Kulturë

Ismet Bogujevci kujtohet si vlerë e lartë e kombit

Descriptive Text

Të mbledhur për ta kujtuar këngëtarin doajen, Ismet Bogujevci, të pranishmit në mbledhjen komemorative në Teatrin Kombëtar të Kosovës të mërkurën e kanë vlerësuar lart atë. Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se këngëtari Ismet Bogujevci është personalitet i shquar kombëtar, që nëpërmjet këngës popullore lartësoi vlerat kombëtare. Kujtimet për të i kanë ndarë edhe drejtori i “Shotës”, Shefqet Gjocaj, koreografi Fehmi Shaqiri e familjarë të këngëtarit të shquar

Me fotografinë e tij në sfond e zërin unik që dilte prej këngëve të përzgjedhura për ta kujtuar atë, ora 13:00 e së mërkurës ka gjetur një numër të madh të zyrtarëve, familjarëve e artistëve në sallën e Teatrit Kombëtar të Kosovës. Të mbledhur për ta kujtuar këngëtarin doajen, Ismet Bogujevci, të pranishmit e kanë vlerësuar lart atë. Kur flitej për interpretimet e tij veçohej zëri unik, ndërsa si njeri çmohej për sensin për miqësi, sinqeritetin, vullnetin e mirë e rehatinë që u ofronte miqve në tavolinë.

Të pranishmit, si familjarët ashtu edhe miqtë e kolegët, mezi kanë gjetur fjalët për ta përshkruar Bogujevcin, i cili vdiq të enjten e javës së kaluar, në moshën 69-vjeçare.

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, ka thënë se këngëtari Ismet Bogujevci është personalitet i shquar kombëtar, që nëpërmjet këngës popullore lartësoi vlerat kombëtare. Sipas tij, Ismet Bogujevcin e njohin për së afërmi vetëm pak njerëz, vetëm ata që kanë pasur besimin e tij.

“Vetëm ata që kanë besuar dhe kanë promovuar vlerat e vërteta të muzikës dhe kulturës së kombit tonë”, ka thënë ai. Sipas Çekut, për të gjithë të tjerët Ismet Bogujevci ka qenë një person i mbyllur dhe i heshtur. Ka thënë se ai ishte kësisoj pasi kurrë dhe asnjëherë nuk ka bërë kompromise me vlerat njerëzore dhe artiske.

“Të gjithë e kemi njohur nëpërmjet këngës. Ai mishëronte këngët që i këndonte në skenë dhe të bënte ta ndieje emocionin. I ndjeri është dëshmi e vlerave më të larta të kombit. Vepra e tij është një vulë e pashlyeshme e kohës”, ka thënë Çeku.

Veprimtaria e Bogujevcit shtrihet edhe në teatër, sidomos në fillet e karrierës.

I lindur më 9 prill të vitit 1952, Ismet Bogujevci qysh i ri do ta merrte rrugën e artit. Aktiviteti i tij artistik ka nisur rrugëtimin me shoqërinë kulturo-artistike “Josip Rela” në Podujevë. Sipas një biografie të shkurtër, të përgatitur nga Ansambli kombëtar i këngëve dhe valleve “Shota” dhe Ministria e Kulturës, ishte viti 1972 kur ai hyri në skenë furishëm si këngëtar, por dhe si aktor, meqë shoqëria “Josip Rela” kishte shtrirje në dy fusha: muzikë dhe aktivitete teatrore. Te “Halili dhe Hajria” ishte në rolin e Qatipit. Me këtë dramë të njohur, Bogujevci u shfaq për herë të parë në skenën e Teatrit të Podujevës.

Bogujevci ka vazhduar ndër vite aktivitetin e tij artistik në shoqërinë “Ramiz Sadiku” në Prishtinë dhe në aktivitetet që kjo shoqëri mbante në rajon. Në vitet ’90 ai ishte angazhuar si bashkëpunëtor i ansamblit “Shota”, përderisa nga viti 2000 punoi si solist në këtë institucion. Prej vitit 2012 deri më 2013 ishte ushtrues detyre i drejtorit të Ansamblit, periudhë gjatë së cilës Ansambli ka fituar disa çmime ndërkombëtare në festivale prestigjioze nëpër botë, përfshirë në Turqi, Itali dhe Bullgari. Si solist muzikor, Ismet Bogujevci ka fituar një mori çmimesh, përfshirë edhe “Mikrofonin e Artë”.

