritë antropologjike”, ka thënë Canolli.

Sipas tij, “Katalogu i Andrrave” ka meritën që është studim serioz edhe për shkak të punës së bërë në terren.

“Autoret kanë evidentuar modelin tradicional të interpretimit, që është bartur si një lloj survivance nga antika”, ka thënë Canolli, teksa e ka vlerësuar punën e kryer me njerëz të gjeneratave më të vjetra nga Medvegja deri në Junik.

“Njerëzit reflektonin për veten e tyre”

Ndërkaq Bjeshkë Guri, bashkautore e librit, është shprehur se nga paslufta ka pasur një mendësi të re sa i përket elaborimit të ëndrrave. Duke folur për punën në terren, ajo ka thënë se respondentët i referoheshin një modeli me një listë të gjatë simbolesh të ëndrrave.

“Ata u referoheshin simboleve në një kohë të caktuar”, ka thënë ajo.

Blakaj ka theksuar se modeli tradicional i interpretimit të ëndrrave zbulon mënyra të ndryshme se si njerëzit kanë reflektuar mbi veten.

“Si vjegëz interesante për fenomenologjinë e ëndrrave është se për çdo ëndërr të parë zakonisht thuhet ‘kam pa andërr’, që flet për origjinën e saj nga një burim tjetër e jo domosdoshmërisht përvojë konjitive”, ka thënë Blakaj.

Urtina Hoxha, e cila është marrë me dizajnimin e ilustrimeve të librit, ka thënë se frymëzimi kryesor është ai që e kanë marrë prej tregimeve të gjysheve.

“Puna për ilustrimet nuk ishte e lehtë, për shkak se ëndrrat janë një përvojë personale”, ka thënë Hoxha, teksa ka folur për vizualizimin e simboleve më të shpeshta të ëndrrave.

Ndryshe, projekti për këtë libër është realizuar në kuadër të platformës “Heritage Space”, që zbatohet nga CHwB Kosova dhe financohet nga Qeveria e Suedisë.