“Kur ta fala një tufë gërshetë”, e interpretuar në duet me Nexhmije Pagarushën, “Martesa jonë”, “O moj bukuroshe”, “Ke selvite e namazgjasë”, “Tefik Canga” e “Bajram Curr o Bajram Curr”, janë disa prej këngëve të tij më të njohura.

Bogujevci, edhe pas pensionimit të tij në pranverën e vitit 2017, ishte pjesë e koncerteve të “Shotës”. Përderisa në skenë, pos këndimit, ishte edhe model se si interpretohet, pas koncerteve ishte prej njerëzve më të dashur jo veç për kolegët, por për krejt komunitetin artistik.

Shefqet Gjocaj, drejtor i përgjithshëm i Ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, ka thënë se për koincidencë i kishte rënë ta pranonte detyrën nga Ismet Bogujevci, pasi ai ishte ushtrues detyre i drejtorit.

“Më vinte keq që ta pranoja në vend të tij pozitën e drejtorit”, ka treguar ai. Ka kujtuar edhe humorin e asaj dite. Ka thënë se Bogujevci me shaka i kishte thënë se do të donte të mbetej edhe 3 muaj në detyrë për t’i larguar nga puna miqtë e tij, Riza Bytyqin dhe Ylber Asllanajn.

Koreografi Fehmi Shaqiri e ka vlerësuar lart Boigujevcin. Sipas tij, bëhet fjalë për një këngëtar që i tejkalonte kufijtë e një artisti të përkryer.

“Ismeti hyn në plejadën e këngëtarëve të shquar”, ka thënë Shaqiri. Ai ka kujtuar se për më shumë se tri dekada që e ka njohur Bogujevcin, secilën herë ka parë virtyte të larta tek ai si artist e si njeri.

E, ish-ministri i Kulturës, Skënder Hyseni, ka folur për Bogujevcin në cilësinë e mikut. Ka treguar se si fëmijë, shtëpitë e tyre i ndante vetëm rruga. Ata ishin aq të afërt saqë nuk ishte me rëndësi se ku i zinte nata, pasi në atë shtëpi që qëllonin qëndronin.

“Familjet tona ishin një familje. U rritëm me ‘Josip Relën’ e Podujevës. Me Teatrin e Podujevës. Pos këngëtar, ishte edhe aktor”, ka thënë ai derisa ka kujtuar se Bogujevci ishte aktor në shfaqjen “Halili dhe Hajria”. Krejt në fund ai ka kërkuar nga ministri i Kulturës që të themelohet një çmim me emrin e Bogujevcit.

“Kërkoj me përulësi që ministri i Kulturës ta gjejë mënyrën dhe ta krijojë çmimin kombëtar për këngë popullore ‘Ismet Bogujevci’”, ka thënë ai.

Në emër të familjes, të pranishmit i kanë përshëndetur motra dhe e bija e Bogujevcit.

Motra e tij, Valbona Bogujevci, ka thënë se disa njerëz vijnë në këtë botë për të qenë të veçantë dhe i tillë ishte edhe Ismet Bogujevci. Edhe si artist, edhe si njeri, ai na la shumëçka. Do ta kujtojmë gjithmonë për urtësinë e përulësinë. Jemi shumë krenarë që e kemi pasur dhe jemi me fat që do të vazhdojmë t’ia dëgjojmë zërin”, ka thënë ajo për Bogujevcin, i cili u varros të premten e javës së kaluar, pas homazheve në nderim të tij në Teatrin Kombëtar të Kosovës.

Në ditën e vdekjes së tij, udhëheqësi artistik i Ansamblit kombëtar të këngëve dhe valleve “Shota”, Ylber Asllanaj, kishte thënë se Bogujevci ishte një prej këngëtarëve më të mirë ka pasur arti shqiptar. “Është një humbje shumë e madhe për gjithë muzikën dhe traditën tonë kombëtare në këndim”, kishte thënë ai, derisa e kishte përshkruar veten si njeri me fat që ishte krah Bogujevcit.